Vjenë, 4 prill 2016
Delegacioni i Republikës së Kosovës i udhëhequr nga ministrja për Dialog, Edita Tahiri dhe ministrja për Tregti dhe Industri, Hykmete Bajrami së bashku me ekipin profesional morën pjesë sot në takimin e ftuar nga BE-ja në lidhje me njohjen reciproke mes dy shteteve të certifikatave për transportin e mallrave të rrezikshme të njohura si ADR.
Ky takim u mbajt në Vjenë dhe ka zgjatur gjatë tërë ditës duke filluar nga mëngjesi deri në orët e vona të mbrëmjes. Pas bisedimeve të vështira dhe përpjekjeve për të arritur marrëveshje për njohjen reciproke të certifikatave të ADR-së, ku vlenë të theksohet angazhimi i Bashkimit Evropian si ndërmjetësues ishte maksimal megjithatë këto bisedime nuk dhanë rezultate.
Takimi i radhës për këtë çështje do të mbahet së shpejti dhe për këtë do të presim derisa BE do të ftojë takimin e ri.
Delegacioni i Republikës së Kosovës ka qenë plotësisht i angazhuar për gjetjen e një zgjidhje të qëndrueshme që bazohet në njohjen reciproke të certfikatave të ADR-së mes dy shteteve dhe angazhimet tona për zgjidhje me dialog vazhdojnë, mirëpo bëjmë me dije që masat e reciprocitetit mbeten në fuqi derisa të arrihet marrëveshja në fjalë.
Delegacioni kishte në përbërje edhe Hykmete Bajramin, ministre në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Gazmir Raci, këshilltar politik i ministres Edita Tahiri dhe koordinator i çështjes, Fejzulla Mustafa, udhëheqës i Sektorit të Transportit të Mallrave të Rrezikshme në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Bekim Mehmetaj, udhëheqës i sektorit IBM në Doganën e Kosovës.