Prishtinë 2 tetor 2009
Nën drejtimin e kryeministrit Hashim Thaçi, Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e saj të sotme ka vendosur që të rrisë pagat për profesorët universitar në Universitetin e Prishtinës për një qind për qind.
Në hapje të mbledhjes, kryeministri Thaçi ka njohur kabinetin qeveritar lidhur me rastin e sëmurjes së nxënësve në shkolla të komunës së Fusha Kosovës, dhe ka shprehur vlerësimin për angazhimet që kanë treguar ministri Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë dhe ministrin e Shëndetësisë për tejkalimin e situatës së krijuar.
Kryeministri Hashim Thaçi ka bërë apel për përmbajtje nga përfundimet e ngutura që mund të sjellin konfuzion dhe panik në opinionin publik. Në të njejtën kohë, ka siguruar qytetarët se organet kompetente janë duke hulumtuar të gjitha shkaqet e sëmuarjes së këtyre nxënësve dhe gjendja është nën kontroll të plotë. Kryeministri Thaçi po ashtu ka shprehur dëshirën për shërim dhe kthim të shpejtë në bankat shkollore të të gjithë nxënësve që janë prekur nga kjo gjendje shëndetësore.
Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e sotme ka vendosur që paga bazë e profesorëve ordinar të universitetit të jetë në shumën prej 1000 eurosh, ndërsa ajo e asistentëve të rinj 500 euro. Kategoritë tjera të personelit akademik do të llogariten brenda kornizës 500-1000 euro. Personeli joakademik do të përfitojë rritje prej tridhjetë për qind.
Me këtë rritje, pagat për profesorët universitarë në Kosovë, nivelizohen me pagat e homologëve të tyre në rajon dhe ju siguron një bazë të mirë materiale për të rritur cilësinë e arsimimit edhe edukimit të lartë në Kosovë.
Në bazë të rekomandimit të Këshillit Kombëtarë të Cilësisë të Agjensionit Kosovarë për Akreditim, Qeveria e Republikës së Kosovës ka vendosur që të akreditojë si “Kolegj” Bartësin Privat të Arsimit të Lartë, “Dardania”. Ky kolegj ka të drejtë që në këtë vit të regjistrojë 500 studentë të rinj në programin bachelor dhe 50 student të rinj në programin master.
Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e vet, gjithashtu, ka vendosur që të rris të drejtën e regjistrimit të studentëve të Bartësve Privatë të Arsimit të Lartë, që bartin emërtimin Kolegj për 200 studentë më tepër, si dhe për ata që bartin emërtimin Institut për 100 studentë më tepër.
