14.02.2008

Kryeministri Thaçi takoi kryetarët e kuvendeve komunale të Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka mbajtur sot një takim me kryetarët e kuvendeve komunale të Kosovës, me ç’rast është diskutuar lidhur me përgatitjet teknike të festimeve me rastin e shpalljes së pavarësisë. Ai u ka thënë krerëve të komunave se ky është takimi i fundit para shpalljes së pavarësisë. “Është momenti më i rëndësishëm në historinë e Kosovës. Sytë e gjithë botës janë drejtuar kah ne.

Prishtinë, 14 shkurt 2008

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka mbajtur sot një takim me kryetarët e kuvendeve komunale të Kosovës, me ç’rast është diskutuar lidhur me përgatitjet teknike të festimeve me rastin e shpalljes së pavarësisë. Ai u ka thënë krerëve të komunave se ky është takimi i fundit para shpalljes së pavarësisë. “Është momenti më i rëndësishëm në historinë e Kosovës. Sytë e gjithë botës janë drejtuar kah ne.

Kjo është përgjegjësia jonë. Kjo është merita jonë, që edhe dita e shpalljes së pavarësisë të jetë ditë e dinjitetit dhe respektimit të vlerave qytetare kombëtare dhe bashkëjetesës ndëretnike. Dita e pavarësisë është për të mirën e gjithë qytetarëve dhe në interesin e paqes dhe stabilitetit në rajon”, ka thënë kryeministri. 

Kryeministri Thaçi ka theksuar se në të gjitha komunat e Kosovës, e në veçanti në komunat me komunitete të përziera, duhet të ndërmerren të gjitha masat që të sigurohet se dita e pavarësisë të kalojë e qetë dhe të festohet në mënyrë dinjitoze, pa e penguar dhe pa e provokuar askënd. Z. Thaçi ka potencuar se kjo ditë shënon edhe fillimin e ri te shtetit të ri të Kosovës me perspektivë evropiane, duke shtuar se edhe mesazhet e kryetarëve të komunave të Kosovës janë jashtëzakonisht të rëndësishme për qytetarët e vendit. “Kemi përgatitur Kushtetutën, ka përfunduar edhe përzgjedhja e simboleve, e flamurit dhe e stemës, ndërsa himni i Evropës do të jetë himni ynë në festën e pavarësisë që shpresojmë të jetë shumë i mirëpritur”, ka  nënvizuar z.Thaçi, duke shtuar se programi festiv duhet të ketë mbikëqyrjen rigoroze nga kryetarët e komunave dhe nga personeli i autorizuar. 

Sa i përket programeve festive me rastin e shpalljes së pavarësisë së vendit, kreu i vendit ka thënë se programi zyrtar i përgatitur për çdo komunë duhet të rishikohet paraprakisht nga Zyra e Kryeministrit, ndërkohë që më pas duhet t’i dorëzohet SHPK-së dhe KFOR-it, me qëllim që të ndërmerren masat paraprake të sigurisë. “Nuk janë fare të preferueshme fishekzjarrët, armët e zjarrit apo mjetet e tjera shpërthyese. Përdorimi eventual i këtyre mjeteve do të rrezikonte jetën e qytetarëve dhe do të shkaktonte provokime serioze edhe për komunitetet joshqiptare”, ka thënë Thaçi.

Ai ka kërkuar nga kryetarët e komunave që të respektohen maksimalisht
këto udhëzime dhe udhëzimet shtesë që do të mund t’ju vijnë në ditët e ardhshme, duke kërkuar që edhe personeli komunal përkatës të informohet për rekomandimet shtesë, sepse do të ketë rekomandime shtesë, do të ketë edhe disa obligime që dalin për ditën e shpalljes së pavarësisë, për disa aspekte politike dhe logjistike të cilat dalin dhe me të cilat do të pajiseni në ditën e fundit.

Kryeministri Thaçi ka thënë në fund të takimit se kjo ditë që po vije do të organizohet mirë, sepse kemi ditur edhe të punojmë mirë, të sakrifikojmë dhe të marrim përgjegjësi për ndërtimin e realitetit të ri të Kosovës së pavarur dhe të shtetit sovran demokratik, dhe me vizion të qartë për integrim në strukturat e Bashkimit Evropian dhe NATO-s.