22.06.2022

Kryeministri Kurti bashkëbisedoi me përfaqësuesit e komunitetit rom

Prishtinë, 22 qershor 2022

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkëbisedoi sot me përfaqësuesit e komunitetit rom. Në hapje të tryezës së organizuar nga Zyra për Çështje të Komuniteteve në Zyrën e Kryeministrit, ai i falënderoi për kontributin, angazhimin dhe rolin e tyre në ndërtimin e vendit tonë.

Jam me shumë shpresë që bashkëpunime edhe më të mira më gjithë ju do të kemi në të ardhmen, drejt realizimit të synimeve të përbashkëta për më shumë barazi edhe më shumë mirëqenie, tha kryeministri.

Duke përmendur zhvillimet pozitive për komunitetin, kryeministri veçoi vendimin e Qeverisë për krijimin e ekipit ndërinstitucional për punësimin e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, nismën e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal bashkë me Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për dhënien e 100 bursave për nxënës të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian për studime në Fakultetin e Edukimit, si dhe ndarjen e 500 bursave shtesë nga Ministria e Arsimit për studentë të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në drejtime të tjera të studimeve.

Kryeministri foli edhe për programin për 100 praktikantë, me prioritet për komunitete, që tash janë të angazhuar në ministritë dhe komunat. Ai tha se më vonë gjatë vitit do ta kemi edhe një konferencë, ku aty mund t’i ndajnë përvojat e tyre për të inkurajuar të tjerët prej komuniteteve, të kontribuojnë me aftësitë e tyre, me dijen e përvojën e tyre nëpër institucione.

Gjatë muajve të verës, Zyra për Çështje të Komuniteteve do ta shpall thirrjen e radhës për grante për aftësim dhe punësim të komuniteteve, sepse ky është prioritet si për Qeverinë tonë, ashtu edhe për komunitetet, tha kryeministri Kurti. Zyra për Çështje të Komuniteteve i ka 1.5 milion euro për ndarjen e granteve për komunitetet sivjet, dhe organizata joqeveritare dhe media rome kanë aplikuar për fonde në thirrjen e fundit të Zyrës.

Një e arritur që u përmend është “Platforma digjitale për mbrojtje nga diskriminimi për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian” që është lansuar nga Zyra për Qeverisje të Mirë, në Zyrën e Kryeministrit.

Ju ftoj që t’i inkurajoni anëtarët e tjerë të komunitetit ta shfrytëzojnë, ashtu që institucionet ta kenë një pasqyrë sa më të qartë se ku po ndodhin shkeljet. Nuk mund të kemi respektim të ligjit për një qytetar të një komuniteti e mosrespektim për një qytetar tjetër të një komuniteti tjetër. Sepse barazia e qytetarëve është e garantuar në republikë, theksoi kryeminsitri.

U tha se të gjitha këto, dhe shuma masa të tjera, janë përfshirë në “Strategjinë për komunitetet rom dhe ashkali”, që është përgatitur nga Zyra për Qeverisje të Mirë, pas konsultimeve me komunitetet.

Në tryezën e përbashkët morën pjesë edhe Zëvendësministër i kulturës, rinisë dhe sportit, z.Sejnur Veshall, deputeti i Kuvendit të Repulikës së Kosovës, z.Erxhan Galushi, këshilltarja e kryeministrit për çështje të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, znj.Nurije Shala, këshilltarja e kryeministrit për çështje të komuniteteve znj.Elizabeth Gowning, përfaqësues politik, përfaqësues të institucioneve e të shoqërisë civile.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

I nderuar deputet i Kuvendit të Repulikës së Kosovës, z.Erxhan Galushi,
I nderuar zëvendësministër i kulturës, rinisë dhe sportit, z.Sejnur Veshall,
Të nderuar përfaqësues politik e të shoqërisë civile,
Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar të pranishëm,

Me disa prej juve që jeni sot këtu kisha kënaqësinë që të takohemi me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Romëve, ku edhe unë isha i ftuar nga komuniteti rom në Prizren, në Qendrën Kulturore “Durmish Aslano” dhe te radio “Romani Avazo”. Aty festuam bashkë, në praninë e nxënësve që mësojnë në gjuhën rome dhe me poezi shumë të bukura. Ju pata premtuar atëherë që pas festimeve, do ta gjejmë rastin të takohemi përsëri me një grup më të gjerë dhe të bisedojmë për sfidat dhe mundësitë që ju i shihni për komunitetin. Më vjen shumë mirë që tash e kemi këtë mundësi.

Ndërkohë, kemi parë zhvillime pozitive për komunitetin. Këtë muaj në mbledhjen e qeverisë, kemi miratuar vendimin për krijimin e ekipit ndërinstitucional për punësimin e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian. Ky ekip do të përbëhet me përfaqësim nga Zyra e Kryeministrit, Kabineti, Ministritë dhe shoqëria civile. Ata do të kenë përgjegjësi për promovimin e punësimit të komunitetit, dhe ndër to, për herë të parë, të bëjnë grumbullimin dhe publikimin e të dhënave për punësimin e secilit komunitet. Duke i pasur këto të dhëna, mund të ndërmarrim masa të nevojshme për realizimin e kuotës për punësim në institucione, siç e parasheh ligji.

Ne jemi të interesuar që ta nxisim punësimin e komunitetit rom dhe po punojmë në atë drejtim. Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal bashkë me Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit kanë marrë iniciativën për dhënien e 100 bursave për nxënës të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian për studime në Fakultetin e Edukimit, kjo me qëllim që në të ardhmen në klasat tona anembanë Kosovës të kemi mësues dhe mësuese të komunitetit rom. Pra, kontributi i tyre të shpërndahet jo vetëm për fëmijët rom, por edhe për të gjithë fëmijët e komuniteteve në Kosovë. Gjithashtu, Ministria e Arsimit ka ndarë edhe 500 bursa shtesë për studentë të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në drejtime të tjera të studimeve. Pra, 100 janë për Fakultetin e Edukimit e 500 janë për drejtime të tjera.

Jemi falënderues e mirënjohës për kontributin e qytetarëve të komunitetit rom, në një varg pozitash brenda ministrive dhe komunave. Është kënaqësi që disa prej tyre janë me ne sot, e këtë numër synojmë që ta rrisim. Andaj, sivjet kemi programin për 100 praktikantë, me prioritet për komunitete, e që tash janë të angazhuar në ministritë dhe komunat. Më vonë gjatë vitit do ta kemi edhe një konferencë, ku aty mund t’i ndajnë përvojat e tyre për të inkurajuar të tjerët prej komuniteteve, të kontribuojnë me aftësitë e tyre, me dijen e përvojën e tyre nëpër institucione. Gjithsesi është përvojë e mirë edhe për institucionet që të kuptojnë se sa shumë kontribuon në produktivitetin e vendeve të punës diversiteti.

Gjatë muajve të verës, Zyra për Çështje të Komuniteteve do ta shpall thirrjen e radhës për grante për aftësim dhe punësim të komuniteteve, sepse ky është prioritet si për Qeverinë tonë, ashtu edhe për komunitetet. Zyra për Çështje të Komuniteteve i ka 1.5 milion euro për ndarjen e granteve për komunitetet sivjet, dhe e di që organizata joqeveritare dhe media rome kanë aplikuar për fonde në thirrjen e fundit të Zyrës, aktualisht vlerësimi i këtyre aplikimeve është në proces e sipër. Ne kemi bërë po ashtu përpjekje që të vendosim një sistem transparent dhe fer, për ndarjen e fondeve për komunitete. Andaj, uroj dhe shpresoj që do të kemi shumë nisma të qëlluara nga komuniteti rom, në veçanti për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre.

Zyrat Komunale për Komunitete dhe Kthim anembanë komunave të Kosovës janë një hallkë e domosdoshme në sigurimin e shërbimeve për qytetarët në nivelin lokal. Gjatë takimit që kisha në muajin mars me zyrtarët e këtyre zyrave, kemi diskutuar për brengat që i kanë dhe i kemi identifikuar format e tjera për bashkëpunim me rezultatin e punës së përbashkët. Një nga këto ka qenë edhe konferenca për ndarjen e praktikës së mirë mes Zyrave Komunale, e që kjo u organizua javën e kaluar nga Zyra për Çështje të Komuniteteve. Shpresojmë që bisedat dhe diskutimet e tilla të ofrojnë ide të reja, për shërbime sa më cilësore për qytetarët.

Një e arritur shumë e vlefshme që duhet përmendur, është edhe “Platforma digjitale për mbrojtje nga diskriminimi për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian” që është lansuar nga Zyra për Qeverisje të Mirë, në Zyrën e Kryeministrit. Tani është mundësuar që përpos zyrave komunale, mënyra tjetër që mund të kuptojmë nevojat e rasteve specifike, ku identifikohen edhe shkelje të të drejtave të komuniteteve të shfrytëzohet edhe kjo platformë digjitale. Një pjesë e konsiderueshme e diskriminimit, e shfrytëzimit, ngjan e përsëritet pikërisht pse nuk merret vesh, sepse ngjan në heshtje, ngjan në terr. E ne, përmes kësaj platforme digjitale, e luftojmë përmes publikimit, sepse besojmë që në përgjithësi njerëzit janë të mirë. Njerëzit nuk duan të shohin diskriminim e shfrytëzim e shtypje. Por, nuk e dinë. E kur e marrin vesh me siguri që e kundërshtojnë edhe e luftojnë. Ju ftoj që t’i inkurajoni anëtarët e tjerë të komunitetit ta shfrytëzojnë, ashtu që institucionet ta kenë një pasqyrë sa më të qartë se ku po ndodhin shkeljet. Nuk mund të kemi respektim të ligjit për një qytetar të një komuniteti e mosrespektim për një qytetar tjetër të një komuniteti tjetër. Sepse barazia e qytetarëve është e garantuar në republikë. Kjo e dhënë, pra për institucionet tona si një pasqyrë përmes kësaj platforme digjitale, do ta lehtësonte rrugën që të sigurohen zgjidhje për çështjet e ngritura.

Të gjitha këto, dhe shuma masa të tjera, janë përfshirë në “Strategjinë për komunitetet rom dhe ashkali”, që është përgatitur nga Zyra për Qeverisje të Mirë, pas konsultimeve me komunitetet. Strategjia aktualisht është në fazën finale të procesit të brendshëm dhe planifikohet të prezantohet së shpejti për shqyrtim dhe miratim në një nga mbledhjet e Qeverisë.

Pjesëmarrja ime sot këtu, është më shumë që t’ju dëgjoj juve, prandaj nuk po e zgjas më shumë.

Më lejoni që edhe një herë t’ju falënderoj për kontributin, angazhimin, rolin tuaj në ndërtimin e vendit tonë. Jam me shumë shpresë që bashkëpunime edhe më të mira më gjithë ju do të kemi në të ardhmen, drejt realizimit të synimeve të përbashkëta për më shumë barazi edhe më shumë mirëqenie.

Ju falemnderit.