20.06.2022

Kryeministri Kurti: Të drejtat e njeriut duhet të dëshmohen më së pari e më së shumti tek refugjatët

Prishtinë, 20 qershor 2022

Në shënimin e Ditës Botërore të Refugjatëve, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk beson që mund të ketë demokraci pa sundim të ligjit dhe pa të drejta të njeriut, e të drejtat e njeriut, siç ka thënë ai, duhet të dëshmohen më së pari, më së shumti pikërisht tek refugjatët, që janë njerëz, por nuk janë qytetarë të Republikës së caktuar.

Në fjalën e tij të mbajtur në aktivitetin e organizuar nga Komisariati i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR), kryeministri Kurti tha se të pranosh dhe të ndihmosh refugjatë nuk mund të konsiderohet sukses, sepse kjo nënkupton që diku ka luftë, ka krime e pabarazi. Por, megjithatë ai është shprehur krenar që vendi ynë ndër vite ka hapur dyert për dhjetëra e mijëra refugjatë, duke u ofruar atyre kujdes e mirëqenie në një periudhë të vështirë të jetës së tyre.

Së fundmi vendi ynë ka pranuar afër 1500 refugjatë nga Afganistani, rreth pesë përqind e të cilëve ende ndodhen në Kosovë. Ndërkaq, është shprehur gatishmëria për pranimin e 5000 refugjatëve nga Ukraina dhe të 20 gazetarëve, katër prej të cilëve tashmë janë bërë banorë të kryeqytetit.

Me këtë rast, Zyra e UNHCR-së në Prishtinë ka përshëndetur shefin e misionit, z. Erol Arduç, i cili e përfundon mandatin muajin e ardhshëm. Kryeministri Kurti ia ka shprehur z. Arduç mirënjohjen dhe falënderimin e thellë për punën, angazhimin dhe kontributin e tij për strehimin e refugjatëve.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

I nderuar z. Arduç, Shef i misionit të UNHCR-it në Kosovë
Të nderuar të pranishëm,

Jam i nderuar që jam këtu sot mes jush për të shënuar Ditën Botërore të Refugjatëve. Nuk jemi këtu për ta kremtuar refugjatin, por për ta shprehur solidaritetin tonë me gjendjen e vështirë të tyre. Çdo shtet, çdo republikë duhet të dëshmohet karshi qytetarëve, por edhe karshi refugjatëve, të atyre që janë në Republikë e nuk janë qytetarë.

E populli ynë e njeh shumë mirë ndjenjën dhe situatën e refugjatit sepse e kemi përjetuar atë jo shumë larg nga e tashmja, pra në brezin tonë, gjeneratat tona.

Të qenit refugjat është proces i vështirë që buron nga padrejtësia që i bëhet dikujt dhe nga nevoja e mbijetesës larg vendit ku njeriu i ka fillet e tij. Populli ynë përjetoi shumë shtypje, shfrytëzim e padrejtësi, si pasojë e të cilave njerëzit tanë u detyruan të kërkojnë shpëtim dhe jetë më të mirë në vendet e tjera. Por, pa i humbur lidhjet me atdheun dhe besimin se herdokur do të rikthehen tek vendlindja e tyre.

Të pranosh dhe të ndihmosh refugjatë nuk mund të konsiderohet sukses, sepse kjo nënkupton që diku ka luftë, ka krime e pabarazi. Por, megjithatë ndjehem krenar që vendi ynë ndër vite ka hapur dyert për dhjetëra e mijëra refugjatë, duke u ofruar atyre kujdes e mirëqenie në një periudhë të vështirë të jetës së tyre.

Së fundmi kemi pranuar afër 1500 refugjatë nga Afganistani dhe rreth pesë përqind prej tyre ende ndodhen ne Kosovë. Dhe kemi shprehur gatishmërinë që të pranojmë 5000 refugjatë nga Ukraina dhe për 20 gazetarë, katër prej të cilëve tashmë janë bërë banorë të kryeqytetit.

Fazat e procesit të strehimit të refugjatëve ne i kemi kaluar me sukses falë bashkëpunimit me partnerë vendorë e ndërkombëtarë, e këtu padyshim e çmoj kontributin e madh të UNHCR, që ka lehtësuar dukshëm pritjen dhe trajtimin e refugjatëve në Kosovë. UNHCR e ka edhe aftësinë edhe përvojën edhe vullnetin, edhe dijen që të ndihmojë për strehim sa më të madh dhe më të mirë të refugjatëve.

Shumë nga Ministritë e Qeverisë që unë drejtoj, në historikun e tyre kanë bashkëpunim të shëndoshë e me rezultate konkrete me juve, në hartimin e legjislacionit, procedurave për implementimin e ligjeve, përgatitjen e stafeve për zbatimin e të drejtave të njeriut, ndihmën juridike për azilkërkues e refugjatë, si dhe ngritjen e kapaciteteve tona në pritjen dhe akomodimin e tyre.

I nderuar z. Arduç,

Me rastin e përfundimit të misionit tuaj në Kosovë, dua të rikujtoj se së bashku me ju kemi qenë shpresa e shumë refugjatëve që strehuam në Kosovë. Ju shprehë mirënjohjen dhe falënderimin e thellë në emër të Qeverisë dhe Ministrave që kanë pasur fatin e mirë të bashkëpunojnë me ju, për punën, angazhimin dhe kontributin tuaj.

Uroj dhe mbes me shpresë që njerëzit anembanë globit të kenë sa më pak arsye të largohen nga vendi i tyre, nga vendi ku janë lindur e janë zhvilluar. Por nëse ndodh të largohen, dyert tona do të jenë të hapura dhe do t’u ofrojmë mikpritjen dhe kushte të dinjitetshme jetese, siç garantohet me konventat ndërkombëtare për të drejtat e refugjatëve.

Unë nuk besoj që mund të ketë demokraci pa sundim të ligjit dhe pa të drejta të njeriut, e të drejtat e njeriut duhet të dëshmohen më së pari, më së shumti pikërisht tek refugjatët, që janë njerëz, por nuk janë qytetarë të Republikës së caktuar.

Ju falemnderit dhe ju dëshiroj suksese në misionin tuaj të radhës.