Fjala e Kryeministrit Kurti në hapjen e edicionit të 8-të të Konferencës së Ambasadorëve

Prishtinë, 11 gusht 2025

E nderuara zëvendëskryeministre dhe ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz,
Të nderuar zëvendëskryeministra, Besnik Bislimi, për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, znj. Emilija Rexhepi, për Çështje të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave,
Të nderuar ministra dhe zëvendësministra, kolegë nga ekzekutivi në përgjithësi,
Të nderuar ambasadorë të Republikës së Kosovës dhe ju përfaqësues të tjerë në misionet tona diplomatike,
Të nderuar punonjës të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës në përgjithësi,
Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar të pranishëm,

Është nder dhe kënaqësi t’ju adresohem në këtë Konferencën e 8-të të Ambasadorëve të Republikës së Kosovës.

Mbajtja e kësaj konference vjetore, na kujton se Ministria e Punëve të Jashtme është i vetmi dikaster në qeverinë tonë që ka gjithsej 53 degë të ndryshme të shpërndara në gjashtë kontinente, përveç Antarktikut. Prej Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, deri te shtetet e largëta si, Australia, Japonia, Panamaja dhe Senegali, kemi 34 ambasada, 12 konsullata të përgjithshme, katër konsullata, dy misione të posaçme dhe një zyrë ndërlidhëse. Midis këtyre janë përfaqësi edhe të reja të hapura rishtas, në Poloni, Kolumbi, Malajzi, dhe pranë Selisë së Shenjtë në Vatikan.

Kjo shpërndarje e gjerë e përfaqësive, e cila është shpërndarja më e gjerë në historinë e Republikës sonë, përbën njëkohësisht edhe avantazh, edhe sfidë. Avantazhi është se i mundëson shtetit tonë që të ketë 53 zëra të fuqishëm nëpër botë, për të shtyrë përpara interesat më të rëndësishme të Kosovës dhe të qytetarëve të saj. Ndërkaq, sfida kryesore është se si të gjejmë një mënyrë, që të gjithë këta zëra tuaj të mos funksionojnë të pandërlidhur me njëri-tjetrin, por në harmoni të plotë, si një kor i vetëm, me ministrinë këtu në Prishtinë në rolin e dirigjentit.

Në këtë projekt të unifikuar, duhet të bashkëpunoni sa më ngushtë, jo vetëm me udhëheqjen e ministrisë, por edhe me njëri-tjetrin. Konferenca e kësaj jave ju jep një mundësi të veçantë që të takoheni dhe të bisedoni drejtpërsëdrejti për çështje strategjike teknike të politikës së jashtme. Mirëpo, urat e bashkëpunimit duhet të ndërtohen jo vetëm në këtë sallë, një herë në vit kur mbajmë konferencën, por vazhdimisht gjatë gjithë vitit në vijim. Shpresoj që kjo konferencë do t’ju shërbejë si një bazë për ta zgjeruar dhe thelluar bashkëpunimin, pasi të ktheheni nëpër misionet tuaja.

Siç e dini, kjo konferencë po mbahet në një moment veçanërisht sfidues për botën dhe rajonin tonë. Forcat e fashizmit dhe të ekstremizmit të djathtë po rriten gjithnjë e më shumë. Lufta ilegale e pajustifikueshme e Rusisë në Ukrainë ka hyrë në vitin e saj të katërt. Dhe, mbi të gjitha, përpjekjet e Serbisë për të minuar sovranitetin dhe integritetin territorial të shtetit tonë, vazhdojnë të paraqesin kërcënim ndaj sigurisë sonë kombëtare. Me miliona të shpenzuara për lobimin dhe komunikimin botëror, lufta propagandistike e Serbisë, në bashkëpunim të ngushtë me Federatën Ruse, po egërsohet nga dita në ditë, duke shpërndarë në mënyrë sistematike, në çdo skaj të botës, mesazhe të rrejshme kundër Republikës sonë.

Duke marrë parasysh këtë klimë sfiduese botërore dhe rajonale, veprimtaria juaj si përfaqësues të Kosovës, është jetike, si për mbrojtjen, ashtu edhe për afirmimin e vendit tonë. Roli që luani si zëri ynë jashtë vendit, pra nuk është vetëm për t’i luftuar drejtpërsëdrejti propagandat dezinformuese kundër Kosovës, por edhe për të promovuar sa më shumë sukseset e mëdha të shtetit dhe të qytetarëve tanë. Siç thuhet në anglisht: “The best defense is a good offense”. Pra mbrojtja më e mirë, është sulmi i mirë. Kjo vlen jo vetëm në sport, por edhe në politikën e jashtme.

Në këtë betejë, nuk kemi mundësi që ne ta mbyllim hendekun financiar me Serbinë, prej shumë miliona eurosh, në fushën e lobimit dhe të komunikimit në masë. Mirëpo, ajo që kemi ne dhe që kurrë nuk mund të ketë Serbia, është një kauzë e drejtë dhe një përkushtim i palëkundur për paqe dhe siguri në rajon dhe më tej. Kjo kauzë dhe ky përkushtim, bashkë me punën dhe pasionin tuaj si përfaqësues të Republikës sonë, nuk mund të blihen, me asnjë çmim dhe nuk mund ta kenë asnjëherë askund ndonjë zëvendësim.

Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues të tjerë,

Ne e dimë se detyra juaj nuk është aspak e lehtë. Duke qenë larg shtëpisë dhe, në disa raste, edhe larg familjes, sakrificat që keni bërë dhe vazhdoni të bëni për vendin tonë, për atdheun tuaj, janë të mëdha. Andaj, për të gjitha këto sakrifica, për çdo ditë pune të palodhshme, çdo takim me zyrtarë të shteteve pritëse, çdo mundim e shërbim të kryer për shtetasit e Kosovës të shpërndarë nëpër botë siç janë, ne jemi dhe do të jemi përherë, përzemërsisht mirënjohës.

Ju falemnderit.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors