Gjakovë, 3 qershor 2025
Mirdita të gjithëve në këtë ushtrim tejet të rëndësishëm për ushtrinë tonë, për bashkëpunimin tonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me partnerë të tjerë nga NATO-ja, e në këtë rast, konkretisht Republika e Shqipërisë, Republika e Kroacisë, Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Bullgarisë. Kemi arritur që të tregojmë, të demonstrojmë fuqinë tonë, ndërveprueshmërinë që e kemi me NATO-n dhe në këtë mënyrë ta forcojmë kauzën tonë, që anëtarësimi i Kosovës në NATO nuk është vetëm për dobinë tonë, por edhe për kontributin të cilin do të japë.
Në Defender Europe 25 kanë marrë pjesë gjithsej 29 shtete dhe ne kemi pasur privilegjin të jemi në mesin e 18 shteteve nikoqire. Gjithsej kanë qenë 25 mijë ushtarë, me ç’rast Kosova ka marrë pjesë me 938 ushtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Bashkëpunimi dhe ushtrimi e nxjerrin më të mirën edhe të ushtrisë edhe të ushtarakëve, pra të oficerëve, nënoficerëve dhe të ushtarëve dhe kjo është parë në këto gati 10 ditë prej se ka filluar Defender Europe 25.
I gjithë ky armatim që po e shihni këtu të demonstruar është blerë gjatë këtyre tri viteve të fundit, përveç një automatiku “Heckler & Koch”, vetëm një automatik ka qenë edhe më herët. I gjithë armatimi që e shihni është blerë gjatë këtyre tri viteve të fundit, sepse ne e kemi dyfishuar numrin e ushtrisë, i kemi katërfishuar trajnimet jashtë vendit, e kemi trefishuar buxhetin për mbrojtje dhe kemi qindfishuar atë për municion e për armatim, gjithnjë në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me vendet e tjera aleate e partnere.
Gjatë këtij ushtrimi ju e patë se sa të zotë janë ushtarakët tanë, por gjithashtu ne kemi nderin dhe kënaqësinë që të jemi në këtë poligon, i cili si zonë e trajnimit po bëhet ndër më të mirat në rajon dhe më gjerë. 4500 hektarë tokë i kemi shpronësuar dhe tash Ministria e Mbrojtjes është pronare këtu në Babaj të Bokës, Devë edhe Shishman, në mënyrë që të tregojmë përkushtimin tonë për trajnimet e vijueshme, të cilët i ngrisin edhe aftësitë, edhe kapacitetet e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Falënderoj edhe njëherë gjeneralët amerikanë të ushtrisë së SHBA-ve që janë këtu me neve, të gjithë oficerët dhe ushtarakët, të cilët kam pasur nderin t’i vizitojë edhe gjatë ditëve të mëhershme, por falënderoj po ashtu edhe të gjithë ata që morën pjesë nga Republika e Shqipërisë, e Kroacisë, e Bullgarisë, dhe e Maqedonisë së Veriut.
Bashkë jemi jo vetëm të fortë, por shumë më të fortë. Shteti i Kosovës kurrë ka nuk ka qenë më i fuqishëm e i sigurt.
Faleminderit ministër, presidente, gjeneralë amerikanë dhe gjithë ju tjetër të pranishëm.