Prishtinë, 26 maj 2025
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot mori pjesë në ceremoninë e certifikimit të gjeneratës së parë të nxënësve të Qendrës së Kompetencës “Shtjefën Gjeçovi”, në profilin floktari në kuadër të arsimit dual, e cila u mbajt në hapësirat e kësaj shkolle.
“Ky është një sukses institucional, një fitore për të gjithë neve dhe një hap përpara drejt një sistemi arsimor që krijon mundësi reale.” u shpreh kryeministri në fjalën e tij të rastit.
Kryeministri u shpreh i gëzuar që ndodhet sot në mesin e tyre për të festuar suksesin e 19-të nxënësve të profilit “Floktari”, të gjeneratës së parë të certifikuar në kuadër të arsimit dual që po zhvillohet në shkollat e vendit tonë. Qendra e Kompetencës “Shtjefën Gjeçovi”, ishte në mesin e të parëve që morën guximin dhe përgjegjësinë për ta përqafuar këtë model inovativarsimor. Aktualisht kjo qendër arsimore ofron arsimin dual në 3 profile; automekanikë, estetikë dhe floktari, me rreth 220 nxënës të përfshirë.
“Ky model ndërthur teorinë me praktikën dhe i afron të rinjtë me tregun real të punës. Ka filluar në vitin 2022 në 4 shkolla, në katër profile të ndryshme, në 3 komuna të Kosovës, duke përfshirë 107 nxënës, të cilët besuan në këtë rrugëtim të ri.” u shpreh kryeministri në fjalën e tij.
Në këtë ceremoni të diplomimit, kryeministri gjithashtu tregoi para të pranishmëve se gjatë javës së kaluar mori pjesë në ceremoninë e certifikimit të gjeneratës së parë të profileve muratorë dhe punëtorë i ngjashëm, në Qendrën e Kompetencës në Skenderaj, ndërkaq në fund të kësaj jave ai njoftoi se do të jetë i pranishëm në certifikimin e gjeneratës së parë në profilet Kuzhinier dhe Asistent i Mikpritës Hotelier, në Shkollën e Mesme Profesionale “7 shtatori”, në Prishtinë.
“Arsimi dual në Kosovë po zhvillohet sipas standardeve më të larta ndërkombëtare i ndërtuar mbi modelin gjerman, një prej më të suksesshmeve në botë. Ne jemi tani në vitin e tretë të zbatimit dhe rezultatet e para po flasin vetë.” tha ai ndër të tjera.
Më tej, ai falënderoi për mbështetjen e palëkundur të qeverisë dhe ambasadës së Gjermanisë dhe qeverisë së Luksemburgut përmes LuxDev, të cilat përveç financimit, kanë sjellë udhërrëfyes, shembuj, përvojë dhe ekspertizë që janë përshtatur me kujdes me nevojat dhe me zhvillimet tona. Tutje, kryeministri falënderoi edhe bizneset partnere, shkollat e mësimdhënësit, si dhe grupet punuese, të cilat kanë kontribuar me përkushtim për këtë sukses të përbashkët.
Në përmbyllje kryeministri iu drejtua nxënësve duke shprehur se ata janë dëshmia më e mirë se si arsimi mund të shndërrohet në një motorr të zhvillimit për shoqërinë dhe ekonominë tonë.
“Rruga juaj është frymëzim për brezat që do të vijnë, andaj jeni krenarë për vetveten dhe mos ndaloni së ëndërruari dhe së ndërtuari të ardhmen që e meritoni.” përfundoi fjalën e tij kryeministri.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
E nderuara ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Arbërie Nagavci,
E nderuara drejtore e Agjencisë për Arsim dhe Aftësim Profesional, dhe Aftësimin e të rriturve, znj. Fekrije Zymberi,
I nderuari drejtor i Qendrës së Kompetencës “Shtjefën Gjeçovi”, në Prishtinë, z. Blerim Gërvalla
I nderuari përfaqësues i Organizatës Fit for Jobs, MarioEckardt
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Është kënaqësi dhe nder për mua sot që ndodhem mes jush në këtë moment të rëndësishëm për arsimin profesional në vendin tonë. Për herë të parë gjatë këtij mandati e kemi bërë realitet arsimin dual në shkollat tona profesionale, sepse është prioritet kyç i Qeverisë sonë dhe një nga projektet më domethënëse për të ardhmen e rinisë dhe të ekonomisë së vendit tonë.
Ky model ndërthur teorinë me praktikën dhe i afron të rinjtë me tregun real të punës. Ka filluar në vitin 2022 në 4 shkolla, në katër profile të ndryshme, në 3 komuna të Kosovës, duke përfshirë 107 nxënës, të cilët besuan në këtë rrugëtim të ri.
Sot, vetëm 3 vite më vonë, jemi dëshmitarë të një transformimi të vërtetë. Arsimi dual po zbatohet në 25 shkolla profesionale në 14 komuna, në gjithsej 12 profile, ku janë përfshirë mbi 1600 nxënës.
Këta janë të rinjtë dhe të rejat që ndërtojnë një të ardhme të qëndrueshme me dije dhe aftësi, vetëbesim dhe përgatitje për jetën e punën.
Në shtator të vitit 2022, në Qendrën e Kompetencës “ShtjefënGjeçovi”, filloi për herë të parë zbatimi i arsimit dual me profilin Floktari.
Kjo shkollë ishte në mesin e të parëve që morën guximin dhe përgjegjësinë për ta përqafuar këtë model inovativ arsimor. Aktualisht kjo qendër e rëndësishme arsimore ofron arsimin dualnë 3 profile; automekanikë, estetikë dhe floktari, me rreth 220 nxënës të përfshirë.
Ky është një sukses institucional, një fitore për të gjithë neve dhe një hap përpara drejt një sistemi arsimor që krijon mundësi reale.
Sot ndihem veçanërisht i lumtur që ndodhem këtu për të festuar suksesin e 19-të nxënësve të profilit Floktari, të gjeneratës së parë të certifikuar në kuadër të arsimit dual.
Ky moment është më shumë se një certifikim, është kurorëzim i një rruge me përkushtim, punë dhe vizion. Më vjen keq që unë nuk erdha këtu para një jave, atëherë kur duhej t’i shkurtoja flokët, por natyrisht që kjo do të thotë se do të mund të kthehem pas një muaji.
Javën e kaluar mora pjesë në ceremoninë e certifikimit të gjeneratës së parë të profileve muratorë dhe punëtorë i ngjashëm, në Qendrën e Kompetencës në Skenderaj, ndërkaq në fund të kësaj jave do të jem i pranishëm edhe në certifikimin e gjeneratës së parë në profilet Kuzhinier dhe Asistent i Mikpritjes Hoteliere, në Shkollën e Mesme Profesionale “7 shtatori”, në Prishtinë.
Të rinjtë tanë po e përmbyllin me sukses një rrugëtim trevjeçar, i cili ka nisur në vitin shkollor 2022/2023, përgjatë të cilit ka bashkuar klasën me ndërmarrjen, dijen me përvojën dhe ëndrrat me punën.
Arsimi dual në Kosovë po zhvillohet sipas standardeve më të larta ndërkombëtare i ndërtuar mbi modelin gjerman, një prej më të suksesshmeve në botë. Ne jemi tani në vitin e tretë të zbatimit dhe rezultatet e para po flasin vetë.
Dëshiroj të shpreh falënderimin tim të thellë për mbështetjen e palëkundur të Qeverisë dhe Ambasadës së Gjermanisë dhe Qeverisë së Luksemburgut përmes LuxDev.
Përveç financimit, ata na kanë sjellë udhërrëfyes dhe shembuj, përvojë dhe ekspertizë që i kemi përshtatur me kujdes, me nevojat dhe zhvillimet tona.
Një falënderim i veçantë edhe për bizneset partnere, shkollat e mësimdhënësit, si dhe grupet punuese, të cilat kanë kontribuar me përkushtim për këtë sukses të përbashkët.
Të dashur nxënës, ju jeni dëshmia më e mirë se si arsimi mund të shndërrohet në një motorr të zhvillimit për shoqërinë dhe ekonominë tonë.
Rruga juaj është frymëzim për brezat që do të vijnë, andaj jeni krenarë për vetveten dhe mos ndaloni së ëndërruari dhe së ndërtuari të ardhmen që e meritoni.
Urime diplomimi dhe suksese në vazhdim!
Ju faleminderit!






























