Fjala e Kryeministrit Kurti në ceremoninë e prezantimit dhe fillimit të punimeve në projektin “Bulevardi i Qytetit” në Komunën e Gjilanit

Të nderuar qytetarë të Gjilanit,
I nderuari Kryetar i Komunës, Hyseni, i dashur Alban,

Sot është kënaqësi e madhe të jem bashkë me juve në këtë qytet të bukur e krenar për ta parë nga afër punën dhe përparimin që është bërë e po bëhet.

Gjilani është duke u shndërruar në një qendër zhvillimi e shembull i qeverisjes me vizion, punë e përkushtim, e mbi të gjitha, me duar të pastra.

Në këtë mandat janë sjellë mbi 73 milionë euro projekte, të cilat po e ndryshojnë pamjen dhe funksionimin e qytetit. Këto investime nuk janë vetëm shifra në tabela, por janë realitet i prekshëm, i ndjeshëm, i jetueshëm, i përjetueshëm, për të gjithë qytetarët e Komunës së Gjilanit.

E tre fushat kryesore, ku Gjilani ka bërë ndryshime të mëdha janë:

  1. Arsimi: mbi 3.3 milionë euro për Shkollën e Mjekësisë dhe mbi 3 milionë euro për ndërtimin e çerdheve të reja. Këto investime garantojnë të ardhme më të mirë për fëmijët dhe të rinjtë, e të gjithë atyre që u kthyen në banka shkollore sot ju uroj një fillim të mbarë të vitit të ri shkollor 2025/2026.
  2. Shëndetësia dhe mirëqenia sociale: mbi 2 milionë euro për pajisje moderne, ndërtesa të reja dhe shërbime cilësore. Qytetarët e Gjilanit sot marrin kujdes shëndetësor, më afër dhe më mirë.
  3. Bujqësia: mbi 2.8 milionë euro vetëm gjatë viteve 2022/2024, me dhjetëra përfitues që po fuqizohen për të prodhuar më shumë, më mirë dhe me perspektivë.

Por, këto tri fusha nuk janë e tëra. Projektet kapitale të cilat po zhvillohen, po i japin qytetit pamje tjetër. E këtu duhet përmendur:

  • Projekti FLOWS – 15 milionë euro për ujësjellësin;
  • Stadiumi i Qytetit – 13 milionë euro për sportin dhe rininë;
  • Banimi i përballueshëm dhe social – 4.5 milionë euro për strehim më të sigurt.

Pastaj, projektet sikurse, renovimi i palestër sportive, qëndrimi ditor për të moshuar, kuzhina humanitare, bujtina për studentë, kultQendra, e shumë projekte të tjera të mëdha.

Dhe sot, në këtë ditë të veçantë, po e nisim projektin më të madh kapital në historinë e Gjilanit, Bulevardi i Qytetit, me vlerë 18 milionë euro, që do ta ndryshojë tërësisht fytyrën dhe jetesën e qytetit.

Të dashur qytetarë,

Këto janë investime që nuk ndryshojnë vetëm qytetin, por ndryshojnë jetën tuaj të përditshme. Gjilani është sot një qytet i projekteve të mëdha, një qytet i cili nuk ndalet, një qytet që po bëhet shembull për gjithë Kosovën.

Jam krenar për punën që po bëhet këtu, krenar për kryetarin Alban Hyseni dhe ekipin e tij, krenar për qytetarët e Gjilanit, të cilët e mbështesin këtë rrugëtim.

Andaj, së bashku, le të vazhdojmë ta çojmë Gjilanin përpara, duke e bërë më të fortë, më modern dhe më të zhvilluar.

Ju faleminderit për mbështetjen e vazhdueshme, për kontributin e pamatshëm dhe ju uroj gjithë të mirat në vijim.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors