Fjala e Kryeministri Kurti në ceremoninë hapëse të Lojërave Tradicionale të Rugovës “Rugova 2025”

Bogë, Rugovë, 3 gusht 2025

Të dashur pjesëmarrës, rugovas, vëllezër e motra nga mërgata, miq të kulturës, të sportit e të trashëgimisë sonë,

Është një nder i veçantë për mua që sot, në këto bjeshkë të lashta që flasin me gurë e me borë, të jem mes jush për të festuar bashkë Lojërat Tradicionale të Rugovës. Kjo ngjarje nuk është vetëm një manifestim kulturor, është një rit i gjallë i identitetit tonë kolektiv, një dëshmi se trashëgimia jonë nuk është thjesht një kujtim i së kaluarës, por një forcë që na mban të lidhur me rrënjët tona edhe në të tashmen edhe të ardhmen.

Para disa viteve kam qenë te Lojërat Tradicionale në Vuthaj, dhe jam shumë i kënaqur që tash ndodhem këtu në Bogë të Rugovës.

E përshëndes ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniq, kryetarin e Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, zëvendësministrin e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Taulant Kelmendi, drejtorët dhe asamblistët e komunës së Pejës, sidomos këshillin organizativ të Lojërave Tradicionale që na ka bërë bashkë edhe në verë, sepse e di që shumë vijnë për skijim në dimër këtu, por sot me gjelbërimin në tokë, me këtë kaltërsi në qiell, me dritën e ngrohtë prej dielli, e me ajrin e pastër të Bjeshkëve të Rugovës, padyshim që të gjithëve bashkë po na shtohen rruazat e kuqe të gjakut e me siguri edhe entuziazmi që të bëhemi bashkë, të qëndrojmë bashkë dhe të korrim bashkë sa më shumë suksese për brezin tonë e për brezat e ardhshëm.

E në këto lojëra, ku shfaqet forca, shkathtësia dhe mençuria, po bashkohen pikërisht gjeneratat për të përcjellë jo vetëm vlerat e fisit të Kelmendit dhe të komunitetit të Rugovës, por edhe frymën e bashkësisë që e ka ruajtur këtë traditë për dekada. Në këto fusha e male, nuk garojnë vetëm individët, por ringjallen zakonet, legjendat dhe forca shpirtërore e maleve tona të larta.

Ky manifestim është edhe një ftesë për ne si shtet dhe si shoqëri që të mos e shohim trashëgiminë vetëm si diçka që e ruajmë nëpër muzetë e shtetit, por si diçka që jetohet, që zhvillohet, që na bashkon. Lojërat si këto janë pasuri kombëtare që i japin shpirt të gjallë territorit dhe kuptim të thellë përkatësisë.

Sot, në Bogët e Sali Ramës e Tahir Colit, por edhe në këto bjeshkë të poezive të Azem Shkrelit, ne nuk e ruajmë vetëm kulturën tonë, ne e ripërtërijmë atë. Dhe kjo është falë përkushtimit të komunitetit dhe të të gjithë atyre që besojnë në vlerat tona autoktone. Falë jush, Rugova është jo vetëm një nga bukuritë më të rralla natyrore të Kosovës, por edhe një vatër e pashuar e kulturës shpirtërore shqiptare.

Kjo natyrë e jashtëzakonshme, padyshim që i ka edhe njerëzit e jashtëzakonshëm. Pra, edhe kulturën të jashtëzakonshme edhe historinë të jashtëzakonshme.

E si Qeveri e Republikës së Kosovës, dua t’ju njoftoj që para dy ditëve, pardje, e kemi filluar studimin e fizibilitetit për ta rindërtuar rrugën Pejë-Kuqishtë. Rindërtimi i rrugës Pejë-Kuqishtë varësisht nga studimi i fizibilitetit do të jetë në vlerë të gjithmbarshme diku prej 15 milionë euro, ndërkaq sanimi i kësaj rruge ka filluar para tre muajve dhe do të kushtojë rreth 1.7 milionë euro. Ne si Qeveri e Republikës së Kosovës jemi jo vetëm të gatshëm por edhe të interesuar që të investojmë për shkak të vlerës së madhe natyrore, kulturore, shpirtërore, kombëtare, shtetërore që ka Bjeshka e Rugovës, jo vetëm për banorët e kësaj ane.

E sërish në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ju falënderoj të gjithëve, secilën e secilin, për këtë mikpritje të përzemërt, për organizimin dhe për dashurinë që i tregoni kësaj toke dhe kësaj tradite. Rugova është pasuri kombëtare, dhe do të ngelet gjithmonë një pikë referimi për forcën, dinjitetin dhe qëndrueshmërinë tonë si popull. Le të fitojnë më të mirët e ju dëshiroj një ditë të këndshme e të bukur, dhe të gjithë juve e familjeve tuaja shëndet e suksese në jetë ngado që shkoni, kudo që jetoni e çkado që bëni.

Faleminderit!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors