Certifikohet gjenerata e parë e nxënësve të Shkollës së Mesme të Lartë Profesionale “7 shtatori” në profilet Kuzhinier dhe Asistent i mikpritjes hoteliere

Prishtinë, 30 maj 2025

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministren në detyrë të Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe zëvendësministrin Arsim Ademi, sot mori pjesë në ceremoninë e certifikimit të nxënësve të Shkollës së Mesme të Lartë Profesionale “7 shtatori” në Prishtinë, në profilet Kuzhinier dhe Asistent i mikpritjes hoteliere, në kuadër të arsimit dual.

Fjalën e tij, kryeministri Kurti e filloi duke vlerësuar profesionalizmin si vulë e padiskutueshme e integritetit që pritet nga çdo individ i plotësuar, tipare të cilat i ushqen dhe kultivon arsimi dual i cili e kombinon dijen teorike me punën praktike.

“Në vitin 2022, kur e miratuam Strategjinë e re të Arsimit për periudhën 2022-2026, arsimin dhe aftësimin profesional, siç njihet me shkurtesën “AAP”, e vendosëm në mesin e pesë fushave prioritare që mbulojnë nivelet e arsimit në Kosovë. Më tej, e zbërthyem në Objektivin Strategjik Nr. 3, që ka të bëjë pikërisht me harmonizimin e AAP-së, me dinamikën e zhvillimeve teknologjike dhe tregut të punës, sepse edhe tregu i punës ndryshon edhe zhvillimet teknologjike avancojnë”, u shpreh ai duke treguar se kjo ka ndodhur si rezultat i bindjes për rëndësinë akute të këtij procesi, me përgjegjësinë më të lartë si drejtues të vendit në hap me nevojat e kohës.

Rrugëtimi i arsimit dual në Kosovë, u konsiderua nga kryeministri një prej rrëfimeve të suksesit të Qeverisë dhe të vendit, ku me pilotimin e programit qysh në vitin 2022, u rigjallëruan shkollat e mesme profesionale të cilat deri atëherë kishin qenë në shuarje e sipër. Arsimi dual filloi me katër profile të cilat tani janë 12; filloi me 100 nxënës e tani janë mbi 1600; filloi në katër shkolla e tani janë 27; filloi në tre komuna ndërkaq tani është shtrirë në 15 komuna.

Tutje, kryeministri shtoi se me politika të tilla, Qeveria së bashku me partnerët dhe bashkëpunëtorët vendas e ndërkombëtarë, kanë arritur të krijojnë mundësi zhvillimi profesional për të rinjtë e të reja, të aftësojnë punonjës për bizneset e vendit tonë, të forcojnë lidhjet dhe bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë, si Qeveria e Gjermanisë dhe ajo e Luksemburgut, të ofrojnë mbështetje që nga hartimi i programeve e deri tek mbështetja dhe promovimi i ngjarjeve të rëndësishme, dhe mbi të gjitha të ofrojnë shembullin se si aktivizohet cikli i plotë i këtyre nismave, që nga politikat e deri tek realizimi përfundimtar.

“Mbështetja nga prindërit ka qenë në çdo hap e mirëseardhur, falë inkurajimit të vazhdueshëm nga Qeveria dhe Ministria e Arsimit. Ndërkaq, bashkëpunimi me komunitetin e biznesit është dëshmuar një sukses pa precedent, çka pa dyshim që do të intensifikohet në vijim”, tha tutje kryeministri Kurti.

Nxënësve të diplomuar kryeministri i uroi suksese dhe shprehu krenarinë e tij për ndjekjen e kurorëzimit të punës së tyre, që nga Qendra e Kompetencës në Skënderaj javën e kaluar, në Qendrën “Shtjefën Gjeçovi” në Prishtinë para tre ditësh, sot me shkollën “7 shtatori”, e javën e ardhshme në Gjilan me shkollën “Sahit Baftiu”.

Ndërkaq, ministrja Arbërie Nagavci u shpreh se ky është një moment i jashtëzakonshëm, i cili jo vetëm që shënon diplomimin në këto dy profile të maturantëve të shkollës “7 Shtatori”, por shënon edhe kurorëzimin e përbashkët, i cili pas tre vitesh ka dhënë rezultate të suksesshme. Ajo më tej, falënderoi të gjithë ata që janë angazhuar dhe përkushtuar për të arritur deri tek këto rezultate, duke tejkaluar sfida të shumta të cilat nuk kanë qenë të lehta dhe të pakta. Por, siç tha ministrja Nagavci, me angazhimin e përbashkët, sot pas tre vjetëve po shënohet përfundimi i suksesshëm i gjeneratës së parë në kuadër të mësimit dual në katër profile, në shkolla të ndryshme.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

E nderuar ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Arbërie Nagavci,
I nderuar zëvendësministër i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, z. Arsim Ademi,
I nderuari z. Mario Eckardt, përfaqësues i Organizatës “Fit for Jobs”,
I nderuar z. Ilir Seferi, drejtor i  Fondacionit “Besa”
E nderuar znj. Hatixhe Ratkoceri, drejtore e Shkollës “7 shtatori”,
I nderuari z. Hysen Sogojeva, Kryetar i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës,
Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar të pranishëm,

Vetëbesimi dhe shkathtësia janë dy tiparet themelore të njeriut të suksesshëm sot. Besimi në forcat e vetanake është katalizatori i pazëvendësueshëm i progresit. Paralelisht, profesionalizmi është vula e padiskutueshme e integritetit që pritet nga çdo individ i plotësuar. Janë pikërisht këto tiparet që ushqen dhe kultivon arsimi dual, i cili e kombinon dijen teorike me punën praktike. Është optimale të mësosh duke bërë, duke punuar dhe në këtë kuptim nxënësit e kësaj kategorie janë përfitues të dyfishtë.

Në vitin 2022, kur e miratuam Strategjinë e re të Arsimit për periudhën 2022-2026, arsimin dhe aftësimin profesional, siç njihet me shkurtesën AAP, e vendosëm në mesin e pesë fushave prioritare që mbulojnë nivelet e arsimit në Kosovë. Më tej, e zbërthyem në Objektivin Strategjik numër 3, që ka të bëjë pikërisht me harmonizimin e AAP-së, me dinamikën e zhvillimeve teknologjike dhe tregut të punës, sepse edhe tregu i punës ndryshon edhe zhvillimet teknologjike avancojnë. Këtë e bëmë duke qenë të bindur për rëndësinë akute të këtij procesi, me përgjegjësinë më të lartë si drejtues të vendit në hap me nevojat e kohës.

Duhet thënë se rrugëtimi i arsimit dual në Kosovë është një prej rrëfimeve të suksesshme të Qeverisë e të vendit tonë. Me pilotimin e programit qysh në vitin 2022, i kemi rigjallëruar shkollat e mesme profesionale të cilat deri atëherë në përgjithësi ishin pothuajse në shuarje e sipër. Arsimi dual filloi me katër profile të cilat tani janë 12; filloi me 100 nxënës e tani janë mbi 1600; filloi në katër shkolla e tani janë 27; filloi në tre komuna ndërkaq tani është shtrirë në 15 komuna. Një progres i këtillë brenda tre vjetëve është i jashtëzakonshëm dhe i admirueshëm. Natyrisht që nuk mund të mos ketë sukses, kur mbështetet në modelin e suksesshëm gjerman, i dëshmuar tashmë për dekada me radhë dhe i sjellur te ne pikërisht nga mërgata jonë, nga bashkatdhetarët tanë.

Të dashur nxënës,

Jeni pjesë e gjeneratës së parë të diplomuar në arsimin dual, pjesë e punës së madhe të bërë nga ne si Qeveri, nga partnerët dhe bashkëpunëtorët vendas dhe ndërkombëtarë, nga mësimdhënësit e trajnuar dhe të gjitha palët e tjera relevante. Mbështetja nga prindërit ka qenë në çdo hap e mirëseardhur, falë inkurajimit të vazhdueshëm nga Qeveria dhe Ministria e Arsimit. Ndërkaq, bashkëpunimi me komunitetin e biznesit është dëshmuar një sukses pa precedent, çka pa dyshim që do të intensifikohet në vijim.

Me politika dhe veprime të tilla: 

• Kemi krijuar mundësi zhvillimi profesional për ju të reja e të rinj,
• Kemi aftësuar punonjës për ju biznese të vendit tonë,
• Kemi forcuar lidhjet dhe bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë, si Qeveria e Gjermanisë dhe ajo e Luksemburgut,
• Kemi qenë pranë jush që nga hartimi i programeve e deri tek mbështetja dhe promovimi i ngjarjeve të rëndësishme; dhe
• Kemi dhënë shembullin se si aktivizohet cikli i plotë i këtyre nismave: që nga politikat e deri te realizimi përfundimtar.

Ja pse është krenari të ndjekim kurorëzimin e punës suaj pikërisht këto ditë: nga Qendra e Kompetencës në Skenderaj javën e kaluar, në Qendrën “Shtjefën Gjeçovi” në Prishtinë para tre ditësh, sot këtu me shkollën “7 shtatori”, e javën e ardhshme në Gjilan me shkollën “Sahit Baftiu”.

Urime diplomimi, dhe suksese të gjithëve në jetë e në profesion!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors