Prishtinë, 29 maj 2025
Të nderuara zëvendëskryeministre, ministra dhe zëvendësministër,
Të nderuar punonjës të kryeministrisë dhe të medieve,
Të dashur qytetarë,
Na ndajnë pak ditë nga hyrja në fuqi e vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për daljen në treg të hapur të energjisë elektrike të rreth 1,200 ndërmarrjeve në Kosovë. Këto përbëjnë rreth 1% të ndërmarrjeve në vendin tonë: ato më të mëdhatë e më të fuqishmet.
Në mesin e tyre përfshihen edhe rreth 300 ndërmarrje që janë prodhuese, e të cilat si shpenzues të mëdhenj preken më shumë nga zbatimi i kësaj reforme. Ne i mirëkuptojmë brengat e tyre në lidhje me sfidat e kësaj faze të tranzicionit, por është e rëndësishme të theksojmë se ky proces nuk është i befasishëm. Ligji për Energji Elektrike është miratuar që në vitin 2016. Faza e parë e liberalizimit ka filluar në vitin 2017 me daljen e tri ndërmarrjeve të mëdha në treg, ndërkaq faza e dytë është shtyrë disa herë në 8 vitet e fundit. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut e kanë zbatuar këtë reformë vite më parë, e duke përfshirë një pjesë shumë më të madhe të bizneseve, ndërsa bizneset tona kanë përfituar ndërkohë nga tarifa të rregulluara dhe subvencione direkte të faturave të bizneseve në vlerë prej 26 milionë euro. Kësisoj, edhe pse sfida ekziston, bizneset tona kanë krijuar avantazh konkurrues e kanë pasur më shumë kohë se të tjerët për t’u përgatitur për ndikimin e daljes në treg.
Nga ana jonë, si Qeveri, kemi përkrahur të gjitha bizneset gjatë pandemisë dhe krizës energjetike, kur ato kishin më së shumti nevojë. Veçanërisht kemi qenë – dhe do të jemi gjithmonë – pranë prodhuesve vendorë.
Me 100 milionë euro kredi të subvencionuara, miliona euro për certifikime, digjitalizim dhe promovim të eksporteve, kemi ndihmuar me përkushtim që prodhuesit tonë të rriten, të modernizohen dhe të konkurrojnë fuqishëm. Sot, po zhvillojmë edhe instrumente të reja për t’i përkrahur ata në këtë fazë të tranzicionit siç janë skema për efiçiencë energjetike e sisteme solare, subvencione për makineri efiçiente, mbështetje për auditime energjetike, e të tjera. Njëkohësisht, po komunikojmë e bashkëpunojmë ngushtë me prodhuesit dhe odat për të sjellur komunikim më të mirë mes bizneseve, rregullatorit e furnizuesve, me qëllim të mirë-informimit dhe rritjes së konkurrencës që i shërben bizneseve dhe interesit publik.
Ndërkohë, përderisa ne po flasim këtu, Oda Ekonomike e Kosovës që do të duhej të qëndronte pranë bizneseve për t’u përballur me realitetin e ri, sot po tenton të bllokojë rrugët magjistrale me një kërkesë të vetme: shtyrjen e zbatimit të liberalizimit të tregut. Shtyrjen e vendimit po e kërkojnë me justifikimin se për një vit do të përgatiten, duke injoruar faktin që nga ana e tyre nuk kanë bërë asnjë përgatitje për 8 vitet e shkuara, përderisa është shtyrë nga viti në vit ky proces.
Të dashur qytetarë,
Të dashur përfaqësues të bizneseve,
Ajo çfarë Oda Ekonomike e Kosovës nuk po ju tregon është se plotësimi i kërkesës së tyre nuk e zgjidh problemin, por veçse e bart koston e energjisë së këtyre 1,200 ndërmarrjeve te faturat e secilit prej jush: secilës familje dhe mbi 100 mijë biznese të tjera më të vogla që janë më pak të fuqishme e të zëshme sikurse disa. Për të mbrojtur 1% të ndërmarrjeve më të fuqishme në kurriz të 99%-shit dhe të familjeve anembanë Kosovës, ata po duan që të bëjnë barrikada në hyrjet e Prishtinës. Por koha e barrikadave në Kosovë ka kaluar. I kemi hequr ato kudo ku kanë qenë dhe jemi zotuar që nuk do të lejojmë më të reja të vendosen.
I bëjmë thirrje të gjitha odave dhe bizneseve të fillojnë të mendojnë në mënyrë të mençur për efiçiencën dhe optimizimin e shfrytëzimit të energjisë. Ne do të vazhdojmë të ndihmojmë bizneset që modernizohen dhe investojnë në efiçiencë të energjisë, në të mirë të tyre, të shtetit e të qytetarëve. Qeverinë e Republikës së Kosovës, mua si kryeministër, na kanë partner. Ne jemi të gatshëm e shumë të interesuar për dialog për zgjidhje.
Për prodhuesit e Kosovës, edhe një herë po e përsëris: ne do të jemi bashkë me ju në çdo hap e në çdo betejë në këtë proces, në mënyra që janë të shëndetshme për ju e në përputhje me interesin publik.
Në mbledhjen e sotme, e cila është e 260-ta me radhë, të cilën po e mbajmë si qeveri, do të marrim ndër të tjera edhe vendime për emërime në pozita të larta drejtuese, si dhe për formim të komisioneve ad-hoc apo komisioneve të përkohshme për qëllim përmbylljen e proceseve rekrutuese. Të gjitha këto të filluara para datës 22 mars 2025, kur qeveria jonë ka kaluar de jure qeveri në dorëheqje. Me këtë rast, me këto vendime nuk po fillojmë nisma e procese të reja, por vetë po përmbyllim ato që kemi nisur e janë zhvilluar gjatë mandatit të plotë e të rregullt tonë.
Ky nuk është vetëm obligim i yni, por është edhe përgjegjësi ligjore dhe institucionale, për të plotësuar pritshmëritë e atyre që i kanë besuar shtetit e i janë shtruar mundësisë të jenë pjesë e administratës publike.
Të nderuar anëtarë të kabinetit qeveritar,
Të dashur qytetarë,
Para se të kalojmë tek pikat e kësaj mbledhjeje si qeveri në detyrë, aktualisht në tri zona gjeografike në kontinentin e Evropës është duke u realizuar ushtrimi më i madh që Ushtria e ShBA-ve organizon dhe realizon në kontinentin e Evropës, “Defender Europe 25”, me pjesëmarrje të 25 mijë trupave nga 29 vende të NATO-s.
Republika e Kosovës ka nderin dhe kënaqësinë të jetë në mesin e 18 vendeve nikoqire, dhe se Forca e Sigurisë së Kosovës po merr pjesë me përafërsisht 1000 trupa në ushtrimet që po zhvillohen në Kosovë, Shqipëri, Kroaci dhe Maqedoni të Veriut.
Këtë radhë Republika e Kosovës është vend i përzgjedhur nga Ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku është vendosur komanda e Divizionit 28 të këmbësorisë. Nga baza e FSK-së në Aeroportin e Gjakovës, kjo komandë taktike amerikane po udhëheq me të gjitha brigadat në regjionin e Evropës Juglindore. Institucionet tona dhe ushtria jonë po dëshmojnë që janë të afta për të mikpritur dhe për të organizuar në territorin e saj ushtrime komplekse të cilat kërkojnë planifikim, organizim dhe mbështetje të nivelit shumë të lartë.
E rritja e gatishmërisë dhe pranisë në kufirin tonë e Forcave të Armatosura të Serbisë besojmë që është reaksion ndaj Defender Europe 25, por ajo çfarë nuk e dimë ende është se a po e bën këtë vetë Serbia apo një gjë të tillë ia ka kërkuar Rusia.