Prishtinë, 5 mars 2026
Të nderuar zëvendëskryeministra, ministra dhe zëvendësministra,
Të dashur qytetarë,
Të nderuara media,
Sot shënojmë përvjetorin e ngjarjes më të rëndësishme të historisë sonë bashkëkohore, Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ajo përfaqëson një kthesë vendimtare në vetëdijen tonë kombëtare dhe bashkimin tonë popullor drejt lirisë dhe pavarësisë.
Historia e shteteve ndërtohet mbi ngjarje që i hapin shteg të ardhmes. Marsi i vitit 1998 është një ngjarje e atillë. Në Prekaz, më 5, 6 dhe 7 mars 1998, ndodhi një përballje aq e pabarabartë, por me domethënie kaq të jashtëzakonshme.
Në analet e historisë së Evropës nuk mund të gjendet një rast i vetëm, kur për tri ditë e tri net rresht i bën rezistencë një familje liridashëse autoktone një shteti policor e okupator.
Ani se familja Jashari ishte e rrethuar shumëfish nga mijëra forca të armatosura, të pajisura me makineri të rëndë dhe mjete ushtarake moderne të kohës, ata luftuan e qëndruan deri në fund, duke dhënë jetën e tyre për lirinë e të gjithë neve.
Për këtë familje kishte kuptim vetëm një gjë: Liria. Sepse, asgjë nuk është e vlefshme sikur ajo.
Këtë ngjarje e bën të pavdekshme vendimi i ndërgjegjshëm i familjes për të qëndruar e për të mos u nënshtruar.
Burrat, gratë dhe fëmijët vendosën të mos ndaheshin nga Kryekomandanti Adem Jashari. Ata qëndruan tok së bashku, nga bindja se liria kërkon sakrificë, e cila nis nga vetja.
Me 5 mars 1998 të rinjtë e familjes morën pozicionet e tyre me guxim. Gratë dhe vajzat furnizonin me municion pa ndërprerje. Ishte një qëndresë e organizuar, e vetëdijshme dhe e përbashkët. Kullat e tyre u shndërruan në fortesë, familja në simbol të unitetit dhe vendosmërisë shqiptare, ndërsa Prekazi në kryeqendër të kryengritjes popullore.
Pas atyre 3 ditëve, lufta në Kosovë mori tjetër karakter. U rrit mobilizimi njerëzor, u forcua legjitimiteti i rezistencës dhe çështja e Kosovës mori vëmendje të madhe ndërkombëtare.
Siç kishte thënë pas kësaj beteje baca Rifat Jashari: “Humba 56 anëtarë të familjes, por fitova zemrat e 7 milionë shqiptarëve”.
Gjersa përkujtojmë Epopenë, reflektojmë për përgjegjësinë që kemi ndaj flijimit të tyre. Liria që gëzojmë sot, është ndërtuar mbi qëndresën e atyre që nuk u tërhoqën dhe nuk njohin dorëzim.
Andaj, historia e familjes Jashari duhet të trajtohet jo vetëm në aspektin historik, por edhe në atë multidisiplinar, për të bërë studimet e thella, për të nxjerrë vlerësimet e sakta dhe për të siguruar e edukuar se si është krijuar ky thesar kombëtar i yni.
Si Qeveri e Republikës së Kosovës po punojmë që kjo histori, trashëgimi dhe vlerë e jonë kombëtare të dokumentohet, të ruhet dhe të përcillet te brezat e ardhshëm, si në Kosovë, ashtu edhe në mërgatë.
Lavdi e përjetshme Kryekomandantit Adem Jashari, familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të lirisë!
Qoftë kujtimi i Epopesë së UÇK-së frymëzim i përhershëm që të vazhdojmë të ndërtojmë e zhvillojmë Republikën e Kosovës me përgjegjësi, drejtësi dhe sovranitet!
Ju faleminderit.



