Prishtinë, 16 shkurt 2026
I nderuar z. Ahmet Ismaili, Guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës,
I nderuar z. Gent Sejko, Guvernator i Bankës së Shqipërisë,
E nderuar znj. Saranda Bogujevci, ministre e Kulturës dhe Turizmit,
E nderuara znj. Justina Pula, Kryetare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës,
Të nderuar anëtarë të Bordit dhe zëvendësguvernatorë të Bankës Qendrore të Kosovës,
Të nderuar profesorë e artistë,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj.
Ekspozita që na ka mbledhur sot flet me gjuhën e historisë, por mesazhin e ka aktual dhe për të ardhmen. Ajo na kujton se paraja është simbol i besimit, i rendit institucional dhe i vetë shtetit, përveçse mjet shkëmbimi.
Kjo paraqitje muzeale, është një rrëfim për mënyrën se si shoqëritë tona e kanë ndërtuar besueshmërinë me kalimin e kohës: se si institucionet janë forcuar përmes sfidave dhe përpjekjeve, dhe se si shteti është strukturë ligjore, por njëkohësisht edhe marrëdhënie zotimi mes qytetarëve dhe institucioneve të tyre.
Kjo histori e besimit na lidh drejtpërdrejt edhe me raportin ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë. Bashkëpunimi ynë nuk është as i rastësishëm e as i përkohshëm. Ai pikënisjen e ka te historia jonë dhe vazhdimin e gjen te institucionet e dy republikave tona.
Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Qeveria e Republikës së Shqipërisë, kanë ndërtuar një model bashkëpunimi i cili në qendër i ka nevojat dhe kërkesat e qytetarëve. 58 marrëveshje të reja në vetëm katër vite, të arritura përmes mbledhjeve të përbashkëta qeveritare, përbëjnë nivelin më të lartë të bashkërendimit institucional të cilin e kanë njohur ndonjëherë dy shtetet tona.
Nga njësimi i teksteve shkollore dhe projektet kulturore mbarëkombëtare, te lehtësimi i lëvizjeve në zonat kufitare, njohja e diplomave, bashkëpunimi në energji, siguri, sport, transport, turizëm dhe zhvillim ekonomik, padyshim që marrëdhëniet tona po thellohen e po zgjerohen.
Bankat qendrore kanë një rol të veçantë si institucione shtetndërtuese.
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës dhe Banka e Shqipërisë garantojnë stabilitet dhe ruajnë besimin financiar. Të dyja, ndër vite, kanë pasur një bashkëveprim shembullor dhe të ngushtë, për çka edhe i përgëzoj e i falënderoj. Me shkas të tyre, për rastin e 100-vjetorit të Bankës së Shqipërisë dhe të parasë shqiptare edhe jemi mbledhur sot këtu bashkë.
E teksa bëhemi gati për shënimin dhe festimin e 18-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, kjo ngjarje sot na vjen edhe si rikujtim e përgjegjësi. Rikujtim i përpjekjeve ndër breza, sakrificave të mëdha, dhimbjeve të thella për pavarësi, liri dhe shtet, por edhe përgjegjësi për zhvillim dhe përparim të Republikës sonë, për bashkëpunim dhe partneritet me Republikën e Shqipërisë, për qytetarët dhe për kombin mbarë.
Për fund, krahas falënderimit për ftesën, dua t’ju uroj suksese për ekspozitën edhe në Prishtinë, edhe në Tiranë. Jam i bindur se ajo do të zgjojë sa interes e reflektim, po ashtu edhe krenari.
Ju faleminderit!