22.06.2022

Kryeministri Kurti: Marrëdhëniet e shkëlqyera me Gjermaninë duam dhe duhet t’i thellojmë edhe më tej

 

Prishtinë, 22 qershor 2022

Marrëdhëniet tona dypalëshe nuk nxiten vetëm nga interesi ekonomik, por edhe nga lidhjet e palëkundura kulturore dhe historitë familjare, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në “Natën verore të Bashkëpunimit Gjerman për Zhvillim”.

Bashkëpunimi Gjerman për Zhvillim jo vetëm që përfaqëson interesat e qeverisë gjermane në Kosovë, por edhe dëshirën e mbi 400 mijë pjesëtarëve të mërgatës në Gjermani për ta parë Kosovën si pjesë integrale të komunitetit evropian, shtoi kryeministri.

Kryeministri Kurti theksoi se ne kemi arritur shumë si shoqëri falë partnerëve tanë gjermanë dhe ka shumë për t’u pritur për zhvillim dhe bashkëpunim.

Duke theksuar indikatorët pozitivë ekonomikë​, kryeministri tha se po shohim gjithnjë e më shumë njerëz që paguajnë taksat e tyre dhe kontribuojnë për një shoqëri më të fortë, të drejtë dhe më të barabartë.

Ne do të vazhdojmë të qeverisim pa u lodhur dhe në mënyrë transparente – duke i bërë përpjekjet dhe punën tuaj më të qëndrueshme dhe efektive, potencoi ai

Më pak se dy javë më parë patëm një vizitë historike të Kancelarit gjerman Scholz këtu në Prishtinë. Dhe përveç temave të rëndësishme rajonale, ne theksuam edhe marrëdhëniet tona të shkëlqyera dypalëshe dhe se si duam dhe duhet t’i thellojmë ato edhe më tej me projekte të përbashkëta, tha kryeministri. Projekte që janë të qëndrueshme dhe ku populli i Kosovës është përfituesi i vërtetë përfundimtar, shtoi ai.

Gjermaninë dhe Kosovën i bashkojnë të njëjtat synime dhe ideale për një Evropë të lirë, të begatë dhe paqësore dhe ne jemi të lumtur që kemi partnerë si GIZ dhe KfW për të na ndihmuar në arritjen e këtyre synimeve, tha kryeministri.

Kjo mbrëmje u organizua nga Ambasada e Republikës Federale të Gjermanisë, së bashku me Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH dhe Banka Gjermane për Zhvillim.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

I nderuar ambasador gjerman, zotëri Rohde
E nderuara Shefe e Bashkëpunimit për Zhvillim, Zonja Baumann
I nderuar Shef i Zyrës së GIZ, zotëri OberhuberShefi i Zyrës së KfW, zotëri Eschemann,
Të nderuar Shkëlqesi,
Kryetar i komunës Rama,
Ministra të Qeverisë,
Deputetë,
Partnerë dhe miq,

Është kënaqësi të jem këtu me ju sonte në ngjarjen e parë vjetore të Bashkëpunimit për Zhvillim të Gjermanisë dhe Kosovës. Me të vërtetë ka shumë për t’u festuar, ne kemi arritur shumë si shoqëri falë partnerëve tanë gjermanë dhe ka shumë për t’u pritur për zhvillim dhe bashkëpunim.

Më pak se dy javë më parë patëm një vizitë historike të Kancelarit gjerman Scholz këtu në Prishtinë. Dhe përveç temave të rëndësishme rajonale, ne theksuam edhe marrëdhëniet tona të shkëlqyera dypalëshe dhe se si duam dhe duhet t’i thellojmë ato edhe më tej me projekte të përbashkëta. Projekte që janë të qëndrueshme dhe ku populli i Kosovës është përfituesi i vërtetë përfundimtar.

Ky vit ka qenë shumë i mirë për sa i përket të gjithë treguesve tanë ekonomikë: pati rritje dyshifrore, ne po stimulojmë njerëzit të shpenzojnë por edhe të investojnë – gjithashtu shohim gjithnjë e më shumë njerëz që paguajnë taksat e tyre dhe kontribuojnë për një shoqëri më të fortë, të drejtë dhe më të barabartë. Ne do të vazhdojmë të qeverisim pa u lodhur dhe në mënyrë transparente – duke i bërë përpjekjet dhe punën tuaj më të qëndrueshme dhe efektive.

Marrëdhëniet tona dypalëshe nuk nxiten vetëm nga interesi ekonomik, por edhe nga lidhjet e palëkundura kulturore dhe historitë familjare. Bashkëpunimi Gjerman për Zhvillim jo vetëm që përfaqëson interesat e qeverisë gjermane në Kosovë, por edhe dëshirën e mbi 400 mijë pjesëtarëve të mërgatës në Gjermani për ta parë Kosovën si pjesë integrale të komunitetit evropian. Ndoshta fuqinë punëtore të popullit të Kosovës e ndajmë së bashku dhe në mënyrë të barabartë me Gjermaninë.

Më lejoni të përsëris:

Gjermaninë dhe Kosovën i bashkojnë të njëjtat synime dhe ideale për një Evropë të lirë, të begatë dhe paqësore dhe ne jemi të lumtur që kemi partnerë si GIZ dhe KfW për të na ndihmuar në arritjen e këtyre synimeve. Ka dhjetëra OJQ të tjera nga Gjermania – gjithashtu privatisht – të bashkëfinancuara si Diakonie, Help ose Education Unlimited që bëjnë shumë projekte – të cilat shpesh kalojnë pa u vënë re, por kanë ndikim të madh për popullin e Kosovës. Ne i njohim, u jemi mirënjohës dhe i falënderojmë të gjithë.

Në javët dhe muajt e fundit kemi inauguruar shumë projekte të rëndësishme, të cilat ambasadori Rohde i përmendi – më i rëndësishmi është furnizimi i qytetarëve tanë me energji të pastër dhe ujë të pastër. Bashkëpunimi i ngushtë brenda Parkut të Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren është i dashur për mua pasi që sjell sektorin e TIK-ut në Prizren dhe mbështet inovacionin e drejtuar nga teknologjia atje, ndërsa gjithashtu u ofron njerëzve trajnime shumë të nevojshme. Trajnimi i të rinjve tanë – një rini e pakrahasueshme për nga qëndrueshmëria dhe kreativiteti dhe që janë një shtyllë e rëndësishme e gjithë punës sonë të qeverisë.

Faleminderit të gjithëve për mbështetjen e vendit tonë dhe për kremtimin e sontëm të miqësisë dhe bashkëpunimit tonë dypalësh.

Për zotëri Eschemann dhe zotëri Voss – u uroj gjithë të mirat në përpjekjet tuaja të ardhshme dhe ju falënderoj që jeni miq të vërtetë të Kosovës dhe popullit të saj.

Në të gjithë Kosovën mund të shohim se si kemi mësuar nga Gjermania të punojmë më shumë dhe më mirë, dhe këtu sonte mund të shohim se si gjermanët mësuan nga ne për të festuar më mirë.

Ju falemnderit shumë!