11.03.2022

Kryeministri Kurti për Agjencinë Franceze të Lajmeve: Presidenti despotik Putin është në kërkim të një konference të re të Jaltës


Intervista e plotë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti për Agjencinë Franceze të Lajme, AFP

Pyetja: Z. Kryeministër, po fillojmë me krizën në Ukrainë. Agresioni mbi Ukrainën nga Rusia, ta krijon përshtypjen që e ka tronditur, e ka rrezikuar thellësisht rendin ekzistues të sigurisë në Evropë, i cili është krijuar me përmbysjen e Murit të Berlinit. Shumë analistë thonë që bëhet fjalë për një goditje tektonike dhe pyetja jonë e parë është, a mendoni, a gjasa, a ka shpresë, që ky sistem të rikthehet, të rikuperohet?

Kryeministri Kurti: Agresioni ushtarak dhe invazioni rus ishin shokues, por jo edhe të befasishëm. Nuk ishin të befasishëm, meqenëse e kemi parë duke u përgatitur dhe duke ndërtuar edhe në aspektin e ligjërimit politik nga Kremlini, por edhe të grumbullimit të forcave të mëdha ushtarake me artileri të rëndë në kufijtë lindor të Ukrainës. Pamjet janë shokuese, është vështirë ta besosh çfarë po sheh, mirëpo askush nuk mund të shtiret se ka qenë i befasuar. Kjo është një luftë e paralajmëruar më herët, për shkak se hegjemonia ruse, imperializmi rus dëshironte me çdo kusht territore të reja, dëshironte zgjerim dhe përballje me Bashkimin Evropian dhe me NATO-n. Presidenti despotik rus, Putin, është në kërkim të një konference të re të Jaltës, por konferenca e re e Jaltës nuk është e mundshme pa luftë. Andaj, edhe kishim këtë agresion ushtarak dhe invazion rus.

Padyshim që arkitektura e sigurisë së kontinentit evropian duhet të rimendohet, sepse nuk i kemi më kushtet e paqes pas rënies së Murit të Berlinit. Luftërat, të cilat u zhvilluan gjatë këtyre tri dekadave nëpër kontinentet e tjera, tash kanë ardhur në Evropë dhe atë në përballje me Rusinë, e cila udhëhiqet nga një person, që është njëkohësisht edhe shumë i hidhëruar edhe shumë nostalgjik. I kishim edhe luftërat në kuadër të shpërbërjes së dhunshme të ish-Jugosllavisë, mirëpo, ajo çfarë shohim sot, është marshimi i ushtrisë ruse, njëra ndër ushtritë më të fuqishme të botës e të kohës dhe padyshim që NATO-ja do të duhej që tash ta rris mobilizimin e vet, por gjithashtu edhe të mendojë se si t’i përgjigjet Rusisë, në kushtet kur qartazi lufta hibride doli se nuk na paska qenë zëvendësim për luftën, por fazë përgatitore për të.

Pyetja: Është sulmuar shteti më i madh, vendi më i madh në Evropë. Madje në mesin e observuesve perëndimorë mund të dëgjohet që e konsiderojnë këtë sulm, këtë agresion edhe si sulm mbi civilizimin perëndimor. A mendoni që ky agresioni dhe i gjithë impakti që e ka krijuar ky agresion, i ka bërë të pakuptimta ndarjet në Evropë, në vende të NATO-s, vende jo të NATO-s, vende të Bashkimit Evropian, vende jo të Bashkimit Evropian, domethënë të gjithë i shtrohen rrezikut të njëjtë?

Kryeministri Kurti: Pajtohem. Dallimet, të cilat ekzistojnë brenda Bashkimit Evropian dhe brenda Evropës si kontinent në përgjithësi, janë bërë çështje të dorës së dytë për të mos thënë çështje të dorës së tretë, karshi invazionit rus dhe agresionit ushtarak në Ukrainë. Andaj, nëse Bashkimi Evropian dhe NATO-ja nuk e shfrytëzojnë këtë moment për të qenë të bashkuar, ashtu siç e imponon koha, por unë besoj edhe vullneti i popujve, të drejtat qytetare dhe mirëqenia në kontinentin evropian, atëherë do ta paguajmë shumë shtrenjtë me të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tanë.

Prandaj, është e domosdoshme që të ketë një unitet të shtuar edhe institucional, ashtu siç është popullor. Unë jam i bindur që tash popujt e Evropës kurrë nuk kanë qenë më të bashkuar, veçse ky lloj bashkimi duhet ta gjejë shprehjen e vet edhe në politikë edhe në institucionet përfaqësuese.

Bashkimi Evropian duhet të jetë i bashkuar, sepse është sulmuar Ukraina, e cila paraqet me territor shtetin më të madh në kontinentin evropian. Pra, nuk ka një shtet tjetër, i cili me gjithë territorin e vet, është në kontinentin evropian, e ka më shumë se 600 mijë kilometra katrorë, siç është rasti me Ukrainën. Pra, shteti më lindor në kontinentin evropian, është njëkohësisht edhe më i madhi me territor dhe tash ndodhet në një sulm shkatërrues, që e dëshiron territorin e Ukrainës për Rusinë, por pa ukrainasit.

Pyetja: Keni thënë që agresioni e imponon bashkimin e Evropës si përgjigje të parë ndaj këtij sulmi mbi një vend sovran dhe të pavarur evropian. A mendoni që kanë filluar të krijohen konditat dhe të imponohen konditat nga agresioni rus, për ngritjen e rendit të ri të sigurisë kolektive, ku do të bashkohen nën të njëjtën ombrellë të gjenden të gjitha vendet e evropiane, pa marrë parasysh a i takojnë apo nuk i takojnë mekanizmave të Bashkimit Evropian dhe NATO-s?

Kryeministri Kurti: Evropa dhe perëndimi demokratik në përgjithësi ka nevojë për një koalicion, i cili është i mbrojtjes dhe i sigurisë, por jo vetëm, kundrejt Federatës Ruse. Dhe, ajo çfarë po ngjanë në Federatën Ruse, Evropa mund ta gjej edhe në historinë e vet.

Përshtypja ime e fuqishme është se periudha nga Gorbachevi te Yeltsini paraqiste veçse versionin rus të Republikës së Vajmarit. Kishim një dekadë të Republikës së Vajmarit në Federatën Ruse dhe tash kemi një lider despotik, i cili makinerinë e vet të luftës e ka ndërsyer kundër një populli, i cili as nuk e provokoi dhe as nuk dëshiron luftë. Në këtë kontekst politik e të sigurisë, duhet të përgjigjemi me një koalicion, me ç’rast nuk do të duhej të kufizohemi tek formulat ekzistuese të organizatave ndërkombëtare, por do të duhej që të avancohen ato, e mbase edhe të krijohen të reja, sepse situata është e jashtëzakonshme.

Pyetja: A ka Kosova arsye që të ndjehet e rrezikuar pas agresionit rus, sidomos kur kihet parasysh ekzistimi i marrëdhënieve dhe tensioneve shumë të larta me Serbinë e cila konsiderohet si aleati kryesor i Rusisë në këtë rajon?

Kryeministri Kurti: Presidenti despotik rus po e kërkon një konferencë të re të Jaltës. Për këtë është e nevojshme lufta dhe këtë e bëri, por për këtë është e nevojshme edhe zgjerimi i konfliktit edhe jashtë Ukrainës, e këtë nuk e ka bërë ende. Përshtypja ime është që Putini dëshiron që të ulet në tryezë të negociatave me presidentin amerikan Biden e jo me presidentin ukrainas Zelensky. Synimi i tij është një konferencë e re e Jaltës, Jalta 2, me ç’rast do të ndaheshin sferat e interesit dhe në këtë mënyrë Federata ruse do të synonte të kompensohej për shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik. Prandaj, meqë ata do të synojnë edhe konflikte të reja, Ballkani Perëndimor në përgjithësi, e posaçërisht Kosova janë të rrezikuar. Në të kaluarën presidenti rus na përmendte një herë në muaj, tash na përmend nga disa herë në javë dhe duket qartazi se Republika e Kosovës është një halë të cilën ai e konsideron që e pengon në projektin e vet. Dy muaj pas çlirimit të Kosovës, presidenti rus u pat bërë kryeministër i Federatës ruse, në gusht të vitit 1999, ndërkaq me rastin e dy vjetorit të ardhjes së trupave ruse në Aeroportin e Prishtinës nga Bosnja dhe Hercegovina në qershorin e vitit 1999, pra në qershorin e vitit 2001 ai pat vizituar Kosovën, për t’i vizituar trupat ruse pikërisht në Aeroportin e Prishtinës. Le të mos harrojmë që është ky president ai i cili edhe i aneksoi Osetinë Jugore dhe Abkhazinë në Gjeorgji, pikërisht në vitin kur Kosova e shpalli pavarësinë, ndërkaq një javë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës u nënshkrua marrëveshja ndërmjet Serbisë edhe Federatës Ruse për dhënien e shumicës së aksioneve të industrisë së naftës në Serbi te Gazprom-i dhe po ashtu të bazenit të gazit në Banatski Dvor në Vojvodinë, sërish tek Gazprom-i. Nga 250 deputetë sa i ka Kuvendi i Serbisë, 151, pra më shumë se 60 për qind, janë në grupin e miqësisë Serbi – Federatë Ruse. Në Kuvendin e Kosovës janë një dyzinë deputetësh në grupe të miqësisë me shtete të ndryshme. Pra, atje mbi 60 për qind të parlamentit janë në grupin e miqësisë me Federatën Ruse. Kur kësaj ia shtojmë edhe faktin që ka ma shumë se një dekadë që Rusia është shumë aktive në Serbi, sidomos me “Qendrën Humanitare Ruse” siç e quajnë ata në Nish dhe me Sputnikun që e ka në rajon qendrën në Beograd, natyrisht që ne duhet të jemi shumë vigjilent, të kujdesshëm, por nuk do të frikësohemi asnjëherë prej tyre.

Pyetja: Nuk ka pas asnjë prononcim të vetëm të liderëve të lartë të Kosovës prej shpërthimit të krizës në Ukrainë, të paktën unë nuk kam parë, ku nuk apelohet për pranimin e Kosovës në NATO. A mendoni që Ballkani si zonë tradicionale e interesit të Rusisë mund të jetë targeti i radhës i Rusisë pasi të përfundoj ky në Ukrainë?

Kryeministri Kurti: Në rastin më të mirë mund të themi që presidenti rus është i paparashikueshëm. Realisht ai është i parashikueshëm. Ai është lider i luftës, nuk është i paqes. Ai është i interesuar që ta marrë gjithë Ukrainën, nëse s’mund ta marrë gjithë atëherë ta ndajë sikurse Bosnjën, ta shndërroj Kievin në një Grozni apo Sarajevë të dytë dhe gjithashtu ta shpërndajë edhe gjetiu konfliktin, ku do t’i përdorë faktorët e aktorët të cilët i kontrollon edhe në Ballkanin Perëndimor. Në këtë situatë të jashtëzakonshme ne nuk mund të sillemi në mënyrë të zakonshme. Andaj, edhe anëtarësimi në Bashkimin Evropian edhe anëtarësimi në NATO nuk mund të jenë sipas mënyrave të vjetra.

Është tejet e domosdoshme që Brukseli si kryeqytet i dyfishtë, edhe i NATO-s edhe i Bashkimit Evropian ta rimendojë një mënyrë të re për integrimin e brendshëm dhe për zgjerimin në Ballkanin Perëndimor. Ballkani Perëndimor dhe Kosova në zemër të këtij Ballkani Perëndimor është pjesë e kontinentit evropian. Me rastin e integrimit në BE dhe në NATO, kufiri i jashtëm i këtyre dy organizmave më të rëndësishëm të paqes që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, kufiri i jashtëm zvogëlohet për rreth 3 mijë kilometra, që do të thotë edhe për sigurinë është shumë mirë.

Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor ende të paintegruara në Bashkimin Evropian për nga popullsia janë përafërsisht sa Holanda, e për nga bruto produkti vendor i kombinuar janë përafërsisht sa Sllovakia. Rrjedhimisht nuk është barrë e madhe për Bashkimin Evropian integrimi i përshpejtuar i rajonit tonë.

Pyetja: Do të thotë mendoni që emergjenca e situatës e imponon edhe emergjencën në procedurë të pranimit, zgjerimit të NATO-s dhe Bashkimit Evropian?

Kryeministri Kurti: Metodat e vjetra të zgjerimit të NATO-s dhe të Bashkimit Evropian mund të kenë kosto shumë të lartë pas agresionit ushtarak dhe invazionit rus në Ukrainë, i cili unë besoj që synon të mos ngelet vetëm në Ukrainë.

Pyetja: Dhe në fund Kosova dhe Ukraina nuk kanë marrëdhënie diplomatike. Ukraina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por përkrahja e deritanishme e Kosovës për Ukrainën, politike, morale, financiare me këto kushtet modeste të Kosovës, e ka bërë Kosovën, të krijohet përshtypja, lidere në rajon në përkrahjen e Ukrainës. Nga buron ky solidarizim me një vend që s’e ka njohur Kosovën?

Kryeministri Kurti: Tek lufta mbrojtëse dhe çlirimtare e popullit të Ukrainës, ne gjejmë shumë ngjashmëri me situatën tonë para një çerek shekulli, kur një fqinj shumë më i madh verior dëshiron të të okupojë, të të shtypë, të të shfrytëzojë, të të diskriminojë, të krijojë aparteid dhe gjithashtu provon edhe gjenocidin, i cili në Kosovë u nis, por u ndalua nga intervenimi i NATO-s, që të mos kishim shfarosje të shqiptarëve në vendin tonë. Pra, ne kishim në njërën anë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, e cila e nisi rezistencën dhe luftën për çlirim e për liri dhe kjo e ndërgjegjësoi opinionin publik ndërkombëtar, diplomacinë botërore për të na mbështetur. Askush sikurse populli i Kosovës nuk e sheh ngjashmërinë e asaj çfarë na ka ndodhur në jetën tonë, jo në librat e historisë, në jetën tonë, me kontekstin aktual në Ukrainë, ku lufta mbrojtëse dhe çlirimtare te popullit të Ukrainës, po gjen një solidaritet dhe admirim të jashtëzakonshëm në botën perëndimore demokratike, sikurse tek ne në vitet 1998 dhe 1999.