Kryeministri Kurti: Të hapur për takime dhe dialog me synim arritjen e njohjes së dyanshme


Image


Image


Image


Image


Image


Image

Prishtinë, 22 qershor 2021

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur një fjalim në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës me rastin e vizitës së Ministrit të Punëve të Jashtme të Italisë, Luigi Di Maio, në Kosovë.

Në fjalën e tij kryeministri Kurti tha se sot kishim nderin që ta kemi mes nesh kreun e politikës së jashtme të Italisë, ministrin Luigi Di Maio, një mik siç tha ai i mirëpritur e i respektuar nga Italia, partner kaq i rëndësishëm për Republikën e Kosovës.

Kryeministri Kurti tha se Italia është fqinji më i madh i Ballkanit Perëndimor, është ekonomia më e madhe në jug të Evropës e në Mesdhe, dhe Kosova, si një vend i Evropës Jugore dhe i Ballkanit Perëndimor, e mirëpret vëmendjen e shtuar diplomatike të Italisë.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Shkëlqesia juaj, ministër i jashtëm i Republikës Italiane, Luigi di Maio

Shkëlqesi, ambasadorë, miq të nderuar,

Të nderuara deputete e deputetë të Kuvendit të Kosovës,

Sot kemi nderin të kemi këtu mes nesh kreun e politikës së jashtme të Italisë, ministrin Luigi di Maio. Mik i mirëpritur e i respektuar nga Italia, partner kaq i rëndësishëm për Republikën e Kosovës. Italia është ndër vendet e para që kanë njohur Kosovën, vetëm katër ditë pas shpalljes së pavarësisë sonë. Ajo vuri në dispozicion territorin e saj, i mbajmë mend aeroplanët që ngriheshin nga Aviano, duke ndihmuar çlirimin e vendit tonë, që bartej nga populli dhe UÇK-ja, duke ndalur gjenocidin e Serbisë, që synonte shfarosjen e shqiptarëve.

Italia ka patur dhe ka kaq shumë ndikim në krejt botën. Mijëra vjet histori, kulturë, art dhe dije prej këtij vendi aq të bukur, kanë bërë jehonë gjatë gjithë epokave. Ky vend, që është djepi i Rilindjes Evropiane dhe i të menduarit modern, është burim i pashtershëm vlerash, nga të cilat duhet dhe mund të mësojmë.

Për vlerat më së shumti ne lexojmë në libra, letërsi e histori qytetërimi, apo i shohim në ekspozita artesh, në teatër e kinema. Por nganjëherë vlerat i gjen edhe aty ku nuk ta merr mendja. Teksa po lexoja raportet e ekipit të bashkëpunëtorëve të mi, dhe po përgatisja këtë fjalim, vura re se në shishen e lëngut të portokallit që kisha përpara shkruhej «ky produkt është prodhuar duke respektuar të drejtat dhe dinjitetin e punëtorëve, dhe pa i shfrytëzuar ata». Ishte një produkt italian, Kosova importon prej Italisë shumëçka. Më bëri përshtypje respekti për punën, që reflektonte etiketa e këtij produkti. Nuk e di a është vërtet situata aq mirë sa në etiketë, edhe pse produktet «Made in Italy» kanë një markë të mirë globale pikërisht sepse nuk gënjejnë me ato që shkruajnë në etiketa. Por duke qenë puna koncept i nderuar dhe i gdhendur qysh në nenin e parë të Kushtetutës suaj, ku thuhet se «Italia është një Republikë demokratike e themeluar mbi punën», ma merr mendja se ajo vlerësohet vërtet nga populli punëtor dhe prodhues italian. Respekti për punën është një nga ato vlera që ne duam ta mësojmë e ta zbatojmë, edhe këtu në Republikën e Kosovës.

Për qeverinë e re të Kosovës, perspektiva është plot sfida, por nga ana jonë ka vendosmëri për të ecur përpara pikërisht përmes punës, duke mos lëshuar pe në asnjë moment sa i përket standardeve të republikës dhe demokracisë. Për të cituar kryepiktorin botëror nga Italia, Leonardo da Vinçin, tash për ne është koha kur «Të dish nuk mjafton, duhet të bëjmë. Të kesh vullnet nuk mjafton, duhet të veprojmë». Qeveria jonë e ka mandatin e fortë popullor për të bërë e për të vepruar, në koordinim me partnerët tanë, e vazhdimisht duke kërkuar bashkëpunimin dhe ndihmën e tyre.

Zoti di Maio, Qeveria e re e Kosovës ka filluar tashmë një luftë kundër krimit dhe trafiqeve, edhe me ndihmën e bashkëpunimin e autoriteteve italiane e të vendeve të tjera të BE-së. Ne po ndërmarrim reforma ligjore kundër korrupsionit në drejtësi e në administratë. Jemi duke punuar që të krijohen kushtet për investim në Kosovë nga mërgata jonë, por edhe nga investuesit e huaj, dhe këtu shpresojmë shumë në interesin e kompanive prodhuese nga Italia. Synimi ynë është që Kosova të jetë një vend ku përmes punës krijojmë vlerat ekonomike. Kemi popullsinë më të re në Evropë, të rinjtë tanë kanë prirje të mëdha për inovacion teknologjik dhe janë të arsimuar mirë. Vendndodhja jonë fare pranë Adriatikut e njëkohësisht pranë Evropës Qendrore ul kostot e transportit, ndërkohë që kuadri ligjor e fiskal te ne ofron favorizime për të gjitha kompanitë që dëshirojnë të vijnë këtu, duke respektuar punën dhe punëtorët vendas. Italia dikur ka qenë një vend i mërgimtarëve, sajë punës e prodhimit arrin të jetë sot një fuqi e madhe ekonomike globale. Kosova ende vazhdon të jetë vend mërgimtarësh, por me punën tonë dhe ndihmën e investimin tuaj jemi të sigurt që do të bëhemi shpejt pjesë e denjë e ekonomisë evropiane.

Italia është fqinji më i madh i Ballkanit Perëndimor. Ajo është ekonomia më e madhe në jug të Evropës e në Mesdhe. Kosova, si një vend i Evropës Jugore dhe i Ballkanit Perëndimor, e mirëpret vëmendjen e shtuar diplomatike të Italisë. Vlerësoj shumë, nga ana juaj z. Di Maio, qëndrimin e prerë që keni shprehur sa i përket domosdoshmërisë që gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor të integrohen përnjëherë në Bashkimin Evropian. Integrimi në Bashkimin Evropian sjell dy përfitime të menjëhershme që rrallë vijnë bashkë. Nga njëra anë e rrisin territorin e Bashkimit Evropian, dhe e bëjnë atë të barabartë me kontinentin Evropian, nga ana tjetër, zvogëlojnë kufijtë e Bashkimit Evropian. Integrimi i vendeve tona heq kufijtë e brendshëm, që janë kosto e panevojshme dhe e tepërt, financiare por edhe strategjike, për ju dhe për ne. Zgjerimi i BE-së, shkurton kufirin në të cilën mbrohet ajo.

Kosova ka zbatuar gjithë kërkesat që i janë bërë prej vendeve të BE-së. Këto kërkesa kanë qenë më shumë se sa ato që i janë bërë vendeve të tjera. Megjithatë, ne i kemi zbatuar detyrat tona. E falënderojmë shumë Italinë dhe juve që pandërprerë insistoni që BE-ja t´i liberalizojë vizat me Kosovën. Kjo tregon një miqësi të vërtetë mes dy vendeve tona. Presim që Bashkimi Evropian ta mbajë fjalën dhe të liberalizojë vizat për Kosovën. Miqësia jonë me vendet e BE-së është e patundshme dhe e paçmuar, mirëpo, për të cituar një tjetër personalitet që vjen prej gadishullit Apenin, Ciceronin, «miqësia e vërtetë është e përjetshme, por mosmbajtja e fjalës së dhënë nuk mund të jetë jetëgjatë».

Sa i përket çështjes së dialogut me Serbinë, ju vini pas një vizite në Beograd, dhe në agjendën tuaj diplomacia ballkanike ka zënë vend prioritar. Ne do të jemi vazhdimisht të hapur për takime dhe dialog me synim arritjen e njohjes së dyanshme, siç është shprehur dhe presidenti i SHBA-ve, Joe Biden. Kosova është sinqerisht e interesuar për gjetjen e zgjidhjes së këtij problemi, por zgjidhje mund të jetë vetëm njohja e pavarësisë sonë, të cilën tashmë e njohin shumica e shteteve të OKB-së, 22 nga 27 shtetet anëtare të BE-së, 26 nga 30 shtete anëtare të NATO-s, në të gjitha këto, edhe Italia. Njohja e Kosovës e ndihmon edhe Serbinë, dhe e çliron atë prej mentalitetit sundues e spastrues të trashëguar prej Milosheviqit. Sigurisht, ka diplomatë perëndimorë që sot mund të mendojnë se njohja është e pamundshme, prandaj nuk duhet synuar. Mirëpo, më lejoni të citoj edhe një tjetër italian të shquar, Shën Françeskun e Asizit. Ai thotë «Fillo prej të domosdoshmes, pastaj bëj të mundshmen, dhe befasisht do shohësh se ke arritur të bësh të pamundshmen». E domosdoshmja për ne është pavarësia jonë. Ajo është arritur me çmim të lartë, mbi 12.000 të vrarë, rreth 20.000 gra të dhunuara, 1.632 persona ende të pagjetur. Prandaj ne do të këmbëngulim me të domosdoshmen, duke konfirmuar pavarësinë. Pa e vënë kurrë në diskutim pavarësinë dhe sovranitetin, integritetin territorial të Kosovës, së bashku me miqtë tanë, do të bëjmë gjithçka të mundshme, duke ofruar modele të bashkëpunimit rajonal dhe tregtisë së lirë, duke kërkuar një pakt të paqes e mossulmimit, duke ofruar reciprocitet pas njohjes për gjithçka, përfshirë dhe trajtimin e pakicave, e duke kërkuar largimin e kriminelëve të luftës prej institucioneve që trajtojnë çështjet e të zhdukurve me dhunë. Po t´i përmbahemi kësaj rruge, sepse tjetër nuk kemi, do të shohim se edhe e pamundshmja do të bëhet e mundshme. Kthim prapa nuk ka, sepse nuk duam dhe nuk do të ketë përsëritje të tragjedive.

Ju falemnderit.

 

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors