Ekselenca juaj Eevamari Laaksonen, ambasadore e Finlandës në Kosovë,
Të nderuar anëtarë të Parlamentit dhe të Qeverisë,
Të nderuar ambasadorë dhe diplomatë të tjerë, ushtarë dhe oficerë të Finlandës në Kosovë,
Të nderuar pjesëmarrës,
Zonja dhe zotërinj,
Është kënaqësi të jem këtu sot. Miqësia jonë shtrihet ndër dekada dhe përfshin gjithashtu nivele të ndryshme të qeverisjes. Kam gëzuar bashkëpunim të shkëlqyer me ambasadorët e Finlandës, kam mirëpritur delegacione këtu dhe kam takuar përfaqësues të Finlandës në salla konferencash anembanë botës.
Në të gjitha këto takime, kam vërejtur se ndajmë shumë gjëra, përfshirë edhe një ngrohtësi të veçantë.
Finlanda, natyrisht, udhëheq rrugën drejt së cilës aspiron Kosova. Ajo iu bashkua NATO-s në vitin 2023 dhe është një zë i rëndësishëm në skenën botërore. Ka qenë një shtet i pavarur për më shumë se një shekull—që nga viti 1917—duke e mbrojtur pavarësinë e saj dy herë kundrejt Bashkimit Sovjetik.
Finlanda është e përafruar ngushtë me ne në parime dhe në prioritete. Ajo qëndron në anën e duhur të historisë: që nga viti 2022, ka ndarë 3.9 miliardë euro në mbështetje të Ukrainës. Finlanda është e përkushtuar ndaj sigurisë së saj, ashtu siç jemi edhe ne. Një sondazh i fundit tregoi se 80% e finlandezëve shprehin gatishmëri për të mbrojtur vendin e tyre në rast agresioni.
Ashtu si ne, Finlanda e njeh rëndësinë e mirëqenies sociale. Dhe, njësoj si Kosova, ajo nuk e zgjedh sigurinë mbi mirëqenien; i përqafon të dyja.
Personalisht, më tërheq thjeshtësia e popullit finlandez, që përqafon thelbësoren e një shoqërie të lumtur. Kur u publikua Raporti i Lumturisë në Botë, Presidenti Stubb tha në një postim në rrjetet sociale: “Jeta nuk është kurrë e përsosur dhe askush nuk mund të jetë i lumtur gjatë gjithë kohës, dhe nganjëherë rrethanat e bëjnë këtë të vështirë. Por të bësh gjërat themelore (sigurinë, lirinë dhe barazinë) si duhet – është një fillim i mirë.”
Ne e ndajmë atë ndjenjë. Kjo nuk përbën kufizim për ambicien, por një mbështetje në atë që me të vërtetë ka rëndësi.
Ka edhe një koncept tjetër me të cilin besoj se lidhemi: “sisu”, një term për qëndrueshmërinë, që ka tërhequr gjithnjë e më shumë botën teksa për vite me radhë përpiqet të deshifrojë arsyet prapa vendit më të lumtur në botë. Të dyja vendet tona kanë përjetuar agresion dhe gëzojnë shoqëri demokratike e të zhvilluara, të cilat kanë ndërtuar me qëndrueshmëri pavarësisht gjithçkaje.
Sigurisht, nuk jemi tërësisht të njëjtë. Numri i saunave tuaja tejkalon tërë popullsinë tonë, ndoshta duke përfshirë edhe diasporën tonë, megjithëse nuk jam krejtësisht i sigurt, në varësi të vlerësimeve që merrni parasysh. Nuk do të them më shumë, sepse kaq afër zgjedhjeve mund të shihni një postim në rrjete sociale që thotë: “Qeveria Kurti, një mandat i plotë, as edhe një saunë publike.”
Por këto dallime janë detajet e këndshme. Ajo që na lidh—parimet që mbrojmë, prioritetet që ndajmë, shpirti që bartim—është shumë më e madhe se gjithçka që na ndan.
Ju falemnderit shumë, gëzuar, kiitos!