17.04.2009

Kryeministri Hashim Thaçi takohet me kryeministrin slloven, Borut Pahor

Në emër të institucioneve dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës, kryeministri Hashim Thaçi ka falënderuar kryeministrin e Sllovenisë, Borut Pahor për mbështetjen e fuqishme që shteti slloven i ka dhënë Kosovës, në periudhat e mëhershme dhe tani në periudhën e ndërtimit të shtetit të pavarur dhe sovran, si dhe në proceset integruese euroatlantike.

Prishtinë, 17 prill 2009

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në ditën e dytë të vizitës zyrtare që po zhvillon në Lubjanë, është pritur nga kryeministri i Republikës së Sllovenisë, Borut Pahor.

Në takimin shumë miqësor mes kryeministriave Thaçi dhe Pahor, është diskutuar për forcimin e bashkëpunimit të gjithanshëm mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Sllovenisë.

Kryeministri Hashim Thaçi në takimin me homologun e tij slloven, ritheksoi mirëpritjen e investitorëve sllovenë në shtetin e ri demokratik të Kosovës.

Qeveria e Republikës së Kosovës, theksoi kryeministri Thaçi ka thelluar përkushtimet për të krijuar një ambient të sigurt politik dhe ekonomik për nxitjen e investimeve të huaja në Kosovë, në funksion të perspektivës së hapur për të gjithë investitorët, që synojnë tregun kosovar.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në takimin me kryeministrin e Republikës së Sllovenisë, Borut Pahor, ka shprehur me admirim vlerësimet më të larta për rolin e Sllovenisë si anëtare e Bashkimit Evropian dhe e Aleancës Veriatlantike të NATO-s.

Përvoja integruese e Republikës së Sllovenisë, mund të cilësohet model i suksesshëm i integrimit në institucionet veriatlantike, ka potencuar kryeministri Thaçi dhe ka shtuar se Republika e Kosovës është në rrugë të mbarë për të përmbushur të gjitha kriteret e domosdoshme për anëtarësim në BE dhe në NATO.

Kryeministri Thaçi e ka vlerësuar të rëndësishme për Kosovën, përvojën integruese të Sllovenisë. Në këtë kuadër, kryeministri Thaçi dhe kryeministri Pahor janë pajtuar për thellimin e bashkëpunimit mes dyja vendeve në këtë drejtim.

Në emër të institucioneve dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës, kryeministri Hashim Thaçi ka falënderuar kryeministrin e Sllovenisë, Borut Pahor për mbështetjen e fuqishme që shteti slloven i ka dhënë Kosovës, në periudhat e mëhershme dhe tani në periudhën e ndërtimit të shtetit të pavarur dhe sovran, si dhe në proceset integruese euroatlantike.

Objektivi parësor i shtetit të Kosovës është perspektiva euroatlantike, forcimi i bashkëpunimit rajonal dhe fqinjësinë e mirë, në funksion të paqes dhe stabilitetit në Evropën Juglindore.

Institucionet e Republikës së Kosovës, gjithmonë kanë promovuar dhe vazhdojnë të promovojnë politikën e bashkëpunimit rajonal, me synimet e qarta për integrimin e përbashkët të rajonit në Bashkimin Evropian dhe në NATO, është shprehur kryeministri Thaçi.