Deklaratë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me rastin e përvjetorit parë të prezantimit të opinionit nga ana e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës

Prishtinë, 22 korrik 2011

Me rastin e përvjetorit të parë të prezantimit të opinionit nga ana e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi i është drejtuar me një deklaratë opinionit publik. Në deklaratë thuhet:

Në përvjetorin e parë të marrjes së vendimit nga ana e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, duke përkujtuar këtë ngjarje të madhe, shpreh përgëzimet më të sinqerta për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës dhe për miqtë tanë ndërkombëtarë, që u vunë në mbështetje të së drejtës legjitime të popullit të Kosovës për liri, pavarësi dhe demokraci.

Prezentimi i opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që konfirmon ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës shënon një nga momentet më të rëndësishme të historisë më të re të Kosovës në rrugën tonë drejt zhvillimit dhe integrimit.

Ky prezentim i opinionit të GJND-së ishte shumë i qartë, në përputhshmëri të plotë me vullnetin e qytetarëve të Kosovës dhe në përputhshmëri të plotë me vendimin e institucioneve tona për të shpallur Kosovën shtet të pavarur dhe sovran.

Opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë ishte përgjigja më e mirë që i është dhënë botës për të drejtën e Kosovës si shtet legjitim dhe legal, si shtet i konsoliduar dhe funksional.

Përvjetori i parë i shpalljes së opinionit të GJND-së për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës, e gjen Republikën e Kosovës me institucione më të konsoliduara, me forcimin e frymës së qeverisjes së mirë, transparente dhe efikas, të sundimit të rendit dhe ligjit, zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe respektimit afirmativ të të drejtave të komuniteteve.

Në këtë përvjetor, institucionet e Republikës së Kosovës kanë vënë prioritet të prioriteteve plotësimin e të gjitha standardeve dhe kritereve të integrimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Agjenda e Kosovës është agjenda evropiane.

Gjithashtu, procesi i njohjeve të reja për shtetin e Kosovës është në rrugë të mbarë, si rezultat i përkushtimit institucional dhe qytetar të Kosovës për funksionimin demokratik të shtetit dhe në të njejtën kohë i konfirmimit të ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë nga ana e GJND-së.

Opinioni i GJND-së ishte një sukses që i dedikohet popullit të Kosovës dhe gjithë atyre njerëzve që kanë punuar dhe janë sakrifikuar në periudha të ndryshme për shtetin e Kosovës. 

Me rastin e shënimit të kësaj ngjarje të madhe, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, kam nderin dhe përgjegjësinë shtetërore të shpreh falënderimin dhe mirënjohjen më të thellë për të gjithë miqtë tanë ndërkombëtarë, parasëgjithash për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shtetet e Bashkimit Evropian dhe për të gjitha vendet e botës demokratike, që na ndihmuan në rrugën tonë të lirisë, të pavarësisë dhe të zhvillimit. 

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors