Prishtinë, 26 gusht 2025
Të nderuar ish të burgosur politikë: Hydajet Hyseni, Gani Krasniqi, Selatin Novosella, Berat Luzha, Neriman Braha, dhe shumë e shumë të tjerë që jeni bërë bashkë sot me rastin e 20-vjetorit të shkuarjes në amshim të shokut tonë, Azem Beqiri,
Të nderuar invalidë e veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, familjarë të dëshmorëve, deputetë të Kuvendit të Republikës, kolegë nga Qeveria, aktivistë politikë, profesorë e akademikë, studiues e studentë,
Mesditën e sotme, na ka mbledhur bashkë këtu në Institutin Albanologjik, 20-vjetori i vdekjes së Azem Beqirit, aktivist dhe i burgosur politik, njëri prej më të hershmëve, ndër grupet dhe gjeneratat e të burgosurve politikë në Kosovë. Azem Beqirin do të mund ta kishim ende sot mes nesh, këtu e kemi edhe familjen e nderuar Beqiri, sepse ai ishte 86- vjeçar tash, ndërkohë që shkoi para kohe në moshën 66 vjeçare në vitin 2005.
Gjatë shekullit XX, shekullit të luftërave ballkanike dhe dy luftërave botërore, dhe të Luftës së Ftohtë por edhe luftërave në Jugosllavi të cilat kulmuan me gjenocidin ndaj popullit shqiptar në Kosovë, në pranverën e vitit 1999-të, ne shqiptarët kemi kaluar një shekull të tërë të mbushur me përpjekje të shumëfishta dhe lëvizje intensive për liri. Në këtë rrugë shqiptarët e mbetur pa vullnetin e tyre nën Jugosllavi, u bënë viktimë regjimesh të egra diktatoriale e fashiste, regjimesh hegjemoniste gjenocidale, me të cilat u desh të luftohej në pafund mënyra pareshtur për ta fituar çlirimin, lirinë.
Ndër ata burra dhe gra që me angazhimin e tyre mirëmbajtën betejën e shqiptarëve për liri, ishte edhe Azem Beqiri, i cili ishte 24 vjeç kur vullnetin e tij politik e kanalizoi në organizatën Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve (LRBSH). Kjo organizatë, pra LRBSH-ja, u formua në shtator të vitit 1963 nga një grup i bërë bashkë nga gazetari dhe shkrimtari i ri atëbotë Adem Demaçi, i cili edhe e mori drejtimin e saj. Azemi ishte pjesë e LRBSH-së që nga themelimi i saj, por në vend se të përpiqem të kaloj nëpër profilin e tij politik, më së miri besoj që atë mund ta lexojmë edhe nëpërmjet disa pjesëve të aktakuzës kundër tij.
Azem Beqiri u arrestua më 7 qershor 1964, pra, para plot 61 viteve, kurse dy muaj më pas ai u përfshi në një aktakuzë të ngritur nga asokohe Prokuroria Publike e Qarkut në Prishtinë, më 15 gusht 1964, në një aktakuzë bashkë me Adem Demaçin, Sabit Ratkocerin, Hazir Shalën, Selahudin Dacin, Abdyl Lahun, Ahmet Haxhiun, Xhafer Mahmutxhikun, Dibran Bajraktarin dhe Sabri Novosellën, Tefik Sahitin, e Nijazi Saraçogllun. Ata të gjithë bashkë akuzoheshin në bazë të neneve 44, e 145, dhe 249, 250 dhe 251 të Ligjit Penal të Jugosllavisë.
I radhitur i pesti në rend, për të shkruhej kështu: Azem Beqiri, nëpunës nga Prishtina, që jeton në rrugën “Svetozar Markoviq” nr. 19, i lindur më 1939 në Dumnicë të Epërme, nga babai Ademi dhe nga e ëma Sherife, e lindur Osmani, shqiptar, shtetas i RSFJ-së, i martuar, pa fëmijë, ka kryer dy klasë të Shkollës Normale, ka kryer edhe shërbimin ushtarak, jo i pasur, i padënuar, e që ndodhet në burgun hetues nga 8 qershori 1964.
Në aktakuzë, i akuzuari Azem Beqiri, në shtator të vitit 1963, pas lidhjes me të akuzuarin Adem Demaçi, është bërë anëtar i organizatës ilegale armiqësore në Prishtinë thuhej aty, dhe njëkohësisht, ka marrë pjesë në formimin e grupit ilegal në një mbledhje sekrete në shtëpinë e të akuzuarit Adem Demaçi, e pastaj ka punuar aktivisht në zgjerimin e saj të mëtejmë përmes përvetësimit të personave të tjerë, për çfarë ka biseduar me 6 persona, ndër të cilët edhe Vezir Ukaj e Faik Osmani dhe ka ndërmarrë hapa që, me ndihmën e të akuzuarit Xhafer Mahmutxhiku, të formojë udhëheqjen e grupit ilegal armiqësor në Podujevë; ka mbajtur shumë mbledhje me pjesëtarët e organizatës ilegale; ka marrë pjesë, gjithashtu, në shumë mbledhje të ashtuquajturës udhëheqje e lartë e organizatës ilegale në Prishtinë; ka mbajtur lidhje të përhershme me të akuzuarin Adem Demaçin, dhe është bërë anëtar i grupit ilegal në Prishtinë; ka dhënë para për organizatën ilegale në shumë thuhej në aktakuzë 18,000 dinarë; ka shkruar tekstin e një vargu për një flamur shqiptar, e pastaj ka angazhuar një person që atë flamur ta ngrejë në fshatin Letanc dhe i ndihmuar Vezir Ukaj që të përshkruajë dhe të shumëzojë Programin e organizatës ilegale, prandaj, në këtë mënyrë, ka marrë pjesë në formimin e grupit të personave, i cili ka pasur për qëllim të ndërmarrë sulm, thuhej atëherë, kundërrevolucionar mbi rregullimin shtetëror e shoqëror të RFSJ-së, mbi tërësinë e saj territoriale, e ma tutje thuhej të shkatërrojë unitetin e popujve të Jugosllavisë, me çfarë na paska kryer vepër penale të bashkimit kundër popullit dhe shteti, nga neni 117, e lidhur me nenet 100 dhe 101 të Ligjit Penal, të asaj kohe. Pra, ja se çfarë thuhej në aktakuzën kundër Azem Beqirit dhe të tjerëve në atë kohë që tregon edhe vendosmërinë e tyre, po tregon edhe frikën e regjimit të okupatorit, të pushtuesve të atëhershëm ndaj LRBSH-së, së udhëhequr nga Adem Demaçi, e ku ishte shumë aktiv Azem Beqiri.
Dy javë më pas, më 1 shtator të vitit 1964, Gjykata e Qarkut në Prishtinë i ka shpallur fajtorë dhe i dënu 12 të akuzuarit, e mes tyre edhe Azem Beqirin me 10 vjet burg. Pas një kërkese për zbutje dënimi, më 5 shkurt 1965, ia kanë zbrit dënimin nga 10 vjet në 7 vjet burgim. Ndërkaq, pas tre vitesh, më 26 prill 1968, pra pas rënies së Rankoviqit, Gjykata Supreme e Serbisë, e ka ndryshu vendimin e Gjykatës së Qarkut në Prishtinë të 1 shtatorit 1964 dhe ia ka shqiptu Azem Beqirit dënimin me burg të rëndë në kohë zgjatje prej 3 vjet e 11 muaj.
Edhe pas daljes nga burgu, Azem Beqiri punon edhe më shumë se para rënies në burg. Ai ka gjet gjithmonë mënyra të angazhimit dhe kanale komunikimi për aktivitetin e tij politik bashkë me shokët. Ndërkohë në dekadat pasuese, në qindra procese gjyqësore politike, pushteti jugosllav i dominuar nga Serbia, do të dënonte me burgosje gjithë rininë tonë, po jo vetëm atë, mijëra e mijëra shqiptarë, derisa në mes të viteve ’80 kjo e ka arrit kulmin e saj duke i kthyer shqiptarët në Jugosllavi, në komunitetin etnik më të përndjekur në mbarë Evropën, dhe të gjykuar e burgosur politikisht në kontinentin e vjetër.
Dhe sipas disa të dhënave shqiptarët i kanë mbajt gjithsej 666 shekuj burg në ish-Jugosllavi dhe pikërisht këta që dilnin nga burgu i vogël në burgun e madh ishin ata që i organizonin edhe thyerjen e burgut të madh, çlirimin e Kosovës deri sot tek Republika që e gëzojmë.
Unë duke qenë se kam pas fatin të punoj për bacën Adem si sekretar në zyrën e tij në Prishtinë, kur Adem Demaçi ishte përfaqësues i përgjithshëm politik i UÇK-së, të gjithë shokët dhe gjeneratën e tij të aktivistëve e të burgosurve politikë i kam njohur përmes Bacit Adem. Dhe Azem Beqiri, ka qenë një person i cili këmba këmbës nuk e ka lënë asnjëherë bacën Adem vet, në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, në Partinë Parlamentare masandej edhe në përfaqësinë politike të UÇK-së, po edhe pas luftës.
E Azem Beqiri, i cili e vazhdoi shoqërimin dhe angazhimin me bacin Adem Demaçi ka mundur ta ndal vetëm një gjë vdekja, e cila në e mori para kohe pra në vitin 2005. Duke qenë po ashtu njëri prej jush si ish i burgosur politik dhe duke shquar këto të dhëna për aktivitetin politik, dhe sidomos për frikën e pushtetit serbo-jugosllav ndaj Azem Beqirit, ndaj LRBSH-së, shpresoj t’i kemi përtrirë bashkë me juve gjithë sot kujtimet dhe nderimet tona për Azem Beqirin.
U kujtoftë dhe u nderoftë Azem Beqiri si nga brezat që e kanë njohur dhe kanë dëgjuar për të, ashtu edhe nga historia.
Ju falemnderit shumë!