Fillojnë punimet në rinovimin e objektit të Depos Qendrore të Barnave dhe vendoset gurthemeli për ndërtimin e aneksit të Depos, investim 1.77 milionë euro

Fushë Kosovë, 24 qershor 2025

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti së bashku me ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia, morën pjesë në ceremoninë e nisjes së punimeve për rinovimin e tërësishëm të objektit ku do të funksionalizohet Depoja Qendrore e Barnave dhe vendosën gurthemelin për ndërtimin e aneksit të këtij objekti – investim ky i Ministrisë së Shëndetësisë në vlerë prej 1.77 milionë euro. Hapësira e gjithmbarshme e Depos Qendrore do të jetë në 2524 metra katrorë, duke përfshirë këtu aneksin prej 305 metrave katrorë dhe hapësirën prej 519 metrave katrorë për administratë. Punimet pritet të përfundojnë brenda 180 ditëve apo gjashtë muajve.

“Që nga privatizimi i Farmed-it në vitin 2005, barnat në Kosovë janë mbajtur, se nuk po mund të them janë ruajtur, në ambiente të pasigurta, të papërshtatshme, me lagështi e rrjedhje uji. Ky objekt në Fushë Kosovë është pranë Komisionit Qendror Zgjedhor dhe këtu do të ruhen barnat sipas standardeve më të larta ndërkombëtare”, tha kryeministri Kurti.

Ai uroi që gjithçka të shkojë mbarë e mirë dhe që operatori ekonomik t’i përfundojë punimet me efiçiencë edhe me cilësi.

Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se ky projekt është një ndër projektet më të rëndësishme në fushën e shëndetësinë, pasi ka të bëjë me ruajtjen e barnave që domosdoshmërish kanë ndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë e shërbimeve për pacientët edhe për qytetarët. Ai shtoi se Depoja do jetë moderne, dhe përveç kushteve teknike që do t’i plotësojë, do të ketë të instaluara edhe sisteme të ndryshme digjitale që do të mundësojnë menaxhimin dhe shpërndarjen sa më të mirë të barnave jo vetëm në spitalet tona, por në të gjitha komunat, në Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare e Qendrat e Mjekësisë Familjare në mbarë vendin.

Prononcimi i plotë i kryeministrit Kurti:

Bashkë me ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia, jemi këtu në Fushë Kosovë, për ta bërë përurimin e fillimit të punimeve për Depon e re të Barnave në Republikën e Kosovës.

Që nga privatizimi i “Farmed-it’’ në vitin 2005, barnat në Kosovë janë mbajtur, se nuk po mund të them janë ruajtur, në ambiente të pasigurta, të papërshtatshme, me lagështi e rrjedhje uji.

Ky objekt në Fushë Kosovë është pranë Komisionit Qendror Zgjedhor dhe gjithashtu këtu do të ruhen barnat sipas standardeve më të larta ndërkombëtare.

Hapësira, e cila shihet që është nën kulm e me mure, por ende e parregulluar përbrenda, ka një sipërfaqe të gjithmbarshme prej 2080 metra katrorë dhe kësaj do t’i shtohet edhe ky aneksi prej 305 metra katrorë, me ç ‘rast, në përgjithësi 519 metra katrorë do të jenë hapësira administrative, ndërkaq tjetra do t’i përkushtohet ruajtjes më të mirë të mundshme të barnave në vendin tonë që paraqesin interes jetik publik.

Gjithsej punimet do të zgjasin gjashtë muaj, pra rreth 180 ditë, që do të thotë se aty te Viti i Ri do ta bëjmë edhe përurimin e objektit të përfunduar, ndërkaq kostoja e gjithmbarshme është 1 milion e 770 mijë euro, përafërsisht.

Uroj që gjithçka të shkojë mbarë e mirë dhe që operatori ekonomik t’i përfundojë punimet ashtu siç jemi marrë vesh, edhe me efiçiencë edhe me cilësi.

Faleminderit ministër shumë, dhe urime të gjithë qytetarëve kjo e arritur shumë e madhe për vendin tonë e në veçanti për shëndetësinë, për mjekësinë te ne.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors