20.06.2022

Kryeministri Kurti i falënderoi dhe i uroi suksese ekipit përfaqësues të Kosovës në Lojërat Mesdhetare Oran 2022

Prishtinë, 20 qershor 2022

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në pritjen e organizuar nga Komiteti Olimpik i Kosovws, para nisjes së ekipit përfaqësues të Kosovës në Lojërat Mesdhetare Oran 2022, që do të mbahen në Algjeri.

Fillimisht, duke iu uruar sportistëve suksese në këto gara, Kryeministri Kurti tha se përkushtimi në punë i sportistëve është përulës, prandaj edhe rezultatet nuk janë të rastësishme. Ato janë produkt i punës tuaj të pandalshme, u tha ai dhe i falënderoi të gjithë për përpjekjet që po bëjnë çdo ditë për të përfaqësuar dhe ranguar Kosovën më së larti.

Sporti garues, mbërthen në vete patriotizëm, dashuri dhe qëndrueshmëri ndaj vendit, tha kryeministri Kurti, duke shtuar se përfaqësimi i shtetit në gara sportive ndërkombëtare përveç që reflekton sakrificën e tyre për fitore, mbi të gjitha reflekton dashurinë për Kosovën.

Kryeministri Kurti vlerësoi lartë garimin e sportistëve kosovarë, të cilët për herë të dytë po marrin pjesë në Lojërat Mesdhetare, e ku do të garojnë me sportistë të shteteve nga tri kontinentet, që preken nga Deti Mesdhe.

Aq sa është krenari dhe e bukur, aq është edhe përgjegjësi. Këtë përgjegjësi të madhe, ju jeni ata që dini më së miri ta kanalizoni dhe shndërroni në forcë pozitive në mënyrë që të arrini kulminacionin e karrierave tuaja në sportet që ju prezantoni, tha kryeministri.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

I nderuari president i Komitetit Olimpik të Kosovës, z.Ismet Krasniqi,
I nderuari Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku
E nderuara zëvendësministre, znj.Daulina Osmani,
E dashura Majlinda, Distria, Driton,
Të nderuar sportistë e trajnerë dhe anëtarë të tjerë të ekipit përfaqësues të Kosovës në Lojërat Mesdhetare Oran 2022 në Algjeri.
Të nderuar të pranishëm,

Faleminderit shumë për ftesën që sot të jem bashkë këtu me ju para nisjes së Lojërave Mesdhetare Oran 2022 dhe njëkohësisht për mundësinë që t’ju uroj rrugë të mbarë dhe sukseset më të mëdha në garat tuaja.

Të dashur sportistë dhe trajnerë,

Përkushtimi juaj në punë, dhe në rezultat, është mbresëlënës për të gjithë neve, por gjithashtu edhe përulës për neve ndaj juve. Rezultatet, të cilat po i arrijmë në sporte të ndryshme: xhudo, boks, karate, atletikë, e-sports e të tjera, nuk janë të rastësishme, mirëpo janë produkt i punës suaj të palodhshme e të pandalshme.

Andaj, dua ta falënderoj secilin prej jush për përpjekjet që po bëni çdo ditë për të përfaqësuar dhe ranguar Kosovën më së larti.

Sporti garues, mbërthen në vete patriotizëm dhe qëndrueshmëri. Përfaqësimi i shtetit në gara sportive ndërkombëtare përveç që reflekton sakrificën tuaj për fitore, mbi të gjitha reflekton dashurinë tuaj për Kosovën. E them këtë kështu, për shkak se përmes performances tuaj ndaj rivalëve në fushë, në fund të fundit është garë ndërmjet Kosovës dhe cilit do shtet tjetër që ata të tjerët e përfaqësojnë.

Bashkërisht po shënojmë pjesëmarrjen e dytë në Lojërat Mesdhetare. Aty ku do të garoni me sportistë të shteteve nga të tri kontinentet që preken nga Deti Mesdhe, Kosova merr pjesë përmes performancave tuaja sportive. Aq sa është krenari dhe e bukur, aq është edhe përgjegjësi. Këtë përgjegjësi të madhe, ju jeni ata që dini më së miri ta kanalizoni dhe shndërroni në forcë pozitive në mënyrë që të arrini kulminacionin e karrierave tuaja në sportet që ju i prezantoni.

Kësaj radhe po marrim pjesë me 13 sporte të ndryshme. Për këtë, uroj shumë që përveç rezultateve të xhudos – për të cilat jam i sigurt që nuk do të na mungojnë – të arrijmë medalje edhe në sportet e tjera.

Në këto gara, si dhe në të gjitha të tjerat jemi së bashku. Të gjithë ne, jemi ju.

Shumë suksese dhe faleminderit të gjithëve edhe njëherë.