Fjala e Kryeministrit Kurti në 75-vjetorin e Themelimit të Arkivit të Kosovës

Prishtinë, 23 mars 2026

E nderuara ministre e Kulturës dhe Turizmit, znj. Saranda Bogujevci,
I nderuari ministër i Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti,
I nderuar Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, U.D. i Drejtorit të Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, z. Bislim Bislimi,
Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues të korit diplomatik në Kosovë,
Të nderuar drejtues e përfaqësues të Arkivave Shtetërore të Republikës së Shqipërisë, të Republikës së Maqedonisë së Veriut, të Republikës së Malit të Zi, të Republikës së Turqisë, të Republikës së Kroacisë, të Republikës së Bullgarisë dhe të Hungarisë,
Të nderuar punonjës e udhëheqës dhe ish udhëheqës të Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës,
Kolegë nga Qeveria dhe institucionet e shtetit tonë,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,

Sot shënojmë një jubile të rëndësishëm 75-vjetorin e Themelimit të Agjencisë Shtetërore të Arkivave. Ky përvjetor nuk është thjesht një shënjim i kohës, por dëshmi e një rrugëtimi të gjatë me përkushtim për ruajtjen e kujtesës sonë kolektive.

Për shtatë dekada e gjysmë arkivat kanë qenë më shumë se një institucion, ato kanë qenë mbrojtës të së vërtetës historike dhe të ruajtjes së identitetit tonë kombëtar e shtetëror.

Në fondet e tyre ruhen dokumente të cilat dëshmojnë historinë, sfidat dhe arritjet tona të përbashkëta si shoqëri.

Në këtë ditë të shënuar dua të shpreh mirënjohjen time për të gjithë ata që ndër vite kanë kontribuar në ndërtimin dhe zhvillimin e këtij institucioni, nga arkivistët e përkushtuar te studiuesit dhe punonjësit që me profesionalizëm kanë ruajtur çdo dokument si një pasuri të pazëvendësueshme.

Një falënderim i veçantë edhe për organizatorët e këtij jubileu, të cilët kanë bërë të mundur që sot të reflektojmë së bashku mbi këtë rrugëtim të rëndësishëm.

Në vitet e fundit Republika e Kosovës ka shënuar përparime të dukshme në zhvillimin e sistemit arkivor. Është konsoliduar baza ligjore me miratimin e Ligjit të ri për Arkivat dhe aktet nënligjore përkatëse. Ndërkaq janë hartuar edhe politika strategjike që përcaktojnë qartë drejtimin afatgjatë të këtij sektori.

Paralelisht, investime të qëndrueshme kanë përmirësuar ndjeshëm kushtet e punës dhe të ruajtjes së materialit arkivor në Arkivin Qendror të Kosovës në Prishtinë, si dhe në qytetet e tjera të vendit tonë.

Një zhvillim i veçantë është digjitalizimi masiv i materialit arkivor, i cili ka mundësuar ruajtje më të sigurt dhe qasje më të lehtë për qytetarët dhe studiuesit.

Në të njëjtën kohë lansimi i sistemit elektronik për menaxhimin e materialit arkivor ka shënuar një hap të rëndësishëm drejt modernizimit dhe rritjes së efikasitetit institucional.

Këto përpjekje janë shoqëruar edhe me forcimin e kapaciteteve profesionale dhe riorganizimin institucional, duke e bërë sistemin arkivor edhe më funksional e njëkohësisht edhe më të qëndrueshëm.

Arkivat siç e dimë të gjithë janë gardianët e trashëgimisë dokumentare. Ato janë kujtesa e shkruar e shtetit dhe e shoqërisë sonë, një pasuri që duhet ruajtur, kultivuar dhe transmetuar me përgjegjësi të plotë te brezat që vijnë pas nesh.

Prandaj, gjersa festojmë këtë 75-vjetor, riafirmojmë dedikimin tonë për ta mbështetur edhe më tej këtë institucion jetik, meqenëse investimi në arkiva është investim në të vërtetë faktike, në kujtesën historike dhe qëndrueshmërinë shtetërore.

Republika e Kosovës mbetet e vendosur që vit pas viti të rrisë mbështetjen për trashëgiminë dokumentare si një nga shtyllat kryesore të zhvillimit tonë kulturor dhe arsimor.

Ky angazhim do të thellohet përmes investimeve të mëtejshme dhe avancimit të qasjes në dije për çdo qytetar pa dallim.

Mbështetja e Qeverisë sonë jo vetëm që do të vazhdojë, por edhe do të rritet, sepse kultura, trashëgimia dhe arkivat janë themelet mbi të cilat qëndron identiteti dhe soliditeti ynë si shtet, si shoqëri demokratike dhe si komb evropian.

Ju falënderoj për rolin dhe kontributin tuaj dhe ju uroj një përvjetor të denjë e frymëzues edhe për shumë suksese të tjera të reja në të ardhmen.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors