Prishtinë, 30 mars 2026
Të nderuar zëvendëskryeministra, ministra të kabinetit qeveritar,
Të nderuar punonjës të medieve dhe të Qeverisë,
Të dashur qytetarë,
Pasditen e së premtes isha mysafir i Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, në një takim dhe drekë pune në Pallatin “Elysee”.
Pritja e përzemërt u përcoll me një diskutim të thellë e të sinqertë, për rreth dy orë, që u përqendrua në tema të bashkëpunimit e të integrimit, të sigurisë e të mbrojtjes, si të dhe të ekonomisë e të zhvillimit.
Me presidentin Macron biseduam për rrugën tonë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe organizata të tjera ndërkombëtare. Pastaj, për rolin e rëndësishëm e të vazhdueshëm të NATO-s në Kosovë, për bashkëveprimin me aleatët veri-atlantikë dhe për sigurinë rajonale në Ballkan. Forcimi i kapaciteteve mbrojtëse dhe raportet me fqinjin verior të Kosovës, ishin çështje, të cilat në kontekst të sigurisë së vendit tonë, i diskutuam me Presidentin francez.
Organizimi i forumeve të reja të bizneseve Kosovë-Francë, si vijimësi e atij që u mbajt suksesshëm muajin e kaluar këtu në Prishtinë, si dhe planet dhe investimet në edukim, ishin gjithashtu tema të takimit. Roli mbështetës dhe angazhimi i miqve francez në përgatitjet për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030 në vendin tonë, është tejet i rëndësishëm.
Të nderuar kolegë,
Të dashur qytetarë,
Në fund të janarit 2025, ndamë 500 mijë euro për ndihma humanitare për popullin palestinez në Gaza. Sot, ndërkaq, në rend dite kemi propozim-vendimin nga Ministria e Mbrojtjes për të kërkuar nga Kuvendi i Republikës, marrjen e vendimit për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në mision në Gaza, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese.
Vitin e kaluar, ministri Ejup Maqedonci dhe komandanti i ushtrisë sonë Gjeneral-Lejtënant, Bashkim Jashari, kërkuan lejen për pjesëmarrje në një konferencë në Doha të Katarit, lidhur me Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese, që sikurse e thotë edhe vet emërtimi, ka për qëllim, stabilizimin e mjedisit të sigurisë në Gaza.
Forca jonë e Sigurisë ka krijuar reputacion ndërkombëtar sa i përket aftësive të kërkim-shpëtimit, deminimit dhe jo vetëm.
Ne jemi të gatshëm të marrim pjesë në Forcën Stabilizuese Ndërkombëtare dhe të ndihmojmë popullin e Gazës, edhe për shkak se vetë kemi qenë dhe jemi, përfitues të forcave ndërkombëtare që nga viti 1999.
Të nderuar kolegë,
Të dashur qytetarë,
Triumfi në Bratisllavë në kuadër të “play off”-it për Kampionatin Botëror 2026, ku Sllovakia u njoh me futbollistët e rangut botëror nga Kosova, përbën një moment dhe sukses historik për vendin tonë.
Në fund të nëntorit i ndamë 250 mijë euro me rastin e sigurimit të “play off”-it, e po atë ditë, u zotuam se do të ndajmë 500 mijë euro të tjera në rast të fitores ndaj Sllovakisë.
Ky zotim do të jetësohet sot.
Por, dua që kjo të mos mbarojë këtu.
Uroj fort që djemtë tanë shembullorë, të cilët pata kënaqësinë t’i takoj mbrëmë, të fitojnë finalen e madhe të “play off”-it dhe të shkruajnë emrin e tyre në historinë e futbollit të Kosovës, si të parët, të cilët e jetësojnë ëndrrën e Botërorit.
Kualifikimi në Kupën e Botës do ta kuptimësonte shënimin e dhjetë-vjetorit të pranimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA.
Një fitore nesër, po ashtu, do të përbënte një arsye për t’u mbledhur sërish ne këtu. Në rast kualifikimi në Kupën e Botës, do të ndajmë edhe 1 milionë euro të tjera për përfaqësuesen tonë në futboll.
E, ngjashëm sikurse ishim zotuar vitin e kaluar për shpërblimet në rast të fitores ndaj Sllovakisë e në rast kualifikimi, po zotohemi sot se nëse shkojmë tutje dhe kualifikohemi, do të ketë shpërblime, që nuk ua merr mendja, për sukseset që do të pasojnë në kampionatin botëror, i cili do të mbahet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Të nderuar kolegë,
Sot, në rend dite, po ashtu, kemi propozim-vendimin për miratimin e dhënies së pagës së 13-të për punonjësit që marrin pagë nga buxheti i Republikës së Kosovës. Kësisoj, përveçse përmbushim edhe një zotim të dhënë, si Qeveri krijojmë edhe një standard të ri.
Miratimi i buxhetit rekord në vlerë 4 miliardë euro dhe tani jetësimi i pagës së 13-të, përbëjnë dy nga pesë vendimet që i kemi veçuar për nisjen e këtij mandati të ri qeverisës. I treti, projektligji për çmimet tavan, për të cilin ka nisur puna menjëherë pas formimit që Qeverisë së re, pritet të jetësohet së shpejti.
Po punojmë për ndryshimet e nevojshme në ligj, për heqjen e kufizimit për punësim për veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që marrin beneficion dhe po përgatitemi edhe për vendimin e pestë, miratimin e Pakos për Përballje me Inflacionin 2.0, në vlerë prej 200 milionë eurosh.
Ligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, pa fije dyshimi përbën një nga zotimet tona më të rëndësishme në fushën e drejtësisë. Atë do ta miratojmë përsëri sot. Angazhimit tonë të madh për jetësimin e Byrosë, fatkeqësisht ish-pushtetarët iu përgjigjën me kundërshtim e zell të pa imagjinueshëm.
Jemi sfiduar, por nuk jemi ndalur e as nuk do të ndalemi. Do ta jetësojmë Byronë përkundër atyre që motivet e vërteta i fshehin prapa ankesave në Gjykatën Kushtetuese.
Dhe, në fund, para se të kalojmë te rendi i ditës për mbledhjen e sotme, kemi një lajm të mirë nga orkestra e fëmijëve dhe të rinjve “Amadeus”, të cilët fituan çmimin kryesor “Grand Prix” dhe vendin e parë në festivalin ndërkombëtar “Spring Symphonies” 2026 në Spanjë. Siç e dini në mbledhjen e parafundit, më 19 mars, ne e mbështetëm këtë orkestër. Urime atyre dhe të gjithë neve.
Gjithashtu, në rend dite e kemi edhe Projektligjin për Banimin Social dhe të Përballueshëm, zotim, i cili veçse është në realizim e sipër.
Meqenëse i kemi 14 pika sot, po fillojmë menjëherë pa humbur kohë.
Ju faleminderit!
