25.11.2021

Kryeministri Kurti: Përkushtimi ynë institucional e shoqëror për eliminimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave vazhdon çdo ditë

Prishtinë, 25 nëntor 2021

Duke përkujtuar jetët e humbura të grave dhe vajzave, si pasojë e dhunës në baza gjinore, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bëri hapjen e fushatës 16 Ditë të aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore ndaj grave dhe vajzave.

Dhuna ndaj grave nuk është një çështje private. Është çështje e sigurisë publike, shoqërore e kombëtare, e mbrojtjes së jetës si e drejtë njerëzore fundamentale, tha kryeministri Kurti.
Ai u bëri thirrje të gjithë burrave që të jenë model në shtëpi dhe në punë, të ngrisin zërin krah për krah me gratë për barazinë gjinore dhe kundër dhunës me bazë gjinore.

Shënimi i 25 Nëntorit, hapja e fushatës së 16 Ditëve të aktivizmit, është thirrje për bashkëpunim më të thelluar mes nesh, për të dëshmuar zero tolerancë për dhunën ndaj grave dhe vajzave, për të fuqizuar zinxhirin institucional që funksionon me këtë renditje: përgjigje institucionale në parandalim, mbrojtje dhe trajtim të rasteve të dhunës ndaj grave, vënie të drejtësisë së munguar, shërbime të shpejta dhe cilësore për çdo rast të dhunës ndaj grave, llogaridhënie institucionale, për të shpëtuar jetën e çdo gruaje apo vajze, pa dallim moshe a etnie, tha kryeministri Kurti.

Prandaj, kryeministri theksoi domosdoshmërinë për të rritur kapacitetet e institucioneve të sigurisë, duke insistuar në krijimin e departamenteve të posaçme për trajtimin e rasteve të dhunës ndaj grave, me burime të mjaftueshme njerëzore dhe financiare, për të rritur masat e sigurisë dhe për të trajtuar me urgjencë dhe në afate kohore, që shpëtojnë jetën, duke krijuar ambient të sigurt.

Ai ritheksoi domosdoshmërinë e programeve për fuqizim ekonomik për të mbijetuarat e dhunës në familje, që gratë t’i largojmë nga cikli i dhunës, dhe t’i ndihmojmë që nga viktima të lëvizin në individë të lirë dhe të pavarur, që marrin vet vendime për të ardhmen e tyre.

Duke bërë thirrje për gratë që të kenë më shumë solidaritet gjinor, kurse burrat më shumë emancipim për barazinë gjinore, kryeministri theksoi se përkushtimi institucional e shoqëror për eliminimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave, vazhdon çdo ditë.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti në hapje të fushatës 16 Ditë të aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore ndaj grave dhe vajzave:

E nderuara Zëvendësministre e Drejtësisë dhe Koordinatore Nacionale kundër Dhunës në Familje, znj. Nita Shala,
E nderuara Kryeshefe Ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore, znj. Edi Gusia,
E nderuara znj. Ulrika Richardson, Koordinatore për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara në Kosovë,
E nderuara znj. Douwes nga Zyra e Bashkimit Evropian,
I nderuar z. Frank Power, Udhëheqës i Zyrës së Këshillit të Evropës,
Të nderuar anëtarë të Grupit Koordinues Ndër-Ministror kundër dhunës në familje,
Të nderuara aktiviste, mbrojtëse të të drejtave të grave,

Në ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, përkujtojmë jetët e humbura të grave dhe vajzave, si pasojë e dhunës. Sot e nderojmë kujtimin e tyre dhe zotohemi se do ta luftojmë dhunën ndaj grave dhe femicidin!

Si përgjigje ndaj dhunës së përshkallëzuar, institucionet tona e kanë përmirësuar dukshëm kornizën ligjore me ndryshimet e fundit të ‘përqafimit’ të Konventës së Stambollit. Gjithashtu, kemi avancuar nëpërmjet definimit të dhunës ndaj grave si vepër penale në Kodin Penal, inicimit të hartimit të Strategjisë së re për mbrojtje nga dhuna në familje dhe dhuna ndaj grave, dhe planit të veprimit 2022 -2026.

Shënimi i 25 Nëntorit, hapja e fushatës së 16 ditëve të aktivizmit, është thirrje për bashkëpunim më të thelluar mes nesh, për të dëshmuar zero tolerancë për dhunën ndaj grave dhe vajzave, për të fuqizuar zinxhirin institucional që funksionon me këtë renditje: përgjigje institucionale në parandalim, mbrojtje dhe trajtim të rasteve të dhunës ndaj grave, vënie të drejtësisë së munguar, shërbime të shpejta dhe cilësore për çdo rast të dhunës ndaj grave, llogaridhënie institucionale, për të shpëtuar jetën e çdo gruaje apo vajze, pa dallim moshe a etnie.

Ne nuk guxojmë të lejojmë që qytetarët të jetojnë në ankth dhe në frikë nga e ardhmja, që ndonëse e garantuar me normë ligjore, është e sfiduar nga një mentalitet që gruan nuk e sheh si individ të barabartë, që gëzon të drejtat e plota. Kjo kërkon veprim të menjëhershëm, që në qendër të veprimeve tona kur hartojmë politika të vendosim eliminimin e dhunës ndaj grave, si qasje ndër-sektoriale.

Luftimi i dhunës ndaj grave do të jetë prioritet i yni i edukimit dhe formimit cilësor, si parakusht i ndryshimit të normës kulturore, fillimisht përmes qasjes së barabartë për të gjithë fëmijët në edukimin cilësor parashkollor, zvogëlimin e hendeqeve të pabarazive shoqërore, me një qëllim përfundimtar: krijimin e vlerave qytetare që në vegjëli.

Studimet tregojnë se pjesëmarrja e barabartë në arsimin parashkollor i kontribuon marrëdhënieve të mirë informuara mes vajzave dhe djemve, grave dhe burrave të ardhshëm, e rritë aftësitë e tyre dhe i nxitë të angazhohen në ndërtimin e së ardhmes pa dallim gjinie. Edukimi për parandalimin e ngacmimit seksual është një faktor kyç emancipimi dhe mbrojtjeje, që krijohet te gjeneratat e reja, të respektojnë njëri-tjetrin, të respektojnë gratë.

Do të rrisim kapacitetet e institucioneve të sigurisë, duke insistuar në krijimin e departamenteve të posaçme për trajtimin e rasteve të dhunës ndaj grave, me burime të mjaftueshme njerëzore dhe financiare, për të rritur masat e sigurisë dhe për të trajtuar me urgjencë dhe në afate kohore, që shpëtojnë jetën, duke krijuar ambient të sigurt.

Dhuna ndaj grave nuk është një çështje private. Është çështje e sigurisë publike, shoqërore e kombëtare, e mbrojtjes së jetës si e drejtë njerëzore fundamentale. U bëj thirrje të gjithë burrave që të jenë model në shtëpi dhe në punë, sepse ata kanë një rol të rëndësishëm. Është e detyrueshme që burrat të ngrisin zërin krah për krah me gratë për barazinë gjinore dhe kundër dhunës me bazë gjinore.

Është obligim i yni institucional dhe etik t’i mbrojmë të drejtat e njeriut të garantuara me akte juridike, ruajtjen e jetës ta vejmë në fokus të punës sonë, dhe largimin e tendencave të cilat e mbajnë anash zhvillimit gjysmën e popullatës sonë dhe mirëqenien e së cilave ne e kemi prioritet zhvillimor.

Dua të ritheksoj domosdoshmërinë e programeve për fuqizim ekonomik për të mbijetuarat e dhunës në familje, përmes programeve të punësimit, prioritizimit të tyre në skemat për riaftësim profesional. Të mendojmë në krijimin e masave aktive dhe inovative të punësimit, qofshin ato edhe përmes subvencionimit të aktiviteteve të vogla biznesore, që gratë t’i largojmë nga cikli i dhunës, dhe t’i ndihmojmë që nga viktima të lëvizin në individë të lirë dhe të pavarur, që marrin vet vendime për të ardhmen e tyre.

I falënderoj organizatat partnere për mbështetjen ndaj institucioneve tona, me synimin e përafrimit dhe zbatimit të obligimeve të dala nga Konventa e Stambollit. Ju ftoj të gjithave e të gjithëve, që gratë të kenë më shumë solidaritet gjinor, kurse burrat më shumë emancipim për barazinë gjinore.

Prandaj, me këtë takim, të sotëm po hapim fushatën “16 Ditë të aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore ndaj grave dhe vajzave”, që vazhdon deri më 10 dhjetor, Ditën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut.

Ndërsa përkushtimi ynë institucional e shoqëror për eliminimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave, vazhdon çdo ditë.

Ju faleminderit.