Pejë, 10 qershor 2025
Mirëdita të gjithëve,
Është kënaqësi e veçantë dhe nder i madh, që sot me 10 qershor, kur shënojmë ditën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, unë me kolegët e mi nga Qeveria, të vijmë nga Prizreni, këtu në Pejë, te Lidhja Besa-Besë dhe te Universiteti që mban emrin “Haxhi Zeka”.
Përgjatë angazhimit tim publik, jo vetëm si aktivist politik e kryetar subjekti, por edhe si deputet Kuvendi e Kryeministër Republike, disi përherë kam qenë më shumë se student, e më pak se profesor. Prandaj, edhe ka mundësi që kam një ndjeshmëri të posaçme për ditën e juaj sot, kur ju nuk do të jeni më studentë, pra do të jeni më shumë se studentë, por për dallim prej meje ndoshta jo pak prej juve edhe do të bëhen profesorë.
E nderuara ministre e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari,
I nderuari rektor, profesor Armand Krasniqi,
I nderuari ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, dhe zëvendësministër i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Taulant Kelmendi,
I nderuari komandant i Komandës Rajonale të KFOR-it, kolonel Francesco Errico,
Të nderuar anëtarë të Këshillit Drejtues,
Të nderuar drejtorë dhe asambleistë të Komunës së Pejës,
I nderuari staf akademik dhe staf administrativ,
Të dashur të diplomuar të Universitetit “Haxhi Zeka”,
Sot, është një ditë e veçantë, një moment triumfues dhe datë festive për ju, për familjet tuaja, për stafin akademik dhe administrativ të universitetit, dhe për të gjithë neve këtu bashkë që jemi për t’ua uruar diplomimin dhe sukseset e tjera të reja në vijim.
Diplomimi është ndjenjë krenarie që përzihet me mall për gjithçka që keni kaluar gjatë kësaj periudhe: miqësitë, sfidat, mësimet, jo vetëm ato në orët e ligjëratave e të provimeve, por edhe ato të jetës së këndshme studentore.
Sot, ju merrni diplomën tuaj universitare, duke fituar një pozicion të ri në shoqëri, pozicion ky që shoqërohet me detyra e përgjegjësi.
Universiteti “Haxhi Zeka”, në të cilin po diplomoheni, është një institucion që vazhdimisht po rritet e zhvillohet. Në tre vitet fundit, Universiteti “Haxhi Zeka”, ka zgjeruar programin e tij akademik, duke rritur numrin e programeve të akredituara nga 14 në 18, duke përfshirë programe bachelor dhe master, dhe një program doktorature që është në fazë të akreditimit. Kjo rritje tregon përkushtimin tonë të përbashkët për të ofruar një edukim cilësor që i përgjigjet kërkesave të shoqërisë dhe tregut të punës.
Përveç kësaj, universiteti ka themeluar pesë qendra të reja: Institutin për Shkencë dhe Arte, Zyrën për Kërkime Shkencore, Qendrën për Mbështetje të Biznesit, Qendrën për Ekselencë dhe Qendrën për Paqe dhe të Drejtat e Njeriut.
Këto qendra pasqyrojnë ofertën akademike, theksojnë rolin e universitetit në zhvillimin shoqëror dhe bëjnë promovimin e vlerave universale. Investimet në infrastrukturë gjithashtu janë një pjesë e rëndësishme e zhvillimit të universitetit tuaj.
Nga viti 2021 deri në 2025, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë ka bërë investime kapitale prej 7,7 milionë euro e ku përfshihet ndërtimi i ndërtesës së re për Fakultetin e Biznesit dhe Turizmit, Menaxhimit të Pritjes dhe Mjedisit, me një sipërfaqe prej 8,000 m², e në vlerë prej afro 4,3 milionë euro. Kjo ndërtesë, e cila do të përfundojë deri në fund të vitit 2025 në të cilin ndodhemi aktualisht, do të përmirësojë kushtet e mësimdhënies dhe do të sigurojë qasje më të mirë për të gjithë studentët, përfshirë edhe ata e ato me aftësi të kufizuara.
Po ashtu, në maj të këtij viti është nënshkruar marrëveshja për fillimin e ndërtimit të Inkubatorit të Biznesit, ku Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë do të investojë 3,2 milionë euro. Ndërtimi do të fillojë këtë vit dhe do të përfundojë në vitin 2027. Inkubatori i biznesit do të jetë infrastruktura e mundësive të reja për të rinjtë e Rajonit të Dukagjinit për krijimin e ndërmarrësive inovative të cilat e ndërlidhin biznesin me teknologjitë bashkëkohore, turizmin dhe artin.
Sukseset e universitetit tuaj nuk kufizohen vetëm te zhvillimi i brendshëm. Universiteti Haxhi Zeka ka përmirësuar renditjen e tij ndërkombëtare në platformën Webometrics, duke u renditur 2,118 pozicione, në periudhën 2019-2024, pra është ngritur për më shumë se 2000 pozicione në më pak se 5 vjet. Kjo rritje është rezultat i angazhimin të stafit akademik për të mbajtur standarde të larta të kërkimit dhe edukimit, duke shfrytëzuar edhe programet e mbështetjes së projekteve shkencore nga Ministria e Arsimit.
Si të diplomuar të këtij universiteti, ju tani jeni pjesë e një komuniteti që ka përgjegjësi të zhvillojë shoqërinë dhe vendin tonë, duke kontribuar në fushën e biznesit, turizmit, agrobiznesit, drejtësisë dhe të arteve. Ky është vetëm fillimi i një kapitulli të ri për secilin e secilën prej jush dhe uroj që këto rrugëtime t’i shoqëroni me pasion dhe me integritet.
Si dikush që ka qenë aktivist studentor, unë e di fuqinë që keni për të përmirësuar dhe avancuar vendin tonë, institucionet, qytetin tuaj, komunitetin dhe jetën e përditshme të njerëzve. Përdorni edukimin tuaj për të ndjekur ëndrrat tuaja, për të qëndruar besnikë ndaj vlerave tuaja, dhe për të kontribuar në një Kosovë të fortë e të zhvilluar, e në një komb shqiptar të fuqishëm.
Në emër të Qeverisë së Kosovës, ju uroj suksese të mëtejme në rrugëtimin tuaj. Kujtoni se diploma juaj është një bazë mbi të cilën mund të ndërtoni gjëra të mëdha, jo vetëm për veten, por edhe për familjet tuaja, komunitetet tuaja, dhe shtetin tonë.
E krejt në fund, më lejoni të ndaj me ju një fakt që nuk dihet shumë, porsi ju që keni studiuar në Pejë dhe tani po diplomoni në Pejë, unë kam studiuar në Prishtinë, por porsi ju edhe unë kam diplomuar në Pejë. Sepse profesori tek i cili kam diplomuar ka qenë në Pejë dhe për ta mbrojtur temën e diplomës unë kam ardhur nga Prishtina në Pejë, e ai profesor e ka emrin Edmond Beqiri.
Faleminderit profesor Edmond, nuk do të na kishte shkuar mendja asnjëherë në prillin e vitit 2003, që në qershorin e vitit 2025 do të jemi këtu bashkë, por sa mirë që është kështu.
Faleminderit për vëmendjen, e shumë urime e suksese të gjithë juve!