26.09.2021

Kryeministri Kurti priti në takim liderët e partive opozitare

Prishtinë, 26 shtator 2021

Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, mbrëmë i ka ftuar liderët e subjekteve opozitare në Kuvend, dhe sot në mëngjes ka pritur në takim kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës z. Memli Krasniqi dhe kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, z. Lumir Abdixhiku.

Takimi i sotëm është zhvilluar me qëllim të njoftimit të partive opozitare për gjendjen e sigurisë në vend, në veçanti në veri të Kosovës. U bisedua për situatën dhe zhvillimet në pjesën veriore të Republikës së Kosovës, si dhe u theksua përkushtimi i institucioneve të Republikës së Kosovës në shërbim të paqes dhe sigurisë, kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në vend.

Krerët opozitarë Krasniqi dhe Abdixhiku shprehën mbështetjen për sundimin e ligjit në mbarë territorin e Kosovës dhe për mbrojtjen e kufijve të shtetit tonë.

Ata po ashtu theksuan mbështetjen për Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera shtetërore.

 

 

Agjenda

Të gjitha