Prishtinë, 12 shkurt 2026
Të nderuar zëvendëskryeministra, ministra të kabinetit qeveritar,
Të nderuar punonjës të medieve e të kryeministrisë,
Të dashur qytetarë,
Mirë se po takohemi në mbledhjen e parë të qeverisë sonë të re, që sipas protokollit do të duhej të ishte ceremoniale, por që sipas nevojës sot, po e kthejmë edhe në të punës.
Mirë se vini në këtë tryezë vendimmarrëse, ju anëtarë të ri të kabinetit qeveritar:
-Glauk Konjufca, zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës;
-Andin Hoti, ministër për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare;
-Lulëzon Jagxhiu, ministër i Digjitalizimit dhe Administratës Publike;
-Saranda Bogujevci, ministre e Kulturës dhe Turizmit;
-Fitore Pacolli, ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor;
-Mimoza Kusari, ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit;
-Blerim Gashani, ministër i Sportit dhe Rinisë;
-Dimal Basha, ministër i Infrastrukturës dhe Transportit;
-Armend Muja, ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural; dhe
-Rasim Demiri, ministër për Zhvillim Rajonal.
Shërbimi ndaj Republikës dhe qytetarëve me punë e zell, nder e përkushtim, është privilegji më i madh që do ta keni dhe do ta gëzoni nga këto ulëse këtu dhe nga zyrat tuaja.
Mësimet që kemi nxjerrë përgjatë mandatit të kaluar dhe përvojën që kemi fituar, së bashku me ekspertizën dhe dijet tuaja profesionale, më bëjnë të besoj se ky kabinet i ka të gjitha parakushtet që të jetë kabineti qeveritar më i suksesshëm në historinë e re të Republikës sonë, që shumë shpejt i mbushë 18 vjet.
Ju uroj secilit dhe secilës për detyrën. Pritjet, që qytetarët kanë nga ne, janë dëshmi e vet standardi, të cilin e kemi vendosur ne, të cilin duhet të nderojmë dhe përmbushim çdo ditë.
Jemi mbledhur qysh në ditën e parë të punës për të miratuar një listë të marrëveshjeve ndërkombëtare që po e presim për një kohë të gjatë miratimin në kuvend. Në nëntor të vitit të kaluar, Kuvendi i Republikës u shpërnda pa u votuar Plani i Rritjes së Bashkimit Evropian në vlerë prej 882.6 milionë euro dhe tri marrëveshje me Bankën Botërore në vlerë mbi 120 milionë euro, duke rrezikuar përfitimet nga to. Me kuvendin e legjislaturës së 10-të të konstituuar dje dhe me votën tuaj sot, po i japim vendit një mundësi tjetër, për t’i ratifikuar këto marrëveshje ndërkombëtare në Kuvend.
E sot, po e riprocedojmë në Kuvend, edhe Projektligjin e Buxhetit për vitin 2026, të cilin e patëm miratuar në mbledhjen e 31 tetorit të vitit të kaluar. Duke mos dashur që t’i përsërisim të gjitha detajet e prezantuara në atë mbledhje, po ndalem vetëm në disa pika të shkurtra, të cilat e karakterizojnë këtë buxhet:
- Është buxhet me vlerë prej 4 miliardë euro, ku për komunat e Kosovës parashihen 867 milionë euro.
- E përmban edhe pagën e 13-të për punëtorët e sektorit publik, që paguhen nga buxheti, pagë, e cila do të paguhet sa po të hyjë në fuqi Ligji i Buxhetit.
- Përmban edhe ndryshimin e nevojshëm, që mundëson rritjen e shtesës për përvojën e punës nga 0.25 për qind, në 0.50 për qind për 15 vitet e para. Pra, dyfishim i shtesës, që reflekton përvojën e punës.
- Gjithashtu, buxheti parasheh edhe shtyrjen e afatit për zbatimin e shkallës progresive të tatimit në pronë, ashtu që ndërkohë ta miratojmë Ligjin e ri të Tatimit në Pronë në konsultim me komunat e vendit tonë.
E pas konstituimit të Kuvendit dhe zgjedhjes së Qeverisë mbrëmë, tash jemi në hapin e tretë, votimi i buxhetit 2026 dhe i marrëveshjeve ndërkombëtare. Porsa të përfundohen këto, jam i gatshëm që nga nesër të fillojmë kontaktet dhe diskutimet me subjektet tjera politike për çështjen e Presidentit.
Si kabinet qeveritar, do të shihemi shumë shpejt në mbledhjet e radhës, në mbledhjet e rregullta të Qeverisë sonë, ku do të përmbushim një nga një zotimet tona, duke filluar me pesë vendimet e para për të cilat jemi zotuar para qytetarëve tanë, e vendimin për to, e nisim pikërisht edhe me këtë mbledhjen e sotme.
Pa humbur pra, asnjë minutë, le të vazhdojmë me pikat e rendit dhe le të vazhdojmë me punët e mira.
Ju priftë e na priftë e mbara të gjithëve bashkë.