Mitrovicë, 4 qershor 2025
Dita është e bukur, ekonomia është zgjeruar, qyteti është Mitrovica, kjo është trefish mirë.
I nderuari z. Derler,
Të nderuar përfaqësues të Concentrix,
Të nderuar pjesëmarrës,
Është nder dhe kënaqësi të jemi bashkë sot këtu në Mitrovicë për të shënuar hapjen e një lokacioni të ri të kompanisë Concentrix në Kosovë. Kjo ngjarje është më tepër se sa zgjerim i operacioneve të një kompanie globale me renome në vendin tonë, sepse është një dëshmi e besimit në kapacitetet e qytetarëve tanë, në aftësitë e të rinjve tanë, dhe në drejtimin që ka marrë shteti ynë.
Kompanitë si Concentrix sjellin vende pune dhe krijojnë mundësi të reja për të rinjtë dhe të rejat, të zhvillohen profesionalisht e të jenë pjesë e tregut global – pa pasur nevojë që të largohen nga vendi i tyre.
Sot, Kosova i ka mbi 2,000 kompani në sektorin e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit. Më shumë se 85% e tyre eksportojnë shërbimet e tyre, kryesisht në Bashkimin Evropian dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në katër vitet e fundit, eksportet e shërbimeve të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit janë rritur për 385% – gati pesëfishim, një dëshmi e qartë për potencialin që ka ky sektor.
Këto janë shifra që flasin për një sektor pra, dinamik dhe konkurrues. Sipas raportit “Future of the IT” të Tech Emerging Europe Advocates, Kosova është e renditur e 11-ta në Evropën në zhvillim për konkurrueshmëri në teknologji të informacionit – dhe e para në Ballkanin Perëndimor.
Qeveria jonë është e përkushtuar që të mbështesë rritjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të këtij sektori përmes një qasjeje gjithëpërfshirëse me ç‘rast dua të përmend 3 pika kryesore:
• Kemi investuar në infrastrukturën digjitale, duke siguruar qasje në internet brezgjerë për të gjitha vendbanimet e Kosovës pa dallim. Deri në fund të vitit 2024, operatori publik mobil Vala ka mbuluar 65% të territorit me rrjet 5G, ndërsa pjesa tjetër ka mbulim me 4G+.
• Kemi investuar në arsim dhe trajnim profesional. Deri tani, mbi 4,800 të rinj janë trajnuar në fusha të ndryshme të teknologjisë së informacionit, në bashkëpunim me partnerët tanë zhvillimorë.
• Kemi ndarë afër 7,000 bursa për studentë në fushat STEM, shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë, nga të cilat 85% janë për gra dhe vajza.
Gjithashtu, kemi krijuar hapësira për zhvillim përmes platformave të inovacionit dhe dua t’i përmend 2 lokacione të tilla:
• Në Prizren, ku së shpejti do të hapet lokacioni i radhës i Concentrix-it, është Parku i Inovacionit dhe Trajnimeve – një investim i përbashkët me Qeverinë Gjermane me sipërfaqe prej 39 hektarësh – që ofron hapësira për biznese, startup-e dhe institucione arsimore.
• Në Prishtinë, ku e kemi themeluar TechPark Prishtina, një hapësirë prej 4,000 metra katrorë, e menaxhuar nga shoqata STIKK, e cila po shndërrohet në një qendër bashkëpunimi për kompanitë dhe profesionistët e teknologjisë.
E një gjë shtesë që dua të përmend me këtë rast është digjitalizimi i shërbimeve publike. Platforma e-Kosova, e cila ka nisur në vitin 2021, sot ofron mbi 240 shërbime online. Me më shumë se 1 milion përdorues të regjistruar, numri i transaksioneve është rritur nga 2.9 milion në vitin 2022 në 4.9 milion në vitin që lamë pas, 2024 – apo një rritje prej 155%.
Të nderuar të pranishëm,
Hapja e këtij lokacioni në Mitrovicë është investim në njerëzit tanë, në të ardhmen e qytetit, dhe në zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës. Jemi shumë mirënjohës për besimin që Concentrix ka treguar ndaj Kosovës, ndaj rinisë tonë dhe ndaj potencialit tonë për të qenë pjesë e ekonomisë globale.
Si Qeveri, mbetemi të përkushtuar për ta mbështetur më tej këtë sektor dhe për të krijuar edhe më shumë mundësi për të rinjtë, për qytetarët tanë, dhe për të ardhmen e vendit.
Ju faleminderit shumë!