Podujevë, 13 shtator 2025
Të nderuara familje të heronjve Skënder Monolli dhe Besim Latifi,
I nderuar Kryetar i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi,
Të nderuara familje të dëshmorëve, invalidë e veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,
Të nderuar profesorë, Hakif Bajrami dhe Mazllum Baraliu,
I nderuari z. Adnan Merovci,
Zonja dhe zotërinj,
Motra dhe vëllezër,
Të nderuar të pranishëm,
Jemi mbledhur këtu, në Pollatë, për të nderuar dy bijë të shquar të këtij vendi, Skënder Monollin dhe Besim Latifin, të cilët para 35 vitesh ranë dëshmorë, duke vulosur me gjakun e tyre rrugën e lirisë sonë.
Ata ishin të rinj, por me vizion e guxim të madh. Ata ishin të arsimuar dhe të vetëdijshëm për padrejtësinë e madhe që përjetonte populli ynë. Skënderi dhe Besimi nuk u pajtuan kurrë me robërinë, prandaj vendosën që jetën e tyre ta flijojnë për çlirimin e Kosovës.
Rënia e tyre në vitin 1990 u bë frymëzim për shumë të rinj e të reja, të cilët u bashkuan në rrugën e rezistencës e më vonë në radhët e UÇK-së. Ata ishin pararendës të Ushtrisë sonë Çlirimtare, sinjal i qartë se gjenerata e re nuk do ta pranonte asnjëherë shtypjen dhe dhunën e regjimit serb.
Sot, 35 vjet pas rënies së tyre, Republika e Kosovës është e lirë dhe e pavarur. Ne jemi borxhli ndaj tyre, ndaj familjeve të tyre dhe ndaj gjithë dëshmorëve të kombit. Borxhi ynë më i madh është që të qeverisim me drejtësi, me përgjegjësi e me kujdes ndaj qytetarëve, duke e bërë vendin tonë më të zhvilluar, më të barabartë dhe më të fortë.
Të nderuara familje Monolli e Latifi,
Ju shpreh mirënjohjen më të thellë në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Sakrifica e bijve tuaj është themel i shtetit tonë që e gëzojmë. Ju keni dhënë më të shtrenjtën, jetën e fëmijëve tuaj, që ne sot të jemi të lirë.
Skënderi ishte veçse 33-vjeçar, kurse Besimi 22-vjeçar. E tash jemi 35 vjet larg rënies së tyre heroike, por ajo është e freskët për shkak se dëshmorët e kombit janë gjithmonë aktual për popullin, shtetin dhe shoqërinë mbarë. Së bashku, ne e kemi për detyrë ta ruajmë kujtimin për këta heronj vetëmohues dhe ta përcjellim tek gjeneratat e reja, e të tjera që do të vijnë pas nesh. Sepse liria nuk është dhuratë, por amanet.
Lavdi e përjetshme Skënder Monollit dhe Besim Latifit!
Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit shqiptar!