Adresimi i Kryeministrit Kurti në ceremoninë e rreshtimit të kuadrateve të FSK-së në shënim të 28-vjetorit të Epopesë së UÇK-së

Prishtinë, 5 mars 2026

Në kuadër të programit të manifestimit shtetëror për shënimin e 28-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë e rreshtimi të kuadrateve të Forcës së Sigurisë së Kosovës që u mbajt në Kazermën “Adem Jashari”.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

E nderuar znj. Vjosa Osmani Sadriu, Presidente e Republikës së Kosovës,
E nderuar znj. Albulena Haxhiu, kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës,
I dashuri Baca Rifat,
Të nderuar ish-presidentë të Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe Atifete Jahjaga,
I nderuari Komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari,
Të nderuar zëvendëskryeministra, ministra dhe deputetë,
Kryetarë të Komunave të Kosovës,
I nderuari z. Gazmend Hoxha, Drejtor i Policisë së Kosovës,
I nderuari z.Petrit Ajeti, Drejtor i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë,
Të nderuar ambasadorë e përfaqësues të tjerë diplomatik të vendeve mike,
Të nderuar përfaqësues fetarë,
Të dashura familje të dëshmorëve të kombit,
Të nderuar invalidë dhe veteranë të luftës çlirimtare,
Të nderuar ushtarakë të Forcës së Sigurisë së Kosovës,
Të dashur qytetarë të Republikës,
Zonja dhe zotërinj,
Motra dhe vëllezër,
Të nderuar të pranishëm,

Në historinë moderne të Kosovës, Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, paraqet traditën përmes së cilës i referohemi ngjarjes më totale dhe përcaktuese, në rrugën e betejave të shqiptarëve për liri në Kosovë përgjatë shekullit XX. Populli e ka UÇK-në e UÇK-ja Epopenë e saj, e cila është ngritur dhe qendërzuar përreth rezistencës së armatosur dhe sakrificës së familjes Jashari më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, si një ngjarje shembullore e fuqisë së qëndresës së dalë nga guximi dhe gatishmëria për të sakrifikuar gjithçka për liri.

Nga fundi i vitit 1997, pas përballjesh të hapura luftarake me forcat armike të Serbisë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës u shfaq edhe publikisht më 28 nëntor. Lufta e armatosur në Kosovë, nga një mundësi që luhatej mes rrezikut dhe kërcënimit, po kthehej në një realitet që mund të shpërthente nga dita në ditë. Sulmi i dyti i policisë ndaj familjes Jashari në Prekaz, më 22 janar të vitit 1998, e zbuloi atë si shënjestër aktive të policisë serbe. Dhe ndonëse rezistenca e familjes Jashari atë ditë e rikonfirmoi pozicionin dhe rezistencën e saj gjatë rrethimit të parë më 30 dhjetor 1991, rezistenca e armatosur kundër shtetit kriminal të Serbisë, ende përgjithësisht shihej si një rrugë pa shumë gjasa për sukses.

Madje deri edhe tre muaj pas daljes publike të UÇK-së dhe një muaj pas sulmit të dytë ndaj familjes Jashari, ende shumëkush besonte që lufta ishte e shmangshme. Por nëse më 28 shkurt 1998, masakrat në Likoshan dhe Qirez e shpërfaqën sheshazi projektin gjenocidal të Serbisë në Kosovë, e rrethimi i tretë i Prekazit pesë ditë më pas, ishte kapërcim i plotë i kufirit mes rrugës së zgjidhjes paqësore e diplomatike dhe rrugës së luftës e kryengritjes së armatosur çlirimtare.

Hyrja e çështjes së Kosovës në një shteg pa kthim mbrapa, u bë e qartë kur më 5, 6 dhe 7 mars 1998, mijëra forca policore dhe ushtarake serbe në një shtetrrethim të shumëfishtë në Prekaz, shkrepën mijëra e mijëra predha dhe fishekë kalibrash e armësh të ndryshme, e ku familja Jashari rezistoi e armatosur përkundër çmimit të lartë. Në fund, plot 59 njerëz, kishin rënë të vdekur nga plumbat e tytave të armëve të shtetit të Serbisë, dëshmorë të luftës së armatosur të shqiptarëve të Kosovës, për lirinë e synuar përmes çlirimit nga Serbia okupatore.

Mes tyre, Adem e Hamëz Jashari, ishin dy emrat e përveçëm mbi figurat e të cilëve do të bartej lavdia e asaj rezistence dhe frymëzimi prej luftës së tyre për lirinë e Kosovës. Para më shumë se tridhjetë vitesh, Adem dhe Hamëz Jashari, së bashku me shokët e tyre, i filluan organizimet e para për një ushtri të Kosovës, që më pas do të quhej Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Në harkun e pak viteve, UÇK-ja arriti të bëhej edhe partnere e aleancës më të madhe ushtarake në botë, NATO-s, Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior, që me Operacionin Forca Aleate, e përmbylli luftën për çlirimin e Kosovës, duke larguar forcat e Serbisë nga atdheu ynë.

Kurse sot, trashëguesja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Forca e Sigurisë së Kosovës, është kthyer në një forcë ushtarake që me ushtritë e NATO-s, zbarkon në misione që e ndërtojnë dhe e mirëmbajnë paqen kudo nëpër botë.

Dhe e gjithë kjo ka ndodhur, të nderuar pjesëmarrës, dhe po ngjan nën urdhëra dhe komanda të dhëna nga një kazermë ushtarake me emrin “Adem Jashari”, këtu ku jemi mbledhur sot më 5 mars 2026, në ditën e parë të Epopesë së UÇK-së, për ta kujtuar dhe nderuar pikërisht rezistencën e Kryekomandantit Adem Jashari dhe të familjes së tij.

Përpara nesh, janë rreshtuar kuadratet e ushtrisë së Kosovës, ashtu siç duhet t’i ketë ëndërruar Adem Jashari dikur, në një kohë kur ushtria e Kosovës ishte veçse një ide që besohej nga fare pak njerëz. Përballë tyre jemi të gjithë ne, qytetarë të vendit e zyrtarë të shtetit tonë, që çdo ditë e më shpesh, po e dëshmojmë rritjen, ngritjen dhe përparimin e ushtrisë së Kosovës. Kjo edhe si rezultat i investimeve milionëshe të Qeverisë së Republikës në pajisje dhe sisteme të armatimit, në trajnime dhe shkollime të ushtarakëve tanë nëpër akademitë më të mira të vendeve të NATO-s, si dhe në strukturën dhe infrastrukturën e FSK-së. Për mbrojtjen e territorit të Kosovës dhe ruajtjen e pandashmërisë së tij, për eksportim të sigurisë dhe paqes bashkë me aleatët tanë nëpër botë, për lirinë dhe paqen e atdheut tonë dhe për siguri me mirëqenie.
Kanë kaluar plot 28 vite nga dita kur mijëra forca policore dhe ushtarake serbe e rrethuan Prekazin e Drenicës, duke u përballur me rezistencë të armatosur në familjen Jashari. Atë ditë të 5 marsit 1998, në orët e mesditës sikurse tani, në luftime e sipër, njëri nga të rrethuarit arriti të shpëtonte mrekullisht nga ai rrethim i hekurt i vendosur prej policëve dhe ushtarëve serbë. Emri i tij ishte Bashkim Jashari, atë kohë 20 vjeçar, kurse sot, Komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës. Historiku jetësorë i Gjenerallejtënat Bashkim Jasharit, prej luftëtarit të lirisë të UÇK-së deri tek ajo e ushtarakut udhëheqës të FSK-së, mund të lexohet edhe si historia e vetë çlirimit dhe shtetndërtimit të Kosovës.

Andaj nën këto shenja, le t’i kujtojmë dhe nderojmë të gjithë të rënët dhe të gjallët e mbijetuar të Epopesë së UÇK-së, sot, nesër, pasnesër, çdo vit dhe përgjithmonë.

Lavdi Kryekomandantit Adem Jashari!
Lavdi të rënëve në Prekaz më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998!
Lavdi dëshmorëve të lirisë!
Rroftë ushtria e Kosovës dhe ne bashkë me të e krah ushtarëve të atdheut!
Ju falemnderit.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors