Fjala e Kryeministrit Kurti në ceremoninë e diplomimit të 18 oficerëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës

Prishtinë, 4 korrik 2025

E nderuara Presidente, Vjosa Osmani-Sadriu,
I nderuari Komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari,
Të nderuar zëvendësministra të Mbrojtjes, Shemsi Syla dhe Adnan Rexheplar,
I nderuar drejtor i Zyrës Këshilluese dhe Ndërlidhëse të NATO-s, gjeneralbrigade Lange,
Të nderuar gjeneralë, atashe,
Të nderuar përfaqësues të ambasadës amerikane, urime Dita e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës,
Të nderuar ushtarë, nënoficerë dhe oficerë,
Të nderuar kadetë të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe ju familjarë të dashur,

Jemi bashkë këtu për të kurorëzuar suksesin tuaj të treguar përgjatë katër viteve të studimit në Akademinë e Mbrojtjes. Një javë vërtet plot ngjarje ishte kjo. Të mërkurën e javës së kaluar u betuan 350 rekrutë të rinj, ndërkaq sot, radhëve të ushtrisë sonë po i shtohen dhe 18 oficerë.

U zotuam se ushtria do ta ketë përkrahjen e pakursyer të Qeverisë. E kemi ngritur buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes në 208 milionë euro, e 208 milionë euro do të thotë 2% të Bruto Produktit Vendor, kriter ky që deri më tani është plotësuar nga vetëm shtatë shtete anëtare të NATO-s.

Kemi mbi 300 milionë euro investime në këto katër vitet e fundit dhe mbi 2700 ushtarë e oficerë shtesë të rinj të rekrutuar – pra, 123% më shumë ushtarë se në vitin 2021. Ushtria jonë po ecën me hapa të shpejtë drejt zhvillimit, me kapacitete të plota si ushtri profesionale, me ushtarakë të përgatitur e të pathyeshëm, për sovranitet shtetëror e integritet territorial, për paqe për mbarë shoqërinë, për siguri për të gjithë qytetarët.

Ashtu si shqiponja sypatrembur që qëndisur si emblemë e keni në krahë, ushtarët tanë janë të gatshëm kurdo dhe kudo të garantojnë sigurinë e qytetarëve dhe të mbrojnë Republikën e Kosovës.

Teksa qëndroj këtu para jush, dua të shpreh krenarinë që ndjej për Forcën e Sigurisë së Kosovës, për secilën e secilin prej juve këtu. Pa dyshim, suksesi juaj sot është rezultat i një pune të madhe ekipore, investimit ministror në trajnimin e shkollimin e ushtarakëve dhe furnizimin me armatime. Edhe më shumë se kaq është investim i juaj shpirtëror e intelektual, dhe mbështetje pa rezervë e familjeve tuaja. Andaj më lejoni të ju falënderoj e t’ju shpreh mirënjohje nga zemra edhe juve, prindër e familjarë të nderuar.

Kadetë të dashur,

Nga sot ju filloni detyrën fisnike, por po aq edhe sfiduese. Ju jeni shtylla mbi të cilën do të vazhdon ndërtimi strukturor e profesional i Forcës së Sigurisë së Kosovës, dhe që do ta shoqërojë etapën e ushtrisë sonë drejt shërbimit në Aleancën Veriatlantike të shteteve demokratike, në aleancën e madhe të NATO-s.

Kosova në aspektin gjeografik, ideor, vleror e politik është Evropë, andaj pashmangshëm jo vetëm i nevojshëm është anëtarësimi në familjen evropiane demokratike së cilës i takojmë.

Me dëshmorët e kombit në zemër dhe mësimet profesionale në mendje, kadetë, urime diplomimi.

Paçi shëndet e suksese, çdoherë e çdo kund!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors