Prishtinë, 5 prill 2021
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, kanë mbajtur konferencë për media pas mbledhjes së 5-të të Qeverisë, në të cilën u vendosën masa të reja kundër COVID-19.
Kryeministri Kurti teksa foli lidhur me masat e sotme nga Mbledhja e Qeverisë, tha se duke parë trendin e frikshëm të rritjes së infeksioneve me COVID-19, këto masa janë marrë me qëllim që të minimizohet ekspozimi ndaj COVID-19, të ngadalësohet përhapja e virusit, ashtu që kapacitetet shëndetësore të shëndetit publik të mos përmbyten përtej limiteve të tyre, dhe me qëllim që të ruhet shëndeti mendor dhe fizik i qytetarëve, dhe për aq sa është e mundur të mbahet aktiviteti ekonomik i hapur.
Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se javën që lamë pas mirëpritëm kontingjentin e parë të vaksinave në Kosovë dhe se nga dita e parë në krye të kësaj ministrie kanë intensifikuar punën me ekipin e Ministrisë së Shëndetësisë për sigurimin sa më të shpejtë dhe në numër sa më të madh të vaksinave për qytetarët tanë.
“Me angazhimin e përbashkët brenda një kohë të shkurtër do të arrijmë të marrim edhe konfirmime të sigurimit edhe të një sasie të konsiderueshme të vaksinave”, veçoi ministri Vitia, teksa bëri të ditur se situata në terren nuk është e mirë, andaj edhe është kërkuar një analizë e situatës epidemiologjike në vend nga ku janë identifikuar disa kategori me potencial të lartë të shpërndarjes së infeksionit, siç janë: shkollat, institucionet publike dhe private, puna në zyre, në vendet e punës së përbashkët, grumbullimi dhe qarkullimi i qytetarëve në vendet publike duke mos i respektuar masat, përfshirë sidomos restorantet, kafenetë dhe qendrat tregtare, mësimi universitar me prezencë fizike, grumbullimet familjare në rastet e vdekjes, të pamet dhe ahengjet e ndryshme, si dhe ardhja e personave nga vendet e jashtme.
Ministri Vitia nënvizoi se jemi në gjendje të rëndë, prandaj edhe masat që duhet t’i ndërmarrin si qeveri dhe si shoqëri duhet të jenë në përputhje me gjendjen e rënduar. Ai shtoi se gjendjen më së shumti e ka rënduar prezenca e varianteve të reja të Covid-19, sidomos variantit të rrezikshëm britanik, që është shumëfish më i rrezikshëm, më agresiv dhe i prek moshat e reja, çka e bën përhapjen e tij tejet të shpejtë dhe të rrezikshme.
Fjala e plotë e ministrit Vitia:
Javën që lamë pas mirëpritëm kontingjentin e parë të vaksinave në Kosovë. Nga dita e parë që jemi në se nga dita e parë në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, kemi intensifikuar punën me ekipin e Ministrisë së Shëndetësisë për sigurimin sa më të shpejtë dhe në numër sa më të madh të vaksinave për qytetarët tanë.
Me angazhimin e përbashkët brenda një kohe të shkurtër do të arrijmë të marrim edhe konfirmime për sigurimin e një sasie të konsiderueshme të këtyre vaksina. Ndërkohë që sigurojmë vaksinat ne duhet të jemi të vetëdijshëm se situata epidemiologjike dhe situata në terren nuk janë aspak mirë.
Dje janë regjistruar 680 raste të reja dhe 9 vdekje dhe me këto raste numri i përgjithshëm i infektimeve shkon në 93 mijë e 655 kurse vdekjet arrijnë në 1915.
Nga data 08.02.2020 deri më 01.04.2021 me SARS-CoV-2, kanë rezultuar pozitiv 92,198 raste ose 21.2% e mostrave të testuara.
Deri më 01.04.2021, 76.402 raste ose 82.86% e të infektuarve janë shëruar, ndërsa aktualisht janë 13.902 raste aktive.
Në ditët e para të qeverisjes, kemi kërkuar nga IKSHPK një analizë të situatës epidemiologjike në vend. Në bazë të hulumtimit epidemiologjik të rasteve me COVID-19 dhe gjurmimit të kontakteve, janë identifikuar me potencial të lartë të shpërndarjes të infeksionit disa kategori:
- Institucionet publike dhe private, puna në zyre/vende pune të përbashkëta.
- Grumbullimi dhe qarkullimi i qytetarëve në vende publike duke mos i respektuar masat, përfshirë restorantet, kafenetë, qendrat tregtare.
- Mësimi universitar me prezencë fizike.
- Grumbullimet familjare, me theks të veçantë rastet e vdekjes (pamjet) dhe ahengje të ndryshme, si dhe
- Ardhja e personave nga vendet e jashtme.
Në dy javët e fundit kemi pasur mesatarisht mbi 10 vdekje në ditë, trend i cili duhet të ndryshohet urgjentisht me masa të cilat janë proporcionale me situatën e krijuar.
Jemi në gjendje të rëndë, prandaj edhe masat që duhet t’i ndërmarrim si qeveri dhe si shoqëri duhet të jenë në përputhje me këtë gjendje të rënduar, natyrisht duke i pasur parasysh të gjitha rrethanat që i përmendi kryeministri.
Ajo që ka rënduar më shumë situatën është prezenca e varianteve të reja të Covid-19, sidomos e variantit të rrezikshëm Britanik kohën e fundit. Nga 147 mostra të dërguar për testim, mbi 97.27% kanë rezultuar me variantin e ri Britanik që shpjegon edhe trendin e rritjes së rasteve të reja por edhe rritjen e rasteve me fatalitet.
Varianti i ri Britanik është shumëfish më i rrezikshëm sepse është më shpërndarës, më agresiv dhe i prek moshat e reja, çka e bën përhapjen e tij tejet të shpejtë dhe të rrezikshme.
Gjendja në spitalet tona është shumë e rëndë.
Në spitalet tona kemi mbi 882 persona të shtrirë, ku 692 pacientë të shtirë janë me oksigjeno terapi, 31 nga këta pacientë janë me CPAP.
Dhe 8 nga ta janë me respirator.
Sipas projeksionit nga analiza e IKSHPK brenda pak javësh, brenda pak ditësh numri i të shtrirëve në spitalet tona do të kalojë numrin 1 mijë.
Prandaj gjetjet, konstatimet dhe rekomandimet e IKSHPK-së janë udhëzuesi kryesor në hartimin e masave të reja. Ne kemi pasur edhe shumë takime e konsultime me palët e jashtme nga këndvështrime të ndryshme por mbi të gjitha masat në vijim janë bazuar në shkencë, fakte në përvoja dhe praktikat më të mira që deri tani i njohim.
Duke u mbështetur në analizën e ekspertëve të fushës bazuar në evidencë pas identifikimit të shpërndarësve më të mëdhenj të infeksionit ne jemi detyruar që të marrim veprime konkrete në lidhje me këta shpërndarës të identifikuar.
Prandaj ashtu siç patët rastin të dëgjoni, nga dita e mërkurë më datë 7 prill deri në të dielën më datë 18 prill përveç masave të tjera të përgjithshme dhe bazuar në Ligjin për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë Covid-19, dhe dispozitat në fuqi do të ketë edhe masa të tjera siç janë: institucionet publike dhe private të arsimit parauniversitar do të organizojnë të gjitha aktivitetet mësimore nga 12 prill deri në 18prill do të vazhdojnë online sepse për arsimin parauniversitar vetëm jemi në pushim.
Konviktet dhe menzet pezullojnë aktivitetin e tyre pezullojnë aktivitetin e tyre nga data 7 prill deri me datë 18 prill 2021. Ndalohet veprimtaria e qendrave tregtare të mbyllura përveç shërbimeve esenciale në kuadër të tyre siç janë marketet ushqimore dhe farmacitë nga 7 deri më 18 prill.
Shërbimet e gastronomisë obligohen të pezullojnë aktivitetin e tyre nga data 7 prill deri me datë 18 prill. Të njëjtat ndalohen edhe në hapësirat e brendshme të shërbimeve gastronomike të marketeve, furrave të bukës, byrektoreve, qebaptoreve, pikat e shitjes së karburanteve.
Shërbimet e gastronomisë lejohen të punojnë vetëm me shërbim “merr me vete”, “dërgesë me porosi” dhe “drive-through”.
Lejohet shfrytëzimi i fitneseve, palestrave për aktivitete individuale rekreative vetëm në hapësira të hapura.
Kurse nga data 7 prill deri më 18 prill gjithashtu do të kufizohet liria e lëvizjes nga ora 22:00–05:00 përveç rasteve të natyrave urgjente dhe atyre me leje të vecantë.
Këto masa dhe masat e tjera që i morëm sot në qeveri vlen për gjithë territorin e Republikës së Kosovës
Të dashur qytetarë, s’ka dyshim se vaksinat janë zgjidhja ndaj pandemisë për parandalimin dhe luftimin Covid-19 dhe në këtë drejtim po punojmë që të sigurojmë sa më shumë vaksina në afat sa më të shpejtë, por jo nuk mjafton. Në gjithë këtë rrugëtim të historisë e zhvillimit njerëzor të teknologjisë e progresit një gjë ka mbetur konstante fakti se nga epidemia dhe pandemia na mbrojnë gjërat më elementare, maska, distanca, higjiena dhe ajrosja e mirë dhe e vazhdueshme e ambienteve të mbyllura
Ne duhet të kuptojmë që kjo është një betejë e gjatë dhe e rëndë por me këtë sfidë që po ballafaqohet e gjithë bota edhe ne duhet të bindemi që tanimë jemi në një realitet të ri.
Me veprimet tona ne mund t’i shpëtojmë ose t’i marrim jetën më të dashurve tanë.
Ky merr jetë prandaj edhe nuk mund të tregohemi të pakujdesshëm, jo tash kur e dimë se kemi vaksinat në ardhje.
Të gjithë dhe secili mund dhe duhet të përpiqemi më shumë.
Të gjithë dhe secili mund dhe duhet të ruhemi më shumë.
Mbroni vetën dhe të tjerët duke përdorur maskë kudo,
Mbani distancën dhe higjienën e sidomos kujdes nga grumbullimet në hapësirat e mbyllura dhe ajrosje sa më të shpesh në këto hapësira.
E tash të nderuar qytetarë e të nderuar përfaqësues të mediave, para se të kaloj fjalën për pyetje tek ju, më lejoni që të përgjigjem edhe në disa shqetësime që janë ngritur me të drejtë në opinion publik. Në ditët që lamë pas, edhe si ministri, po edhe mua personalisht, shumë nga qytetarët, me të drejtë, kanë pyetur se përse nuk kemi marrë masa që në ditën e parë?
Këto të gjitha janë pyetje legjitime dhe kërkojnë sqarime të sinqerta. E vërteta është se pavarësisht planit që kishim dhe të cilin mund të fillonim së zbatuari që në ditën e parë. Sado i drejtë të ishte ky plan do të ishte një plan arbitrar nëse nuk do të kalonte nëpër mekanizmat e duhur të konsultimit me të gjithë ekspertët e fushës, vendorë dhe ndërkombëtarë, autoritetet shoqërore dhe grupet e interesit. Vetëm si institucione ne mund të konsultonim këto grupe. Prandaj, që nga dita e parë kemi filluar diskutimet për masat e veprimit me të gjithë. Me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, me stafin përgjegjës në Ministrinë e Shëndetësisë, me ministritë e linjes, me të gjithë akterët, autoritetet e sigurisë, grupet e interesit, miqtë tanë ndërkombëtarë, dhe me të gjithë hisedarët e tjerë.
Pjesa tjetër e qytetarëve me të drejtë, kanë fajësuar fushatën elektorale për rritjen e rasteve të infektimeve.
Edhe kjo është e vërtetë, çfarëdo tubimi masiv është supershpërdarës. Por, duhet të kuptojmë se jeta jonë është dinamike dhe rrethanat në të cilat veprojmë shpeshherë diktohen edhe nga faktorë të paparashikuar.
Që nga shpallja e pandemisë, mirë do ishte që ne të mos ndërmerrnim asnjë veprim tjetër përtej menaxhimit sa më të mirë të pandemisë, për të cilin jam i sigurt se sikur të lejohej sot nuk do të ishim gjendjen çfare jemi. Por ne të gjithë e dimë se çfarë ndodhi tash e një vit dhe ngjarjet e marsit të vitit 2020 filluan një zingjir të ngjarjeve të tjera të cilat ishin të ndërlidhura me njëra me tjetrën.
Ajo që u ruajt në këtë proces ishte shëndeti i demokracisë dhe rikthimi i legjitimitetit në institucionet tona, por fatkeqësisht kostoja që e paguam për këtë si shoqëri është shumë e lartë dhe një mësim që duhet të nxjerrim secili si individ por edhe si shoqëri bë të ardhmen.
Për fund janë edhe shumë pyetje që kam marrë sot në raport se nëse këto masa do të kenë sukses apo jo? Përgjigja është shumë e thjeshtë – kjo do të varet bashkërisht nga të gjithë ne. Nga bashkëpunimi me institucionet dhe nga ndjenja e lartë e përgjegjësisë me njëri tjetrin.
Prandaj, ju lutem që të jemi bashkë, që të bashkëndjejmë dhe të punojmë bashkë në këtë situatë të vështirë. Për fund më lejoni të falënderoj të gjithë punëtorët shëndetësorë, Policinë e Kosovës, kryetarët e komunave, inspektoratet dhe të gjithë qytetarët për angazhimin në parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19.
Urojmë sa më shpejt të kenë shërim të gjithë të sëmurët nga kjo sëmundje dhe njëherit ngushëllimet më të sinqerta për të gjithë ata që kanë humbur të dashurit e tyre në betejën me COVID-19.
Unë falënderoj të gjithë punëtorët shëndetësor të cilët po rrezikojnë jetën e tyre për të shpëtuar jetët tona.