Adresimi i Kryeministrit Kurti në mbledhjen e 264-të të Qeverisë

Prishtinë, 9 korrik 2025

Të nderuar zëvendëskryeministra, ministra dhe zëvendësministra,
Të nderuar punonjës të kryeministrisë dhe të medieve,
Të dashur qytetarë,

Fillimisht dua t’i shpreh ngushëllime familjes Zejnullahu për më të dashurin e tyre, të ndjerin Agon Zejnullahu. Lajmi për vdekjen e tij na ka tronditur të gjithëve.

Shumëçka prej asaj që ka ndodhur në mesnatën e 7 korrikut tashmë është publike, edhe falë incizimeve të dëshmitarëve. Por për të kuptuar gjithçka se çfarë ka ndodhur, duhet hetim profesional nga institucionet. Për këtë, bashkëpunimi ndërmjet Policisë së Kosovës, Inspektoratit Policor, Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe Prokurorisë, është thelbësor.

Pesë zyrtarë policorë tanimë janë në paraburgim. Unë kërkoj dhe pres hetim të thellë e sa më të shpejtë, që zbardh të vërtetën e plotë dhe i bën të njohura të gjitha rrethanat, ashtu që të vendoset drejtësia dhe të arrihet llogaridhënia.

Dua ta bëj të qartë se nuk do ketë strehë në institucione apo nga institucionet për këdo që mund të ketë tejkaluar kompetencat apo të ketë shkelur ligjin gjatë detyrës zyrtare. Shërbimi në uniformë është fisnikëri, por autoriteti i mveshur me uniformë është përgjegjësi.

Diskutimet publike që po bëhen dhe gjykimet publike që po jepen, janë veçanërisht të vështira për familjen Zejnullahu dhe miqtë e të ndjerit. Në të njëjtën kohë tendenca që të nisë një antifushatë ndaj Policisë së Kosovës është e dëmshme dhe nuk është zgjidhje.

Thirrjet për drejtësi dhe përgjegjësi janë të drejta, por ato më së miri realizohen me rezultatet e plota të hetimeve dhe një verdikt profesional në bazë të tyre.

Vetëm atëherë sigurohemi që llogaridhënia institucionale bëhet përgjigje për rastin dhe garanci që situata të ngjashme sikurse ajo e 7 korrikut të mos na përsëriten asnjëherë.

Gjithashtu, në emër të kabinetit qeveritar i shpreh ngushëllime familjes Lima dhe të gjithë kolegëve të Kaqun Limës, Komandantit të Togut në Njësinë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit në Gjakovë. Ai humbi jetën në krye të detyrës, teksa ishte rrugës për të shërbyer. Do të kujtohet gjithmonë për vetëmohimin në çdo ditë të punës, përkushtimin e lartë ndaj detyrave dhe përgjegjësive, si dhe shembullin për të tjerët si udhëheqës i Togut.

Ju faleminderit.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors