I nderuari u.d i drejtorit të Institutit Albanologjik, z. Naim Berisha,
I nderuari kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, z. Mehmet Kraja,
I nderuari ambasador i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, z. Petrit Malaj,
I nderuari z. Adil Olluri, sekretar shkencor,
Të nderuar anëtarë të Akademisë e të këshillit organizativ,
Të nderuar profesorë, studiues dhe punëtorë të të gjitha degëve të Institutit Albanologjik,
Të nderuar të pranishëm,
Është nder i veçantë për mua që gjendem mes albanologëve dhe që kam nderin të mbaj këtë fjalë rasti!
E them ‘nder i veçantë’, ngaqë ju jeni ata që gjatë gjithë punës suaj shkencore merreni me pjesën më thelbësore të identitetit të popullit tonë, që nga gjuha, letërsia, folklori, etnografia, këngët dhe gjithçka që kulturalisht ne na bën këta që jemi: shqiptarë. Këtu duhet theksuar se periudha e lindjes së albanologjisë përkon me periudhën e ndërgjegjësimit tonë kombëtar. Që nga Georg fon Hani, që konsiderohet si baba i albanologjisë, e deri te albanologu i shquar amerikan, Erik Hampi, ne kemi një varg të gjatë albanologësh të huaj që shtruan rrugën, thelluan dhe zgjeruan njohuritë për gjuhën dhe kulturën tonë, historinë dhe lashtësinë tonë. Me rezultatet e punës së tyre ata dëshmuan, në mënyrë të pakundërshtueshme, se gjuha shqipe i takon familjes së gjuhëve indoevropiane dhe se kultura shqiptare është pjesë e arealit kulturor evropian. Ata, kësisoj, nxorën në dritë dhe iu përgjigjën pyetjes kardinale se kush ishin shqiptarët.
Pas tyre erdhi një lagje tjetër e studiuesve, lagjja e albanologëve shqiptarë si Eqrem Çabej, Selman Riza, Idriz Ajeti, Shaban Demiraj, Mahir Domi, Rexhep Qosja, Mark Tirta, Rexhep Ismajli, Sadri Fetiu, Bardhyl Demiraj e të tjerë, të cilët ndoqën udhën e nisur nga albanologët e huaj dhe thelluan edhe më tej studimet albanologjike. Ata trajtuan më në thellësi tezat e vazhdimësisë historike iliro-shqiptare dhe të autoktonësisë së shqiptarëve në trevat e sotme. Ata bënë një trajtim të gjerë, gjithëpërfshirës, sidomos të gjuhës shqipe. Si rezultat i një pune të vazhdueshme dhe këmbëngulëse u arrit që fusha albanologjike të ketë institucionet veta, të ketë disiplinat e veta dhe të zhvillojë metodologjinë e vet shkencore. Kjo bëri që qendrat më të rëndësishme të studimeve albanologjike, që më parë gjendeshin nëpër botë, të barten në Tiranë, në Prishtinë dhe në Shkup. Me rezultatet e punës së tyre albanologët shqiptarë jo vetëm që thelluan argumentimet se kush ishin shqiptarët, por duke bërë hulumtime multidisiplinare iu përgjigjën edhe pyetjeve se çfarë ishin e çfarë janë shqiptarët.
Mirëpo, si në të kaluarën, ashtu edhe sot, dijet albanologjike ballafaqohen me sfida të caktuara, qoftë kur bëhet fjalë për vazhdimësinë iliro-shqiptare, qoftë për autoktoninë e shqiptarëve në këto treva. Po të kishin qenë ato pjesë të debateve të mirëfillta shkencore, do të kishin qenë vërtet të mirëseardhura, por, për fat të keq, debatet e tilla shpesh janë pjesë e një propagande agjendash politike që shkencën e kanë veçse si mbulesë për të çuar përpara dhe për të zbatuar plane të vjetra shekullore për spastrime etnike të shqiptarëve.
Në anën tjetër, veçori të caktuara të popullit tonë, që brenda nesh kanë bashkëjetuar dhe bashkëjetojnë në një harmoni shekullore, siç është prania e disa religjioneve, ka tendenca që po nga këto qarqe të paraqiten në mënyrë të shtrembëruar edhe si realitete konfliktuoze.
Pashë se njëra nga temat bosht të kësaj konference, në sesionin e historisë, ishte “Ndërthurja e identitetit fetar te shqiptarët nga besimet pagane te pluralizmi bashkëkohor”. Kam bindjen se kumtesat dhe debati për këtë temë do të hedhin edhe më shumë dritë pikërisht për bashkëjetesën në harmoni të këtyre religjioneve ndër shekuj. Shqiptarët, në këtë pikë, janë një shembull i rrallë dhe i mirë i kësaj bashkëjetese që buron jo nga imponimi institucional nga lart, por nga marrëdhëniet e krijuara spontane nga populli, nga poshtë.
Një temë tjetër bosht e kësaj konference e cila po ashtu më tërhoqi vëmendjen, sa për rëndësinë aq edhe për nga faktin se unë jam më pak i familjarizuar me të, është tema në sesionin e gjuhësisë ku do të trajtohet dhe do të debatohet “Për një leksikografi bashkëkohore”.
Jam në dijeni për punën që po bëhet në përgatitjen e një fjalori të ri të shqipes prej rreth 100 mijë fjalësh. Ky fakt dëshmon për më shumë se një dyfishim të fjalorit nga viti 1981, që i kishte rreth 41 mijë fjalë. Kjo do të jetë një arritje shumë e mirë në fushën e leksikografisë sonë. Profesori, Eqrem Çabej, qysh herët pohonte se përgatitja e një fjalori gjithëpërfshirës ishte një nga kushtet më të rëndësishme në themelet e një gjuhe standarde. Në këtë vijë, dyfishimi i numrit të fjalëve paraqet dyfishimin e fuqisë kohezive të gjuhës standarde. Natyrisht, Profesori Çabej, theksonte po ashtu se dialektet e ndryshme janë burim i pashtershëm i çdo gjuhe standarde, kështu që vetë dyfishimi vëllimor i këtij fjalori, nënkupton edhe një shtrirje më të gjerë horizontale gjeografike dhe një pasurim leksikor vertikal të thesarit të tij dialektikor.
Një leksikografi bashkëkohore në këto kohë digjitale nuk mund të paramendohet pa një trajtim të ri teorik të materialit gjuhësor, për shkak të zhvillimeve të reja në të gjitha fushat shkencore. Njohuritë e duhura teknologjike do të ndihmonin shumë që shqipja t’u bënte ballë sfidave të reja të kohës dhe të rrinte në hap me caqet ku kanë arritur shumë gjuhë të tjera. Por kjo, jam plotësisht i bindur, do të trajtohet në mënyrë profesionale nga ju.
Ne kemi bërë dhe do të bëjmë gjithçka, brenda mundësive tona, që përkrahja jonë institucionale të mos ju mungojë asnjëherë. Duke besuar shumë se rezultatet e kësaj konference do të shënojnë një hap më tutje në fushën e të arriturave albanologjike, ju përshëndes miqësisht dhe ju uroj punë të mbarë!