08.02.2008

Kryeministri Hashim Thaçi zhvilloi takimin e rregullt me shefin e UNMIK-ut, Jochim Rycker

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka zhvilluar takimin e rregullt javor me Përfaqësuesin Special të Sekretarit të Përgjithshëm, Joachim Ruecker. Në takim janë shqyrtuar modalitetet rreth përgatitjeve për përfundimin e procesit për zgjidhjen e statusit dhe angazhimet e përbashkëta për qeverisje funksionale.

Prishtinë, 8 shkurt 2008

Kryeministri Thaçi ka vlerësuar se Qeveria e Kosovës dhe UNMIK-u janë duke koordinuar punën dhe hapat e institucioneve vendore, autoriteteve ndërkombëtare dhe janë në bashkëpunim të ngushtë edhe me KFOR-in, për ndërtimin e rendit demokratik dhe për hapat e sigurt drejt shtetësisë së Kosovës. 

Kryeministri ka informuar shefin e UNMIK-ut edhe për përgatitjet për nxjerrjen e kushtetutës dhe simboleve të Kosovës, si dhe ka shprehur bindjen se do të vazhdojë bashkëpunimi i gjithanshëm për koordinimin e aktiviteteve për përmbylljen e suksesshme të procesit të pavarësimit të Kosovës.

Shefi i UNMIK-ut, Joachim Ruecker, ka vlerësuar lart angazhimin e Qeverisë së Kosovës, duke konfirmuar se bashkërisht me të edhe UNMIK-u është fokusuar plotësisht në të gjitha çështjet me të rëndësishme për Kosovën.