12.03.2022

Kryeministri Kurti për The Guardian: Është në interesin e Federatës Ruse që të ketë fushëbeteja të reja

Artikulli i plotë i The Guardian:

Rusia mund të bëjë presion ndaj Serbisë për të minuar Ballkanin Perëndimor, paralajmërojnë liderët

Kosova dhe Bosnje-Hercegovina u bëjnë thirrje liderëve perëndimorë që të ‘angazhohen më aktivisht dhe më fuqishëm’ në rajon

E premte, 11 mars 2022

Rusia ka të ngjarë të zgjerojë konfrontimin e saj me perëndimin duke i bërë Serbisë për të minuar pavarësinë e Kosovës dhe shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor, kanë paralajmëruar liderët rajonal në intervistat me Guardian.
Ata kërkuan gjithashtu që BE dhe NATO të përshpejtojnë qasjen e tyre ndaj aplikimeve për anëtarësim nga vendet e Ballkanit dhe të forcojnë mbrojtjen kundër ndërhyrjes ruse.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, paralajmëroi se “është në interesin e Federatës Ruse që të ketë fushëbeteja të reja, sepse nuk duan të kthehen në paqe”.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, parashikoi se “Rusia, duke destabilizuar Ballkanin Perëndimor, do të kërkojë të destabilizojë të gjithë Evropën” dhe tha se Moska po përdor Serbinë për të rrezikuar vlerat demokratike.

Shefik Xhaferoviq, anëtari boshnjak (musliman boshnjak) i presidencës trepalëshe të Bosnje-Hercegovinës, paralajmëroi se vendi i tij ishte veçanërisht i cenueshëm ndaj ndërhyrjes ruse, pasi Milorad Dodik, anëtari serb i presidencës që ka lidhje të ngushta me Kremlinin, po kërcënon të tërheqë pjesëmarrjen e serbëve të Bosnjës  nga ushtria kombëtare, gjyqësori dhe sistemi tatimor – në efekt duke shkelur kështu traktatin e paqes të Dejtonit që i dha fund luftës në vitin 1995.
“Dodik po përpiqet të përfitojë nga fakti që vëmendja e perëndimit është e përqendruar te Ukraina,” tha Xhaferovi1 për Guardian. “Ai inkurajohet në sjelljen e tij nga Rusia, e cila është gjithmonë e prirur të tregojë se mund të destabilizojë nënshtresën e butë të BE-së dhe NATO-s. Qeveritë perëndimore duhet ta marrin këtë shumë më seriozisht dhe të angazhohen më aktivisht dhe më fuqishëm në Bosnjë  dhe në të gjithë rajonin.”
“Këto janë ditë të zeza për Evropën dhe mbarë botën. Jemi dëshmitarë të diçkaje që është e tmerrshme. Ne pamë një tmerr të ngjashëm këtu në Bosnje-Hercegovinë në vitet 1990”, tha Xhaferoviq.

Osmani tha se paqësimi i autokratëve si Vladimir Putin dhe presidenti Vuciq ishte treguar se nuk funksiononte në Ukrainë. Ajo paralajmëroi: “Rusia ka të ngjarë të përdorë ose Baltikun ose Ballkanin Perëndimor – ose të dyja – për të rritur tensionet dhe për të zgjeruar krizën ndërkombëtarisht.”

Kurti tha: “Kam frikë se sa më gjatë të zgjasë lufta në Ukrainë, aq më të mëdha janë shanset e përhapjes në Ballkanin Perëndimor. Dhe kjo sepse është në interesin e Federatës Ruse që të ketë fushëbeteja të reja .”
“Putini ende e konsideron ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë si ngjarjen më të rëndësishme ndërkombëtare të kohëve të fundit”, tha Kurti. “Ai dëshiron që shteti i Kosovës të dështojë në mënyrë që të tregojë se suksesi i NATO-s ishte i përkohshëm, sikurse në Irak dhe Afganistan.”

Deklaratat e tyre erdhën pasi Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, filloi një turne në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë Kosovën dhe Serbinë, duke thënë se ajo ishte e vendosur të dërgonte një mesazh se Evropa nuk do ta linte rajonin të binte nën ndikimin e Rusisë.

Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi tashmë anëtarë të NATO-s, kanë dyfishuar thirrjet e tyre për të bërë përparim serioz në aplikimet e ngecura për t’u anëtarësuar në BE.
Kosova po aplikon edhe për anëtarësim në Këshillin e Evropës – nga i cili Rusia po jep dorëheqjen. Osmani tha: “Gjithçka që shohim në Ukrainë na sjell kujtimet e çmimit të rëndë që duhej të paguanim për të arritur lirinë tonë. Pra, ne mund të jemi një vend i vogël, por shpresojmë se kemi një zë të madh për të thënë se nuk ka çmim shumë të lartë për të mbrojtur demokracinë.”

Kurti dhe Osmani, anëtarë të partive të ndryshme, por partnerë në qeveri, përballen me një pengesë të veçantë, pasi pesë vende të BE-së ende nuk e kanë njohur Kosovën.
Kosova shpalli pavarësinë e saj në vitin 2008, gati një dekadë pas një lufte të përgjakshme çlirimtare që pa forcat ajrore të NATO-s që bombarduan Beogradin ndërsa aleanca iu afrua një konfrontimi të drejtpërdrejtë me Rusinë – diçka që nuk ishte e përgatitur ta bënte në Ukrainë.

Serbia, vetë aspirante për anëtarësim në BE, po kryen një akt delikat balancues midis aspiratave të saj evropiane dhe lidhjeve të ngushta kulturore dhe politike me Rusinë. Në fillim të këtij muaji, mijëra njerëz valëvitën flamujt rusë dhe fotografitë e Putinit në një demonstratë pro-Moskës pas pushtimit të Ukrainës.
Vuçiq ka theksuar vazhdimisht se vendi votoi kundër Rusisë në votimin kyç të fundit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, në vend që ta mbështeste atë.

Osmani theksoi: “Beogradi është i vetmi vend në Evropë me protesta pro Putinit, ku politikanët thonë se mbështesin agresionin. Ata janë i vetmi vend në Evropë që nuk e ka përafruar veten me sanksionet e BE-së. Krejt e kundërta – ata kanë rritur numrin e fluturimeve nga Beogradi në Rusi”.

Kurti tha: “Neutraliteti është të anosh nga agresori. Është gjëja më e turpshme që mund të bësh. Ju nuk mund të jeni neutral midis zjarrit dhe zjarrfikësit.”