21.06.2022

Kryeministri Kurti zhvilloi takim virtual me zv. Sekretarin e tregtisë së ShBA-ve, Don Graves

 

Prishtinë, 21 qershor 2022

Arritjet ekonomike, potencialet investuese dhe interesat ekonomike të Kosovës ishin tema e takimit virtual që Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi me Zëvendës Sekretarin e Tregtisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Don Graves.

Kryeministri theksoi klimën tërheqëse për investime, veçanërisht në sektorin e teknologjisë së informacionit, që ka potencial të madhe dhe të dëshmuar, me mbi 650 kompani të këtij sektori, 70% e të cilave eksportojnë shërbime kryesisht në ShBA dhe BE. Ai foli për takimet që ka pasur gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku veçoi nënshkrimin e marrëveshjes me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) për investim prej $236.7 milionë në sektorin e energjisë gjatë viteve të ardhshme.

Për ta lehtësuar zhvillimin ekonomik, kryeministri Kurti tha se jemi duke punuar në fuqizim të rendit ligjor, me themelimin e Gjykatës Komerciale, si dhe përmirësimin e mëtejmë të infrastrukturës dhe të bërit biznes në vendin tonë.

Zv. Sekretari foli për mundësitë për investime të kompanive amerikane në Kosovë. U diskutua për angazhimin e Qeverisë së Kosovës për të identifikuar bizneset që do të mund të bashkëpunojnë me kompanitë amerikane.

Ai falënderoi Kosovën për qëndrimin e drejtë sa i përket invazionit ushtarak dhe agresionit rus në Ukrainë.

U bisedua për misionin tregtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që planifikohet të vijë në vjeshtë në Kosovë, me fokus në teknologji të informacionit. Po ashtu, u fol për programin “Partnership for Global Infrastructure” që përfshinë Kosovën, për mundësinë e ndihmës me plehra bujqësore si dhe mundësitë për investimet në infrastrukturë dhe energji të ripërtrishme

Kryeministri Kurti dhe zv.Sekretari Graves u zotuan të vazhdojmë bashkëpunimin dhe të punojnë me ekipet respektive të të dy qeverive.