Shënohet 8 Marsi, Dita Ndërkombëtare e Gruas

Prishtinë, 9 mars 2026

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas – 8 Marsi, me temën globale të këtij viti: “Të Drejta, Drejtësi, Veprim”, organizuar nga Agjencia për Barazi Gjinore, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës.

Kryeministri Kurti, me këtë rast tha se gjatë mandatit tonë, fuqizimi i grave dhe i vajzave ka qenë prioritet konkret, me politika, buxhet dhe rezultate të matshme.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

E nderuara znj.Albulena Haxhiu, Kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës,
E nderuara znj.Edi Gusia, Drejtore Ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore,
E nderuara znj.Emilija Rexhepi, Nënkryetare e Kuvendit të Kosovës,
E nderuara znj.Eva Palatova, zëvendësshefe e Zyrës së BE-së në Kosovë,
E nderuara znj.Fatmire Kollçaku Mulhaxha, kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Punë, Familje, Vlerat e Luftës Çlirimtare dhe Peticione,
Të nderuara përfaqësuese dhe përfaqësues të institucioneve të vendit dhe të rajonit,
Të nderuara gra, aktiviste të organizatave të shoqërisë civile në vendin tonë,
Të nderuar partnerë ndërkombëtarë,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj

Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, flasim për drejtësi të barabartë jo si një parim abstrakt, por si një përgjegjësi e Republikës së Kosovës.

Drejtësia e barabartë në Kosovë do të thotë që të drejtat e garantuara nga Kushtetuta dhe ligji, të zbatohen plotësisht në çdo gjykatë, në çdo vend pune, çdo komunë dhe në çdo stacion policie. Do të thotë që dhuna në familje dhe diskriminimi nuk tolerohen, justifikohen ose fshihen, por ndiqen penalisht dhe parandalohen. Do të thotë që çdo vajzë dhe grua në Kosovë ka qasje të barabartë në arsim dhe mundësi cilësore për jetë dhe karrierë.

Drejtësia e barabartë do të thotë që gratë nuk janë vetëm votuese, por edhe vendimmarrëse. Do të thotë përfaqësim i barabartë në politikë, lidership, në institucionet publike dhe pjesëmarrje kuptimplote në formësimin e së ardhmes së vendit tonë. Sepse, një demokraci nuk mund të jetë e fortë nëse gjysma e popullsisë së saj është e nën-përfaqësuar.

Do të thotë tolerancë zero për dhunën me bazë gjinore. Jo vetëm deklarata, por urdhra mbrojtjeje të zbatuara, autorët e dhunës mbahen përgjegjës, të mbijetuara të mbështetura me ndihmë ligjore të qasshme dhe strehimore dhe mundësi ekonomike.

Do të thotë ligje pune, që garantojnë pagë të barabartë për punë të barabartë, kujdes shëndetësor, që respekton dinjitetin e grave dhe Ligji për familjen, që mbron barazinë si dhe institucione drejtësie të lira nga paragjykimi dhe ndikimi. Drejtësia e barabartë nuk është vetëm një çështje e grave, është një masë e demokracisë sonë, rrugës sonë evropiane dhe e të ardhmes sonë.

Pra, do të thotë që të drejtat e shkruara në letër duhet të zbatohen në praktikë.

Gjatë mandatit tonë, fuqizimi i grave dhe i vajzave ka qenë prioritet konkret, me politika, buxhet dhe rezultate të matshme.

Kemi mbështetur drejtpërdrejt punësimin e mbi 12 mijë grave. Përmes platformës Superpuna, mbi gjysma e të punësuarve të rinj janë gra, ndërkaq 55% e përfituesve nga programi “Qeveria për familjet” janë po ashtu gra. Mijëra vajza kanë përfituar praktikë pune, bursa në STEM, Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë, dhe mbështetje për ndërmarrësi, bujqësi dhe biznese me potencial eksporti.

Kemi mbështetur financiarisht nënat dhe fëmijët: rreth 80 mijë nëna të reja kanë marrë shtesa, mbi 400 mijë fëmijë përfitojnë nga shtesat për fëmijë, të cilat jepen në emër të nënës, dhe rreth 100 mijë gra kanë hapur për herë të parë si rezultat llogari bankare. Po rrisim edhe qasjen e grave në pronë – nga vetëm 105 prona të regjistruara në emër të dy bashkëshortëve në vitin 2016, një dekadë më vonë janë mbi 31.000 sosh.

Lansuam masën e punësimit për gratë që janë viktima të dhunës: qeveria subvencionon 70% të pagës së të punësuarave për gjashtë muaj me radhë.

Rritëm numrin e grave oficere korrektuese të punësuara në Shërbimin Korrektues: 83 gra gjatë periudhës mars 2021 – dhjetor 2025, për dallim nga periudha 2018-2021 gjatë së cilës kishte vetëm 16 gra të punësuara. Mbështetëm 711 biznese, prej tyre 30% në pronësi të grave, me potencial eksporti përmes granteve në vlerë prej 20.5 milionë euro dhe subvencionim të kredive investuese për 378 biznese prej të cilave 57 kanë qenë biznese të grave; dhe 11 milionë euro për 5,655 gra fermerë në bujqësi përmes subvencioneve dhe granteve.

Në shëndetësi kemi rritur buxhetin për 57%, tash ofrohen mamografi falas gjatë gjithë vitit, vaksina kundër HPV, rezonanca të reja magnetike dhe janë shtuar mbi 70 barna në listën esenciale. Diagnostikimi i hershëm i kancerit të gjirit sot është realitet.

Po investojmë në infrastrukturën e kujdesit për fëmijët: 73 çerdhe të reja, edukim i hershëm i detyrueshëm dhe program kuponësh për familjet në asistencë sociale – sepse aktivizimi ekonomik i grave lidhet drejtpërdrejt me kujdesin ndaj fëmijëve.

Kemi rritur përfaqësimin e grave në administratë dhe në vendimmarrje: 63% e të punësuarve të rinj në administratë në vitin 2024 janë gra; përfaqësimi në borde dhe institucione të pavarura është rekord. Në FSK dhe Policinë e Kosovës numri i grave është në rritje të vazhdueshme. Dhe unë tash së fundmi shef të stafit e kam Flora Maculën, e cila është aktiviste e njohur e shoqërisë civile, por gjithashtu edhe zyrtare, e cila nga pozitat e ndryshme institucionale i ka mbrojtur dhe avancuar të drejtat e grave.

Kemi forcuar mekanizmat kundër dhunës në familje: Strategji Kombëtare, protokoll për trajtimin e dhunimeve seksuale, ndihmë juridike falas për viktimat, subvencionim page për gratë viktima të dhunës dhe 7.3 milionë euro mbështetje për strehimoret.

Në ndërmarrjet publike kemi vendosur meritokraci dhe barazi – 50% e anëtarëve të emëruar janë gra. Dy ndërmarrje të mëdha publike, tani të udhëhequra nga gratë, kanë kaluar nga humbje të thella në fitim dhe auditime të pastra.

Këto nuk janë të nderuara të pranishme vetëm statistika. Janë hapa konkretë drejt barazisë ekonomike, sociale dhe politike të grave në Kosovë.

Barazia nuk është premtim – është punë, vendimmarrje dhe buxhet. Dhe kjo punë vazhdon.

Ju faleminderit për ftesën dhe vëmendjen!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors