Fjala e kryeministrit Isa Mustafa në ceremoninë e përurimit të terminalit të ri doganor mes Kosovës dhe Shqipërisë


Image


Image


Image


Image

Prishtinë, 16 shkurt 2015

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, së bashku me kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, kanë përuruar në pikëkalimin doganor në Vermicë terminalin e ri doganor në mes të dy vendeve.

Gjeni të plotë fjalën e kryeministrit Isa Mustafa në këtë ceremoni:

I nderuari Kryeministër i Shqipërisë, z.Edi Rama
Të nderuar anëtarë të Kabinetit Qeveritar të Shqipërisë
Të nderuar anëtarë të Kabinetit Qeveritar të Kosovës
Ju përshëndes shumë

Është një kënaqësi e veçantë për mua që sot jemi këtu së bashku të inaugurojmë një marrëveshje tonë të përbashkët e cila është arritur në takimin e përbashkët të dy qeverive në Prizren. Shpresojmë se këso marrëveshje do të vazhdojmë të inaugurojmë edhe më tutje, si rezultat i bashkëpunimit tonë, si rezultat i lidhjeve tona shumë të forta, të cilat i kemi ndërtuar dhe do t’i ndërtojmë edhe në të ardhmen.

Bashkëpunimi ynë ekonomik, i përcjellë edhe me bashkëpunimin në fusha tjera, do të jetë shprehje e lidhjes tonë, shprehje e mosekzistimit të kufijve në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, dhe shprehje e synimeve tona për t’u integruar në Bashkimin Evropian dhe të gjitha interesat tona të përbashkëta t’i arrijmë si pjesë e familjes së madhe evropiane.

Për mua është kënaqësi që sot këtu, po inaugurojmë këtë tranzit, i cili do të mundësoj që të përfitojnë qytetarët e të dy vendeve, të përfitojnë bizneset në rend të parë, të përfitoj poashtu edhe efiçienca në fushën e tatimeve dhe në fushën e doganave, sepse do të bëhet shumë efiçiente kjo procedurë e doganimit, përkatësisht zhdoganimit, do të bëhet poashtu edhe një rezultat më i madh sa i përket luftimit të evazionit fiskal dhe përfitimit të procedurave të përgjithshme të efikasitetit në fushën e politikave fiskale, të cilat jemi shumë të interesuar që t’i bëjmë bashkërisht.

U konstatua edhe nga dy drejtorët e doganave se qëllimi i kësaj nuk është vetëm të shkurtojmë procedurat kohore të zhdoganimit, por qëllimi është edhe të ulim koston nga e cila do të përfitojnë bizneset në mënyrë të drejtpërdrejt, do të përfitojnë edhe qytetarët, sepse do të realizojnë mallra dhe do t’i konsumojnë ato me çmime më të ulëta.

Ne jemi të interesuar që të bashkëpunojmë edhe më tutje, jemi të interesuar që këtë fushë të doganave ta përmirësojmë në mënyrë që të përfitojnë qytetarët në radhë të parë, dhe në mënyrë që bizneset në të dy anët të kenë favore që iu takojnë atyre, por këto favore të shkojnë edhe deri tek qytetari i fundit në konsumimin e të mirave që ne do t’i realizojmë si rezultat i këmbimeve të përbashkëta.

Faleminderit shumë në ardhjen tuaj. Ju uroj suksese të dy administratave, shërbimeve-drejtorive të doganave, varësisht si i kemi të definuar në të dy vendet tona, por mendoj se së shpejti do t’i titullojmë në mënyrë të njëjtë.

Faleminderit shumë!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors