E nderuar ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Arbërie Nagavci,
I nderuar zëvendësministër i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, z. Arsim Ademi,
I nderuari z. Mario Eckardt, përfaqësues i Organizatës “Fit for Jobs”,
I nderuar z. Ilir Seferi, drejtor i Fondacionit “Besa”
E nderuar znj. Hatixhe Ratkoceri, drejtore e Shkollës “7 shtatori”,
I nderuari z. Hysen Sogojeva, Kryetar i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës,
Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar të pranishëm,
Vetëbesimi dhe shkathtësia janë dy tiparet themelore të njeriut të suksesshëm sot. Besimi në forcat e vetanake është katalizatori i pazëvendësueshëm i progresit. Paralelisht, profesionalizmi është vula e padiskutueshme e integritetit që pritet nga çdo individ i plotësuar. Janë pikërisht këto tiparet që ushqen dhe kultivon arsimi dual, i cili e kombinon dijen teorike me punën praktike. Është optimale të mësosh duke bërë, duke punuar dhe në këtë kuptim nxënësit e kësaj kategorie janë përfitues të dyfishtë.
Në vitin 2022, kur e miratuam Strategjinë e re të Arsimit për periudhën 2022-2026, arsimin dhe aftësimin profesional, siç njihet me shkurtesën AAP, e vendosëm në mesin e pesë fushave prioritare që mbulojnë nivelet e arsimit në Kosovë. Më tej, e zbërthyem në Objektivin Strategjik numër 3, që ka të bëjë pikërisht me harmonizimin e AAP-së, me dinamikën e zhvillimeve teknologjike dhe tregut të punës, sepse edhe tregu i punës ndryshon edhe zhvillimet teknologjike avancojnë. Këtë e bëmë duke qenë të bindur për rëndësinë akute të këtij procesi, me përgjegjësinë më të lartë si drejtues të vendit në hap me nevojat e kohës.
Duhet thënë se rrugëtimi i arsimit dual në Kosovë është një prej rrëfimeve të suksesshme të Qeverisë e të vendit tonë. Me pilotimin e programit qysh në vitin 2022, i kemi rigjallëruar shkollat e mesme profesionale të cilat deri atëherë në përgjithësi ishin pothuajse në shuarje e sipër. Arsimi dual filloi me katër profile të cilat tani janë 12; filloi me 100 nxënës e tani janë mbi 1600; filloi në katër shkolla e tani janë 27; filloi në tre komuna ndërkaq tani është shtrirë në 15 komuna. Një progres i këtillë brenda tre vjetëve është i jashtëzakonshëm dhe i admirueshëm. Natyrisht që nuk mund të mos ketë sukses, kur mbështetet në modelin e suksesshëm gjerman, i dëshmuar tashmë për dekada me radhë dhe i sjellur te ne pikërisht nga mërgata jonë, nga bashkatdhetarët tanë.
Të dashur nxënës,
Jeni pjesë e gjeneratës së parë të diplomuar në arsimin dual, pjesë e punës së madhe të bërë nga ne si Qeveri, nga partnerët dhe bashkëpunëtorët vendas dhe ndërkombëtarë, nga mësimdhënësit e trajnuar dhe të gjitha palët e tjera relevante. Mbështetja nga prindërit ka qenë në çdo hap e mirëseardhur, falë inkurajimit të vazhdueshëm nga Qeveria dhe Ministria e Arsimit. Ndërkaq, bashkëpunimi me komunitetin e biznesit është dëshmuar një sukses pa precedent, çka pa dyshim që do të intensifikohet në vijim.
Me politika dhe veprime të tilla:
- Kemi krijuar mundësi zhvillimi profesional për ju të reja e të rinj,
- Kemi aftësuar punonjës për ju biznese të vendit tonë,
- Kemi forcuar lidhjet dhe bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë, si Qeveria e Gjermanisë dhe ajo e Luksemburgut,
- Kemi qenë pranë jush që nga hartimi i programeve e deri tek mbështetja dhe promovimi i ngjarjeve të rëndësishme; dhe
- Kemi dhënë shembullin se si aktivizohet cikli i plotë i këtyre nismave: që nga politikat e deri te realizimi përfundimtar.
Ja pse është krenari të ndjekim kurorëzimin e punës suaj pikërisht këto ditë: nga Qendra e Kompetencës në Skenderaj javën e kaluar, në Qendrën “Shtjefën Gjeçovi” në Prishtinë para tre ditësh, sot këtu me shkollën “7 shtatori”, e javën e ardhshme në Gjilan me shkollën “Sahit Baftiu”.
Urime diplomimi, dhe suksese të gjithëve në jetë e në profesion!