Adresimi i Kryeministrit Kurti në mbledhjen e 273-të të Qeverisë

Prishtinë, 31 tetor 2025

Të nderuar zëvendëskryeministra, ministra dhe zëvendësministra,
Të nderuar punonjës të kryeministrisë dhe të medieve,
Të dashur qytetarë,

Ashtu siç e parasheh Ligji për Financat Publike, brenda afatit ligjor sot po miratojmë projektligjin për ndarje buxhetore për vitin fiskal 2026.

Sikurse çdo vit, edhe ky buxhet do të ketë shumë risi.

Së pari, kam kënaqësinë t’ju njoftoj që është buxhet në vlerë prej 4 miliardë euro, ku një e katërta apo rreth 1 miliardë euro janë buxhetuar për investime kapitale.

Një risi me këtë buxhet do të jetë edhe dhënia e pagës së 13-të për të gjithë punonjësit e sektorit publik. Pra kushdo që punon së paku 12 muaj në sektorin publik, me qeverinë tonë në fund të vitit do të mund të përfitojë edhe pagën e 13-të. Gjithashtu, është i përfshirë edhe zbatimi i rritjes së pagës bazë me 0.5% për çdo vit përvojë pune, për dallim prej asaj që kemi pasur më herët ku për 15 vitet e para zbatohej rritja vetëm 0.25% për çdo vit përvojë pune. Kjo përkthehet në rritje shtesë për pagën e secilit që punon në sektorin publik, varësisht nga vitet e përvojës së punës.

Ky buxhet për vitin 2026 përfshin edhe rritjen e pensioneve, shtesave për fëmijë, shtesave për lehona, pagesave për të rinjtë dhe gratë që angazhohen nga Superpuna, kompletim i reformës së asistencës sociale e shumë e shumë mbështetje tjera për familjet.

Me këtë buxhet rritet mbështetja për barna esenciale, por rritet edhe gjithashtu edhe mbështetja për kulturën dhe për sportin. Rritet mbështetja për ndërmarrësit për sektorin privat dhe për bujqit, por rritet buxheti edhe për investime në infrastrukturë publike.

Mirëpo para së gjithash, me këtë buxhet sigurohet qëndrueshmëria dhe vijimësia e shtetit tonë dhe e zhvillimit të tij.

Megjithëse jemi qeveri në detyrë, përmes Ligjit për Qeverinë, Kuvendi ka paraparë që edhe në situata të tilla ku formimi i institucioneve mund të zgjasë më shumë sesa që duhet, shteti vazhdon funksionimin. Konkretisht paragrafi 5 i nenit 31 të ligjit e parasheh që edhe Qeveria e cila ka përfunduar mandatin e plotë, siç është rasti me ne, mund të propozojë buxhetin vjetor para Kuvendit sikurse është e përcaktuar në paragrafin 2 të po këtij neni.

Prandaj, sot si qeveri, përveçse po zbatojmë një detyrim ligjor për sa i përket respektimit të afateve për miratim të ligjit të buxhetit, gjithashtu po kryejmë obligimin tonë si qeveri në detyrë që shteti të mos mbetet pa buxhet. I takon Kuvendit dhe të gjithë deputetëve nga të gjitha subjektet politike, që këtë buxhet ta miratojnë para se të shkohet në zgjedhje të reja, në mënyrë që të sigurohet vazhdimësia e shtetit dhe të mos ndeshemi me situata ku shteti nuk ka buxhet të miratuar.

Tani, sa u përket pikave tjera të parapara në mbledhjen e sotme, përveç rritjes së pagave në sektorin publik, kemi lajm të mirë edhe për sektorin privat, sepse nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve kemi propozimin edhe për rritjen e pagës minimale, rritje kjo e cila do të ndikojë rreth 150 mijë të punësuar.

Ashtu siç ju kam premtuar, sot ka lajme të mira edhe për pensionistët. Sepse pensioni minimal nga 120 euro do të bëhet 150 euro, duke filluar nga muaji nëntor, i cili fillon nesër. Kjo rritje prek rreth 200 mijë pensionistë në kategoritë e pensioneve bazike, ato për personat me aftësi të kufizuara, për të rritur por edhe për fëmijë, pensionin familjar si dhe pensionin invalidor të punës.

E siç e dini, kam premtuar se do të ketë lajm të mirë edhe për nënat që marrin shtesa të fëmijëve. Nga muaji nëntor, shtesat për të gjithë fëmijët nga 0-16 vjeç, e që janë rreth 400 mijë, do të rriten për 50%. Pra një nënë me dy fëmijë që këtë muaj ka marrë 40 euro, nga muaji i ardhshëm do të marrë 60 euro. Një nënë me 4 fëmijë që këtë muaj ka marrë 120 euro, nga muaji nëntor do të marrë 180 euro në muaj, e kështu me radhë.

Pra sikurse çdo herë, shumë lajme të mira për të gjithë.

E meqë tash kemi edhe Kuvend të konstituuar, sot në këtë mbledhje do të miratojmë edhe dërgimin në Kuvend të buxheteve të vitit 2025 për komunat Prishtinë, Gjilan, dhe Zubin Potok, në mënyrë që Kuvendi t’i bëjë pjesë të Ligjit për ndarje buxhetore për vitin 2025, dhe që këto komuna të kenë mundësinë të shfrytëzojnë buxhetin e sivjemë, sepse aktualisht ende janë duke operuar me buxhet të vitit 2024 dhe kjo ka sjellë vështirësi të shumta për to.

Në rend të ditës e kemi edhe një vendim tejet të rëndësishëm për artin dhe kulturën, për skenën e pavarur, në veçanti: miratimin e rregullores mbi Kriteret, Standardet dhe Procedurat e Mbështetjes Publike Financiare për Skenën e Pavarur Kulturore. E hartuar në bashkëpunim të ngushtë me komunitetin artistik dhe kulturor, ajo paraqet themelin e reformës sonë në kulturë për skenën e pavarur. Rregullorja, të cilën artistët mezi po e presin, e ulë dukshëm burokracinë dhe e lehtëson aplikimin në thirrjet e hapura të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si dhe hap rrugën për digjitalizimin e gjithë procesit të aplikimit; sepse të vetmen gjë që artistët ia vlen të presin është inspirimi.

Ju faleminderit të gjithëve, e tash po vazhdojmë me rendin e ditës të paraparë për mbledhjen e sotme!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors