20.06.2022

Kryeministri Kurti takoi gazetarët ukrainas të strehuar në Kosovë

Prishtinë​, 20 qershor 2022

Në Ditën Botërore të Refugjatëve, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti takoi gazetarët ukrainas të strehuar në Kosovë.

Të detyruar të largohen nga Ukraina pas invazionit rus, Lyudmila Makey, Daria Meshcheriakova, Lyudmila Mekh dhe Serhi Shevchenko tani banojnë në Prishtinë, në kuadër të programit Gazetarët në Rezidencë Kosova. Ata shprehën mirënjohje për mikpritjen dhe mundësinë për të vazhduar profesionin e gazetarisë nga vendi ynë.

Kryeministri Kurti ritheksoi solidaritetin me popullin ukrainas dhe luftën çlirimtare kundër agresionit ushtarak të Federatës Ruse dhe invazionit në Ukrainë. Ai potencoi përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të kontribuar për paqen e qëndrueshme, stabilitetin afatgjatë dhe sigurinë globale.

Në takimin e përbashkët me Flutura Kusari nga Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF) dhe Xhemajl Rexha e Getoarbë Mulliqi nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, u fol edhe për mbarëvajtjen e programit Gazetarët në Rezidencë Kosova (Journalists-in-Residence Kosova). Ky program realizohet në sajë të bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës, Qendrës Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF), Federatës Evropiane të Gazetarëve (EFJ), Unionit Kombëtar të Gazetarëve të Ukrainës dhe Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës .

Programi i financuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës mbulon kostot e jetesës, pagat dhe zyrat për një periudhë deri në gjashtë muaj, për t’u mundësuar gazetarëve ukrainas të punojnë nga distanca.