23.11.2021

Kryeministri Kurti takoi anëtarin e Bordit të Postës së Austrisë, njëherit President i Forumit Ekonomik të Vjenës, Peter Umundum

Vjenë, 23 nëntor 2021

Në kuadër të vizitës së tij dy ditore në Austri, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me z.Peter Umundum, Drejtor i Kolipostës dhe Logjistikës së Postës së Austrisë dhe anëtar i Bordit të Postës së Austrisë, njëherit President i Forumit Ekonomik të Vjenës (Vienna Economic Forum).

Sektori Postar në Austri përbën model të përmirësimit të vazhdueshëm të shërbimeve në hap me zhvillimim teknologjik dhe performacës së lartë në besueshmëri.
Pasi dha një prezantim mbi funksionimin dhe organizimin e brendshëm të Postës së Austrisë, z.Umundum shprehu interesimin e tij për bashkëpunim me Kosovën në këtë fushë, duke ofruar përvojat dhe njohuritë e Postës së Austrisë.

U bisedua për rritjen që ka përjetuar sektori postar gjatë pandemisë, në veçanti shërbimet elektronike dhe përfitimet nga kjo përvojë në avancimin e mëtutjeshëm të shërbimeve postare.
Kryeministri Kurti tha se zhvillimi i këtij sektori në Kosovë është komponent shumë i rëndësishëm i infrastrukturës socio-ekonomike të vendit, dhe si i tillë e ka vëmendjen e plotë të qeverisë së Republikës së Kosovës. Posta e Kosovës ka nevojë për modernizim të shërbimeve aktuale por edhe prezantim të shërbimeve të reja. Në këtë drejtim, Posta e Austrisë mund të shërbej si model, u shpreh kryeministri Kurti.

Në takim, gjithashtu u diskutua për mundësinë e themelimit të një qendre postare të Postës së Austrisë për Evropën Qëndrore në Republikën e Kosovës.