Prishtinë, 27 qershor 2025
E nderuara zëvendëskryeministre,
Të nderuar ministra dhe zëvendësministra,
Të nderuar punonjës të kryeministrisë dhe të medieve,
Të dashur qytetarë,
Këtë javë në Hagë të Holandës u mbajt Samiti i 34-të i NATO-s. Ne e përshëndesim përfundimin e punimeve të këtij samiti si dhe vendimin unanim të vendeve anëtare të NATO-s për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes në 5% të Bruto Prodhimit Vendor. E vlerësojmë lart edhe rikonfimimin e vendeve anëtare për zotimin për mbrojtje kolektive që adresohet në Nenin 5 si një ndër parimet themelore të NATO-s. Gjithashtu, përshëndesim vendimin për mbajtjen e Samitit të 36-të të NATO-s në Tiranë, në Republikën e Shqipërisë, në vitin 2027.
Republika e Kosovës është e palëkundur në rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në NATO. Qeveria e Republikës së Kosovës ka rritur dhe po vazhdon të rrisë investimet në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë me qëllim mbrojtjen e sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Republikës, si dhe kontributin për sigurinë evropiane dhe më gjerë. E pikërisht sot Forcës së Sigurisë së Kosovës ia shtuam edhe 350 rekrutë të rinj, gjithsej 2700 pjesëtarë më shumë për ushtrinë tonë në këtë mandat.
Siç e dini, në fundjavë shënohet Dita e Shën Vidit, apo Vidovdan siç njihet, e cila ndonëse ditë me karakter fetar, fatkeqësisht në vazhdimësi është përcjellë me retorikë politike nxitëse e kërcënuese për sigurinë publike nga ana e Serbisë. Beogradi zyrtar, që po përballet me protesta të vazhdueshme e gjithandej të studentëve dhe jo vetëm, po përpiqet që ta zhvendosë vëmendjen diku tjetër. Në këtë përpjekje për të ulur përmasat e protestës anti-qeveritare e anti-regjim të të njëjtës ditë në Beograd, pushteti në Serbi mund të shfrytëzojë elemente destruktive për të nxitur incidente në Gazimestan.
Sipas vlerësimeve të institucioneve tona të sigurisë dhe inteligjencës, ka përpjekje që tubimi në Gazimestan të jetë sa më masiv. Prandaj janë organizuar grupe serbësh nga Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina që të vijnë në Kosovë nesër. Tradicionalisht, grupet e tilla kanë qenë provokuese, duke bartur simbole nacionaliste serbe e ruse, që bien në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe janë gjithashtu edhe kundër vlerave demokratike e evropiane.
U bëjmë thirrje të gjithë bashkëqytetarëve tanë, sidomos nga radhët e komunitetit serb në Kosovë, që të respektojnë ligjin dhe të mos lejojnë të keqpërdoren për qëllime politike. U bëjmë thirrje të gjithë bashkatdhetarëve tanë që gjithashtu të mos bien pre e asnjë provokimi nga kushdo qoftë në ditën e nesërme.
Tubimet për shënimin e Vidovdanit duhet të organizohen në përputhje të plotë me ligjin, jo të shndërrohen në një mjet për instrumentalizim politik nga autoritetet në Beograd, të cilat tentojnë të eksportojnë krizën e brendshme politike përmes provokimeve në Kosovë, vetëm për t’u paraqitur më pas si kinse “mbrojtës të interesave kombëtare” të tyre dhe të serbëve në Kosovë, përmes narracioneve propagandistike dhe klero-nacionaliste.
Institucionet e Republikës së Kosovës janë të përkushtuara për të garantuar të drejtat dhe liritë e të gjitha komuniteteve, dhe nuk do të tolerojnë veprime që cenojnë rendin, sigurinë dhe paqen publike në Kosovë.
Ndërkaq sot, po mbajmë mbledhjen e 263-të të Qeverisë. Përpara kemi rendin e ditës, nga i cili dua të veçoj dy vendime:
- Në kuadër memorandumit që kemi me Këshillin Kombëtar Shqiptar, do të ndajmë 626,400 Euro si mbështetje për arsimin dhe lobimin institucional për shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, duke përfshirë bursa për studentë, mbështetje për nxënësit dhe financim të aktiviteteve lobuese dhe avokuese në nivel ndërkombëtar. Gjatë qeverisë sonë jemi siguruar që lidhja jonë dhe kujdesi për shqiptarët e Luginës, të jetë institucional dhe financiar. Ky vendim sot, është dëshmia e radhës.
- Me stinën e verës, të gjithë e dimë se vijnë edhe bashkatdhetarët tanë. Mirëseardhja jonë e parë për ta është në pikat kufitare. Edhe sivjet, sikurse viteve të mëparshme, duke filluar nga data 1 korrik, të gjithë bashkatdhetarët që udhëtojnë për në Kosovë me automjete për pasagjerë, do të mund të marrin policën e sigurimit falas në cilëndo prej pikave kufitare hyrëse. Polica e subvencionuar do të subvencionohet për automjetet jo-komerciale për pasagjerë, deri në 9 ulëse. Për këtë qëllim, sot do të ndajmë 4,000,000 Euro nga masa “Mbështetje për Mërgatën” e Pakos së Ringjalljes Ekonomike. Të dashur bashkatdhetarë, mirë se vini e ju faleminderit që na e gjallëroni vendin sa herë që vini.