21.06.2022

Kryeministri Kurti: Na duhet angazhim i përbashkët për të adresuar të shkuarën

Prishtinë, 21 qershor 2022

Rehabilitimi dhe rivendosja e drejtësisë për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës dhe viktimat e krimeve të luftës së viteve 1998-99 në Kosovë, u theksuan nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në tryezën e organizuar nga Zyra e Kryeministrit në shënim të Ditës ndërkombëtare për eliminimin e dhunës seksuale në konflikt.

Të dielën, kujtuam e nderuam me homazhe, viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, që nuk janë më në mesin tonë. Ato gra e burra që jetuan të rrethuar me heshtje dhe që i humbëm në heshtje, para se të dëgjonim e dokumentonim për krimet e dhunën që përjetuan, tha kryeministri Kurti.

Duke theksuar se krimet e luftës nuk parashkruhen, kryeministri tha se të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës kanë nevojë për drejtësi. Andaj nuk mund të ketë amnisti për këtë krim të kryer, këtë armë lufte që e kanë përdorur okupatori serb gjatë luftës në Kosovë, shtoi ai.

Janë bërë 5 vite prej kur ka filluar punën Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale gjatë Luftës në Kosovë. Me vendim të Qeverisë, komisionit ia kemi zgjatur mandatin edhe për tri vjet, tha kryeministri Kurti.

Ai u bëri thirrje të mbijetuarave, që të aplikojnë për njohjen e statusit të tyre, që është edhe njohje simbolike e dhimbjes së tyre, por edhe e krimeve të kryera nga forcat serbe në Kosovë. Veçanërisht u bëri thirrje të gjithë burrave e djemve, që të mbështesin gratë e vajzat në familjet e tyre, pasi largimi i familjes e ndarja e shoqërisë është një nga efektet shkatërruese, për të cilët dhuna seksuale përdoret si armë lufte.

ࣿNa duhet në vazhdimësi angazhim i përbashkët i institucioneve, organizatave të shoqërisë civile, medieve e të shoqërisë në përgjithësi, për të përmirësuar mirëqenien e tyre e për të adresuar të shkuarën, që nuk është veç e tyre, shtoi ai. Kryeministri theksoi se me angazhim të përbashkët duhet t’i inkurajojmë rrëfimet për gjenocidin e Serbisë dhe krimet e tjera të saj, sepse e vërteta na ndihmon të gjithëve edhe si individ edhe si shoqëri.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se duhet të kujdesemi bashkërisht që politikat tona të cilat trajtojnë të kaluarën të kenë në qendër viktimat, nevojat dhe kërkesat e tyre, dhe mbi të gjitha të kenë hapësirën e duhur që ata apo ato të dëgjohen kudo dhe kurdo. Si Ministri e Drejtësisë mbetemi të angazhuar që të fuqizojmë institucionet e drejtësisë, si dhe të përmirësojmë kornizën ligjore në vend, në mënyrë që t’i hapim rrugë vënies së drejtësisë për të gjithë viktimat e krimeve të luftës në Kosovë, si dhe krijimin e kushteve të nevojshme për sjellën para drejtësisë të autorëve të krimit, theksoi ministrja Haxhiu.

Nuk guxojmë të harrojmë faktin se krimet e luftës janë vepra penale që radhiten si krim kundër njerëzimit, të përcaktuara jo vetëm në Kodin penal të Kosovës, dhe si të tilla i karakterizon edhe e drejta ndërkombëtare humanitare, tha prokurorja Drita Hajdari, udhëheqëse e Departamentit për krime lufte, në Prokurorinë Speciale të Kosovës. Ajo shtoi se krimet e luftës nuk janë dhe nuk duhet të jenë çështje vetëm e Kosovës, por duhet të jenë çështje e gjithë bashkësisë ndërkombëtare.

Leonora Selmani, kryetare e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të personave të dhunuar gjatë Luftës në Kosovë, u bëri thirrje të gjithë personave që kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës, të aplikojnë për njohjen e statusit të përcaktuar me legjislacionin në fuqi, si dhe të besojnë në punën e këtij institucioni shtetëror.

Aplikimi do të trajtohet me konfidencialitet të plotë dhe do të sigurohemi që të gëzoni të drejtat tuaja, theksoi ajo.

Në emër të organizatave të autorizuara nga Qeveria për të mbështetur Komisionin Qeveritar, Feride Rushiti nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, theksoi kërkesën për zgjatjen e afatit brenda të cilit viktimat mund të aplikojnë për njohjen e statusit të tyre. Ajo theksoi se të mbijetuarve të krimit të dhunës seksuale gjatë luftës u duhet shumë forcë e mbështetje që të kërkojnë ndihmë dhe përkujdesje.

Në këtë tryezë ishin të pranishëm edhe përfaqësueset e katër organizatave të autorizuara për të mbështetur Komisionin Qeveritar, Nita Shala, Zëvendësministre e Drejtësisë, Edi Gusia, Kryeshefe Ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore, Albina Shabani Rama, Kryetare e Gjykatës Themelore në Prishtinë, anëtarët e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të personave të dhunuar gjatë Luftës në Kosovë, përfaqësues nga zyrat regjionale të Departamentit të Familjeve të Dëshmorëve dhe Invalidëve të Luftës dhe përfaqësues të institucioneve të tjera relevante.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

E nderuara Ministre e Drejtësisë, znj.Albulena Haxhiu,
E nderuara znj.Drita Hajdari, Udhëheqëse e Departamentit për krime lufte, në Prokurorinë Speciale të Kosovës,
E nderuara znj.Leonora Selmani, Kryetare e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale gjatë Luftës në Kosovë,
E nderuara znj.Feride Rushiti, drejtoreshë e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës
Të nderuara përfaqësuese të organizatave të autorizuara për të mbështetur Komisionin Qeveritar,
E nderuar znj.Edi Gusia, Kryeshefe Ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore,
E nderuara znj.Albina Shabani Rama, Kryetare e Gjykatës Themelore në Prishtinë
Të nderuar anëtarë të Komisionit Qeveritar,
Përfaqësues nga Departamenti i Familjeve të Dëshmorëve dhe Invalidëve të Luftës,
Përfaqësues të institucioneve të tjera,
Të nderuara e të nderuar të pranishëm,

Mirë se keni ardhur në këtë tryezë të organizuar në shënim të Ditës ndërkombëtare për eliminimin e dhunës seksuale në konflikt.

Të dielën, kujtuam e nderuam me homazhe, viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, që nuk janë më në mesin tonë. Ato gra e burra që jetuan të rrethuar me heshtje dhe që i humbëm në heshtje, para se të dëgjonim e dokumentonim për krimet e dhunën që përjetuan.

Heshtja vazhdon të mbështjellë këtë krim e me vitet që kalojnë po qëndron si një mur ndarës që vazhdon të lartësohet, që pengon viktimat e mbijetuara të kërkojnë mbështetjen e kujdesin e merituar, dhe drejtësinë e munguar.

Në dekadën e fundit, me guxim e forcë të pashembullt, kemi gra të zonjat që treguan të vërtetën për krimet dhe gjenocidin e Serbisë në Kosovë. Ato kanë folur me zë të lartë për këtë krim, për këtë armë lufte, duke u bërë edhe zëri i mijëra grave e burrave të tjerë të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Kujtojmë zonjën Marte Tunaj, e cila vdiq në maj të vitit 2016. E nderojmë zonjën Vasfije Krasniqi – Goodman, Shyhrete Tahiri-Sylejmani, e të gjitha të mbijetuarat, që me forcën e tyre frymëzojnë dhe inkurajojnë edhe gratë e burrat e tjerë që të thyejnë heshtjen që mveshë këtë krim.

Dhuna seksuale gjatë viteve 1998 – 99 është përdorur si armë lufte nga okupatori serb në Kosovë. Krimet e dhunës seksuale gjatë luftës janë krimet më të tmerrshme që kanë ndodhur ndaj mijëra grave e burrave, vajzave e djemve. Ato kanë shkatërruar shumë jetë, kanë hapur shumë plagë, e kanë shuar shumë histori.

Vitin e kaluar, pas 23 vitesh pandëshkueshmërie për krimin e dhunës seksuale, për herë të parë është dënuar dikush. Zoran Vukotiqi është dënuar me burgim për rastin e ushtrimit të dhunës seksuale ndaj një gruaje shqiptare në Vushtrri.

Të mbijetuarat e dhunës seksuale kanë nevojë për drejtësi. Krimet e luftës nuk parashkruhen. Andaj nuk mund të ketë amnisti për këtë krim të kryer, këtë armë lufte që e kanë përdorur okupatori serb gjatë luftës në Kosove.

Të mbijetuarat e të mbijetuarit e dhunës seksuale kanë nevojë edhe për përkrahjen tonë shoqërore, për të luftuar stigmën e cila i përcjellë.

Janë bërë 5 vite prej kur ka filluar punën Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale gjatë Luftës në Kosovë. Me vendim të Qeverisë, komisionit ia kemi zgjatur mandatin edhe për tri vjet.

Andaj nga këtu u bëj thirrje të mbijetuarave, që të aplikojnë për njohjen e statusit të tyre, që është edhe njohje simbolike e dhimbjes së tyre, por edhe e krimeve të kryera nga forcat serbe në Kosovë.

Na duhet rehabilitim dhe rivendosje e drejtësisë për viktimat, pasi është shumë e vështirë për familjet të vazhdojnë të jetojnë normalisht, përkundër humbjeve dhe vuajtjeve të tyre.

Na duhet drejtësia tranzicionale që të mund të shërohet shoqëria, dhe që të kemi mundësi për të ecur së bashku përpara, drejt së ardhmes.

Drejtësinë tranzicionale e kemi prioritet. Qeveria po e harton Strategjinë Kombëtare për Drejtësi Tranzicionale, dhe ka iniciuar themelimin e Institutit për krimet e kryera gjatë luftës.

Të nderuara zonja e zotërinj,

Nga këtu, veçanërisht u bëj thirrje të gjithë burrave e djemve, që të mbështesin gratë e vajzat në familjet e tyre. Pasi largimi i familjes e ndarja e shoqërisë është një nga efektet shkatërruese, për të cilët dhuna seksuale përdoret si armë lufte. Këto krime nuk kanë ndodhur për shkak se ato gra e vajza, por edhe burra e djem, kishin emra të përveçëm. Dhuna seksuale e të gjitha format e tjera të dhunës e torturës kanë qenë taktike e armë lufte, efektet shkatërruese të së cilës vazhdojmë t’i ndjejmë edhe sot e kësaj dite.

ࣿËshtë e domosdoshme që të gjithë të shprehim solidaritetin tonë të pakushtëzuar me ato e ata që kanë humbur e vuajtur më së shumti.

Të mbijetuarat e të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë e kanë në krah shtetin e tyre. Por na duhet në vazhdimësi angazhim i përbashkët i institucioneve, organizatave të shoqërisë civile, medieve e të shoqërisë në përgjithësi, për të përmirësuar mirëqenien e tyre e për të adresuar të shkuarën, që nuk është veç e tyre.

Me angazhim të përbashkët duhet t’i inkurajojmë rrëfimet për gjenocidin e Serbisë dhe krimet e tjera të saj, sepse e vërteta na ndihmon të gjithëve edhe si individ edhe si shoqëri.

Ju falemnderit.