Prishtinë, 20 shkurt 2026
I nderuari z.Blerim Gashani, Ministër i Sportit dhe i Rininë,
I nderuari z. Ismet Krasniqi, president i Komitetit Olimpik të Kosovës,
I nderuari z. Iakovos Filippousis, sekretar i Përgjithshëm i Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare,
Të nderuar përfaqësues të lëvizjes olimpike dhe të komunitetit sportiv nga e gjithë bota,
Të nderuar përfaqësues të korit diplomatik këtu në Republikën e Kosovës,
Shumë të dashur sportistë, ish-sportistë, trajnerë, komunitet sportiv i Kosovës,
Të dashur miq dhe të pranishëm,
Komiteti Olimpik i Kosovës na ka bërë bashkë sonte për të nderuar arritjet e larta të sportit tonë për vitin 2025.
Sonte nderojmë përkushtimin, disiplinën dhe karakterin që sportistët tanë përfaqësojnë brenda dhe jashtë vendit. Çdo medalje e juaja, të dashur kampionë, është dëshmi e talentit të jashtëzakonshëm dhe e punës tuaj të pandalshme.
Andaj, më lejoni t’ju falënderoj të gjithëve për angazhimin tuaj të vazhdueshëm, për çdo stërvitje të hershme të mëngjesit që nuk keni munguar dhe për çdo garë ku keni ngritur flamurin e Kosovës dhe është dëgjuar himni i shtetit tonë me dinjitet. Faleminderit shumë!
Gjatë viteve të fundit, së bashku, kemi punuar që sporti të zhvillohet në sistem funksional dhe strukturë të qëndrueshme që mundëson zhvillim afatgjatë. Kemi rritur investimet kapitale dhe mbështetjen financiare, kemi forcuar kornizën ligjore dhe kemi zhvilluar programe konkrete që mbështesin sportistët si dhe kemi vendosur standarde të qeverisjes së mirë brenda sektorit të sportit.
Rruga që kemi nisur kërkon vazhdimësi dhe përkushtim edhe më të madh në vitet në vijim. Mbështetja për sportin do të vazhdojë, duke u shoqëruar me profesionalizëm, meritokraci dhe përgjegjësi të përbashkët. Investimi publik në sport është besim dhe përkushtim ndaj talentit tonë – dhe kjo kërkon menaxhim të kujdesshëm dhe rezultate konkrete.
Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030 janë projekt zhvillimor shtetëror që kërkojnë bashkëpunim dhe përkushtim nga të gjithë ne pa dallim. Përgatitja për to është angazhim serioz ndër-institucional dhe ndër-sektorial. Andaj, Qeveria do të vazhdojë të jetë partnere e fuqishme në këtë proces, si mbështetje e qëndrueshme për realizimin e suksesshëm të tyre.
Urime secilës e secilit prej laureatëve të vitit që lamë pas! Sukseset tuaja mos u ndalshin asnjëherë.
Faleminderit shumë dhe gëzuar të gjithëve!