Prishtinë, 1 gusht 2025
Të nderuar zëvendëskryeministra, ministra dhe zëvendësministra,
Të nderuar punonjës të kryeministrisë dhe të medieve,
Të dashur qytetarë,
Në mbledhjen e sotme, në rend të ditës kemi disa vendime me rëndësi. Duke nisur nga ato që kanë të bëjnë me mbarëvajtjen e punës së institucioneve shtetërore si emërimi i Këshillit Statistikor, emërimi i Drejtorit të Përgjithshëm të Institutit të Kosovës për Administratë Publike, si dhe emërimi i Drejtorit Ekzekutiv për Agjencinë e Kosovës për Forenzikë. Të gjitha këto procese kanë filluar gjatë periudhës kur qeveria jonë ka pasur mandat të plotë dhe sot janë në përputhje me nenin 31 të Ligjit për Qeveri.
Po ashtu, do të ndajmë 40 mijë euro mbështetje për familjet e dy zjarrfikësve, Sefadin Osmanaj dhe Kaqun Lima, të cilët humbën jetën në krye të detyrës në vitin 2024, respektivisht në vitin 2025. Pra, 20 mijë euro për familjen Osmanaj dhe 20 mijë euro për familjen Lima. Vetëmohimi dhe përkushtimi profesional i Sefadin Osmanajt dhe Kaqun Limës ndaj detyrës fisnike të zjarrfikësit do të kujtohen gjithmonë, me mirënjohjen më të thellë.
Tjetër vendim shumë të rëndësishëm që po marrim sot është largimi i tarifës doganore me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kështu nga tani e tutje të gjitha produktet me origjinë nga ShBA-të do të kenë tarifë 0% kur të hyjnë në vendin tonë. Kosova i mirëpret produktet amerikane në tregun e saj dhe besojmë fuqishëm që kjo do të ndikojë në rritjen e këmbimit tregtar si dhe rritjen e investimeve. Ky është një hap i radhës që dëshmon për marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet dy vendeve, dhe njëkohësisht e tregon përkushtimin dhe vendosmërinë tonë për të pasur një marrëveshje për tregti të lirë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Me këtë rast duam edhe një herë të shprehim falënderimin tonë për vazhdimin e Programit Kompakt të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit për Kosovën nga administrata e Presidentit Trump, program e investim ky jashtëzakonisht i rëndësishëm për republikën tonë, veçanërisht për sektorin e energjisë.
Ndërkohë që ne po angazhohemi për thellim e forcim të partneriteteve me shtetet aleate, demokratike e paqedashëse, fqinji ynë agresiv, Serbia, po i vazhdon përpjekjet për destabilizim të vendit tonë. Mirëpo institucionet e inteligjencës dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, janë duke u kundërvënë suksesshëm ndaj këtyre përpjekjeve. Këtu përfshihen edhe arrestimet e personave përgjegjës me dëshmi për aktivitetet e tyre kundër Kosovës – sikurse rastet e:
-Bojan Jevtiq – toger në Policinë e Kosovës, i arrestuar me datë 17 korrik 2025, mbi dyshime të bazuara për veprimtari spiunazhi në Republikën e Kosovës, për interesa të Agjencisë për Siguri dhe Informim (BIA), me synim rrezikimin e sigurisë në përgjithësi dhe operacionet e Policisë së Kosovës në veçanti; dhe
-Igor Popoviq – ndihmësdrejtor në të ashtuquajturën “Zyra për Kosovë” në Qeverinë e Serbisë, i arrestuar me datë 18 korrik 2025, për nxitje të përçarjes dhe mos durimit ndëretnik.
Në lidhje me këtë të fundit, institucionet tona, kanë siguruar dëshmi për lidhjet e tij me Agjencinë për Siguri dhe Informim (BIA) dhe ushtrimin e aktiviteteve në dobi të saj. Ndër to përfshihen:
-Incizimin ilegal të bisedave të datës 17 shtator 2020 që janë zhvilluar në Bruksel, në objektin e Bashkimit Evropian, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi; pastaj
– Përpjekje për pengim dhe sabotim të drejtësisë; dhe
-Aktivitete tjera që cenojnë sigurinë kombëtare të vendit.
Rasti i fundit ku dëshmohet autoincizimi ilegal dhe i fshehtë i bisedave në Bruksel, është rast jashtëzakonisht serioz që shpërfaqë në një formë që nuk e kemi hasur më herët të qasjes sistematike, destruktive, minuese dhe sabotuese të Serbisë, në raport me palët, ndërmjetësuesin dhe vet procesin e ndërmjetësuar nga Brukseli.
Gjithashtu, në këtë adresim, më lejoni që të shprehim shqetësimin e thellë të Qeverisë së Republikës së Kosovës për krizën humanitare në Gaza. Sikurse kemi bërë edhe në të kaluarën, ne i dënojmë sulmet që rezultojnë me vdekje dhe lëndim të civilëve, veçanërisht të fëmijëve – të cilët po përballen me pasoja të rënda pavarësisht faktit që nuk kanë asnjë përgjegjësi mbi konfliktin dhe situatën. Qeveria jonë tashmë ka ndarë gjysmë milionë euro nga buxheti i saj si mbështetje për popullin palestinez në Gaza. Ne e mbështesim çdo përpjekje të partnerëve tanë për të arritur një armëpushim të menjëhershëm, që do të krijonte mundësitë për dërgimin e rregullt dhe të mjaftueshëm të ndihmave, lirimin e pengjeve dhe arritjen e një zgjidhjeje afatgjatë dhe të qëndrueshme midis izraelitëve dhe palestinezëve.