Fjala e kryeministrit Kurti në konferencën për media pas pranimit të Raportit për Vendin 2025 të Komisionit Evropian

I nderuar Ambasador Orav,
Të nderuar përfaqësues të mediave,

Çdo vit, vendi ynë pranon raportin e progresit nga Komisioni Evropian që vlerëson zhvillimet në të gjithë sektorët e shtetit. Këtë vit, edhe pse kemi qenë qeveri në detyrë, raporti konstaton se kemi kryer detyrat me sukses.

Falënderoj Komisionin Evropian dhe Zyrën e BE-së në Kosovë për bashkëpunimin në avancimin e agjendës sonë evropiane. Integrimi në Bashkimin Evropian mbetet prioritet edhe vleror edhe strategjik i Republikës së Kosovës. Raporti i sivjetmë është pozitiv pothuajse në të gjitha fushat dhe ofron rekomandime të qarta aty ku ka ngecje. Ai pasqyron punën e qeverisë dhe progresin tonë të përbashkët shoqëror.

Në këtë vit, sikurse gjatë gjithë mandatit, nuk ka pasur kthim mbrapa në asnjë fushë. Ka progres në 35 fusha dhe ngecje në vetëm 3 fusha. Progresi varion nga i kufizuar në të përparuar. Orientimi ynë është i qartë: anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian. Raporti konfirmon përkushtimin tonë dhe mbështetjen e gjerë publike për procesin e integrimit.

Raporti vlerëson përafrimin tonë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, përfshirë sanksionet ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë, si dhe dënimin e agresionit rus ndaj Ukrainës.

Njëkohësisht raporti vlerëson me progres sektorë kyç ku politikat e Qeverisë sonë janë kritikuar pa bazë solide në opinionin vendor. Unë po theksoj disa prej tyre. Ajo çka në opinionin publik po karakterizohej si kolaps ekonomik, ky raport tregon se është zhvillim ekonomik.

Rritje ekonomike reale prej 4.4% në vitin 2024, më e lartë se mesatarja e viteve 2016–2023.
• Të ardhurat për kokë banori janë rritur nga 27% në 30% të mesatares së BE-së.
• Rritje 16.7% të shpenzimeve kapitale dhe rritje 8.2% të të hyrave tatimore në vitin 2024.
• Forcim të mbikëqyrjes financiare të ndërmarrjeve publike.

Në ambientin e të bërit biznes, raporti konstaton:
• Ulje të informalitetit në ekonomi.
• Miratimin e Ligjit për Investime të Qëndrueshme, që krijon kornizë ligjore gjithëpërfshirëse për investimet.
• Miratimin e Ligjit për Pronarët Përfitues, që ndihmon në identifikimin e pronarëve fundorë dhe luftimin e pastrimit të parave.
• Miratimin e Programit për Reduktimin e Barrës Administrative 2025–2028.

Ajo çka në opinion publik thuhej se është lëmoshë, ky raport po tregon se është progres në politika sociale. Te politikat sociale raporti konstaton se kemi kaluar nga faza përgatitore në progres të theksuar:

• Është rritur paga minimale nga 264 në 350 euro.
• Është miratuar Strategjia e Punësimit dhe Tregut të Punës 2024–2028.
• Kanë filluar pagesat e skemave të asistencës sociale sipas rregullave të reja, duke modernizuar sistemin dhe kjo në një platformë të integruar.
• Po zbatohet pilotimi i Garancisë Rinore, që garanton mundësinë për punësim ose aftësim profesional për çdo të ri ose të re.

Ajo çka në opinionin publik te ne reflektohej si prishje e raporteve me jashtë, ky raport tregon se është progres në marrëdhënie me jashtë. Në marrëdhëniet me jashtë raporti thekson avancim të dukshëm:

• Përparim në zbatimin e Marrëveshjeve të Tregut të Përbashkët Rajonal 2021–2024, duke përfshirë praktikisht heqjen e vizave për qytetarët e Bosnjës e Hercegovinës.
• Hapjen e pikave kufitare të përbashkëta me Maqedoninë e Veriut në Bllacë dhe Glloboqicë–Jazhincë, që përshpejtojnë kalimin kufitar.
• Përfaqësimin shembullor të Kosovës në CEFTA në vitin e parë të përfaqësimit direkt e ku morëm vendime që ishin bllokuar me vite të tëra sikurse zgjedhja e drejtorit të ri të CEFTA-s.
• Nënshkrimin e marrëveshjes me vendet e EFTA-s në janar 2025, që pritet të hyjë në fuqi pas ratifikimit.
• Marrëveshjet e tregtisë së lirë me Turqinë dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Gjithashtu progres ka në sektorin e transformimit dixhital ku ne si Qeveri kemi pasur gjithashtu fokus. Raporti vlerëson avancimin e transformimit dixhital të ekonomisë:

• 230 shërbime dixhitale janë të ofruara në platformën e-Kosova.
• Është bërë progres në dixhitalizimin e arsimit përmes krijimit të Departamentit për Dixhitalizim dhe platformës kombëtare shkollat.org.
• Dixhitalizimi në drejtësi ka reduktuar grumbullimin e rasteve.
• Që nga qershori sivjet, regjistrimi i kompanive bëhet online, ndërkaq certifikatat lëshohen në formë digjitale me nënshkrim elektronik.

Si dhe në fusha respektive si ajo e kulturës, ku raporti gjen që:
• Për herë të parë është miratuar Strategjia për Sportin 2025–2030.
• Është miratuar Ligji për Artin dhe Kulturën.
• Kosova është përfshirë në programin kulturor të BE-së, Creative Europe.

Raporti ndan edhe disa nga shqetësimet që ne i kemi ngritur me qëllim të avancimit të reformave që na afrojnë me standardet e BE-së, sikurse në fushën e drejtësisë ku do të donim gjithashtu të shihnim më shumë progres në bashkëpunim me institucionet e pavarura.

Te pjesa e lirisë së shprehjes raporti vlerëson se në Kosovë ka pluralizëm medial, por evidenton sfida në transparencën e pronësisë dhe të qëndrueshmërisë financiare të mediave. Për ne, shqetësim mbetet konstatimi i raportit se mjedisi mediatik ishte subjekt i përpjekjeve për dezinformim gjatë procesit zgjedhor, si nga burime të brendshme e po ashtu edhe të jashtme, duke përfshirë fushatat dezinformuese të mediave të lidhura me Rusinë, si “RT Balkan” dhe “Sputnik Srbija”.

Ne do të angazhohemi që rekomandimet e raportit të kthehen në prioritete konkrete për zbatim.

Kosova ka dëshmuar se është aleate e Bashkimit Evropian dhe shembull i demokracisë në rajon. Ne kemi përmbushur standardet që e bëjnë vendin tonë të gatshëm për marrjen e statusit kandidat. Asnjë shtet i rajonit nuk ka qenë më i avancuar se Kosova në kohën e aplikimit për këtë status.

Prandaj, vonesat në këtë drejtim nuk janë vetëm vonesa politike por vonesa të reformave dhe të progresit që e meritojmë.

Kosova mbetet e përkushtuar në progresin e saj drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian, për forcim të institucioneve demokratike dhe për ndërtimin e një shoqërie edhe më të drejtë edhe më të barabartë. E falënderoj edhe njëherë ambasadorin Orav, për rolin dhe kontributin e tij që luan në urën midis Prishtinës dhe Brukselit.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors